“Neo-shqiptarizmi” pa “izma”


Botuar ne gazeta “Panorama”

Bledar Komini

Prej pothuajse një shekulli, shqiptarët janë ndarë nga një e kaluar sa e largët aq edhe konfuze. Them konfuze për disa arsye; së pari sepse një pjesë e madhe e historisë shqiptare mbetet ende për t’u rishikuar dhe për t’u parë në të gjitha këndvështrimet e munguara të saj. Së dyti, sepse kjo e kaluar është errësuar edhe prej një tranzicioni tejet të gjatë post-demokratik, të cilit i mbetej si obligim rishikimi i asaj pjese të historisë, e cila e lidh Shqipërinë me vendet fqinje. Në fakt, historia e kësaj të fundit ka qenë shpeshherë e lidhur edhe me “përdorimin politik” të saj. Prej këndej, alergjia e krijuar nga ky fakt, si dhe rrjedhojat e hidhura që ai la te një brez i tërë, na ka bërë ne të tjerëve – trashëgimtarëve të këtij brezi – spekulant të historisë, por edhe të fakteve. Nëse do t’i referoheshim fakteve, për secilen nga palët që kërkon të argumentojë ndonjë dukuri, ose ngjarje të caktuar politike ose historike si dhe për ta rikthyer atë si një “casum” në ditët tona, do të ishte shume intervencioniste ideja e një rishikimi të ngjarjeve në këtë lloj optike. Nisur prej debateve të fundit që ngjalli deklarata e Z. Davutoglu, (në cilësinë e Ministrit të Jashtëm turk), mbajtur në Sarajevë, në nëntor të vitit 2009, menjëherë pas saj ashtu si në disa vende të tjera të Ballkanit si: Serbi, Maqedoni dhe Kosovë. Edhe në Shqipëri, u rikthye hija e disa “izmave” tashmë të harruara prej kohësh.
Mendoj se në rastin e Shqipërisë maksima e njohur e rilindasve shqiptarë, e përkufizuar qartësisht prej Sami Frashërit se “që të kuptojmë çfarë jemi, më parë duhet të mësojmë se çfarë kemi qenë dhe çfarë kemi bërë”, nuk gjen zbatim. Dhe kjo për një sërë arsyesh. Për të sqaruar këtë ide, do të duhej kohë dhe një analizë e gjatë, por shkurtazi, them se ashtu si edhe për shumë popujt të tjerë, globalizmi modern e ka kthyer në një relike të kaluarën historike, parë kjo në këndvështrimin e sfidave globale që qarkullojnë sot në botë. Një pjesë e madhe e këtyre sfidave kërkojnë që të anashkalohen në mënyrë intrasigjente shumë debate, ideologji, mllefe dhe urrejtje të vjetra. Shembullin më konkret në këtë drejtim e kanë dhënë të parat, dy themelueset e Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania. Të cilat për hir të një të ardhme dhe prespektive madhore, lëshuan pe dhe harruan një pjesë të kaluarës së tyre. Por, edhe në rajonin tonë si në një epruvetë më të vogël, këtë shembull na e kanë dhënë njëkohësisht kroatët me serbët dhe kroatët me sllovenët. Sigurisht, epruveta mban si etiketë mbi të edhe pusullën e dështimit, siç është rasti mes shqiptarëve dhe serbëve, grekëve dhe maqedonasve dhe shqiptarëve me maqedonasit.
Në një situatë kur pjesa kryesore e shteteve të Ballkanit Perëndimor aspirojnë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, zënë fill dhe dalin disa ide panagjirike dhe pankulturore, që në qendër kanë disa “izma” të tipit romantik. Dua të shprehem kështu edhe se unë vetë nuk jam një evropiano-centrist i thekur, por shpresoj dhe mendoj se e ardhmja e këtij rajoni i përket jo të shkuarës prej të cilës u nda, por reales dhe të prekshmes që po përjeton. është e vërtetë, se sfida e shqiptarëve gjithnjë ka qenë dhe do të mbetet kahja se nga do t’ia mbajnë dhe ku do të lypin ndihmë nëse do të jetë nevoja, ashtu siç është e vërtetë që gjithnjë ata kanë ditur që edhe në rastet më ekstreme të përzgjedhin kahun që lyp nevoja (me përjashtim të diktaturës komuniste). Duhet thënë këtu se periferia e tillë mbetet gjithnjë, vetëm nëse pesha e forcës do ndryshonte aq shumë sa që të shkatërronte atë që është ndërtuar për vite më radhë, për të ndërtuar një qendër të re graviteti.
Ideja se Ballkani mund të kthehet në një qendër me në krye Serbinë dhe Turqinë, është shumë romantike dhe nganjëherë më ngjan me thirrjet e vjetra të dy shekujve më parë, të cilat të mbrujtura prej nacionalistëve serbë kërkonin që “Ballkani të ishte i ballkanasve”. Që Ataturku ka qenë një vizionar, kjo nuk do mend, pasi ai që në vitin 1921 deklaronte në Asamblenë Kombëtare të Turqisë se “Me popullin shqiptar kemi bashkëjetuar si vëllezër disa shekuj. Prandaj, këtë shtet e komb vëlla do ta ndihmojmë sa të mundim dhe sa të ketë nevojë!”. Nëse do të flitej pikërisht për këtë lloj bashkëpunimi është e sigurtë se shqiptarët asnjëherë nuk do ta rrefuzonin. Por, në deklaratat e Z. Davutoglu nuk bëhet fjalë vetëm për një ndihmë të tillë, pasi këtë ndihmë ajo po e jep, por bëhet fjalë për një zgjerim të influencës turke dhe për një Ballkan nën influencën turke. Që shqiptarët në shumicë janë muslimanë, kjo nuk mohohet, ashtu siç nuk mohohet që muslimanët shqiptarë nuk janë turq, siç nuk janë edhe arab. Nëse do të ecnim me këto teza do të ktheheshim shumë vite pas. Atëherë si duhet ta kuptojmë fjalimin e Z. Davutoglu? Mendoj se do ishte më e thjeshtë të përqendroheshim te roli dhe ndihma e vazhdueshme që do t’i jepte Turqia Shqipërisë, si në arenën ndërkombëtare ashtu dhe në atë ballkanike. Besoj se zoti ministër më tepër ka dashur të shprehë ndjenjat dhe lidhjet e vjetra kulturore sesa “izmat” e shumta që dikujt do ti dukeshin si fantazma të të kaluarës dhe do t’i ngjallnin frikë. Prandaj nëse neo-osmanizmi do të perifrazohej si një panosmanizën do të ishte gabim shumë i madh, ashtu siç do të ishte edhe përfshirja e shtetit shqiptar në një ndikim gjeo-politik turk, nën të cilin përfshihen edhe shtete si republikat e Kaukazit, Iraku, Siria etj. Jo vetëm gjeografikisht jemi shumë largë, por edhe kulturalisht jemi shumë ndryshe. Në të vërtetë ne shqiptarët jemi shumë ndryshe madje edhe prej popujve që kemi afër, si grekët, maqedonasit e serbët. Lind nevoja që Turqia të përpunojë një strategji të re për Ballkanin, sipas të cilës shtetet të shihen si partnere reale dhe jo vetëm historike.
Ecejaket e Turqisë nga Brukseli në Stamboll, janë përcjellë kahera si mesazhe negative, që e shikojnë Turqinë si dashnori (Othello-zezaku) i Desdemonës. Evropa vërtet do dhe kërkon një Turqi të fortë në rajon, por kur vjen puna te dasma, nusen nuk e jep. Kjo gjë ka bërë që ky mesazh të merret negativisht prej popullit turk dhe politikës turke. Prandaj edhe elaborimi i ideve të tilla si ato të Z. Davutoglu në Sarajevë janë përpjekje për të treguar se Turqia duhet të jetë në sofrën e shteteve evropiane. Por, për ta përmbledhur mendimin tim, them se ka ikur koha kur përkatësia fetare përcakton edhe ndjenjën nacionale. Shqiptarët, qofshin ata muslimanë apo të krishterë, i janë drejtuar një të ardhmeje që e lidh me Perëndimin dhe ata do të shkojnë drejt saj edhe si muslimanë edhe si të krishterë.

Advertisements