“Pen-thukti” dhe shoku Zylo


Nga Bledar Komini

(Gazeta Panorama)

Kur Karl Krausi revolucionarizoi konceptimin e gazetarisë dhe përqasjen e saj ndaj fenomenve sociale, afërmendsh qe perceptoi se kjo ide e tij nuk do të përthithej siç duhej prej disa pseudo-shkrimtarëve, të cilët vërtiteshin rrugëve të Vjenës dhe Evropës, njësoj si mushkonjat rreth kënetës. Ai madje  shkoi edhe më tej, kritikoi çdo gjë, por vetëm kundrejt tyre nuk shpifi dhe nuk shkroi asnjë rresht të vetëm, kjo për arsyen e thjeshtë “se rima nuk duhej kërkuar dhe nuk duhej vënë në gojën e belbëcakëve”. Ekzistenca e një retorike gazetareske që shpeshherë orinetohet gabimisht dhe qëllimisht jo drejt fenomeneve, por drejt subjekteve dhe individëve, e ka kthyer sëfundmi dhe qysh herët gazetarinë tonë në një gjol ku askush nuk mbytet. E në fakt askush nuk mund të mbytet në të, mirëpo për ata që mbytja; e njeriut, emrit, ideve, personalitetit, besimit, gazetarisë, të drejtës, lirisë dhe faktit është ankth dhe mani, mbytja vjen natyrshëm edhe pa u futur në gjol.

Objektivizmi si një realizëm tokësor, i papërlyer me atë hyjnor që drejtohet kahësisht nga idealizmi, në sensin e të qenurit i saktë dhe i përpiktë, është një vuajtje kryqëzuese. Mirëpo kryqëtimi i mendjes është edhe më fatkeq se sa ai i shumë fushave dhe gjendjeve të tjera, pikërisht kjo më shtyn që t’i drejtohem gjithnjë të parës. I ngacmuar, ashtu si një pozitron që tenton të kalojë hapësirat kufizuese, u nxita të shkruaj disa rreshta mbi ekzegjezën e të qenurit objektiv dhe subjektiv. Kjo gjë të them të drejtën më bën të ndjehem në defiçit ndaj vetes dhe shoqërisë, pasi nuk mjafton vetëm dëshira për të kontribuar në emancipimin e komunitetit, por mbi të gjitha duhet puna dhe përvoja e pashterur njerëzore. Në fakt kohët e fundit orientimi i disa njerëzve drejt “opinionizmit” gazetaresk – që po të vihej në gojën e Jacques Le Goffit do ishte grotesk – , i stërholluar me shumë pasaktësira dhe mosnjohje të mirëfilltë të përcjelljes së mendimeve në formë të kanalizuar, më tërhoqi që t’i drejtohem jo këtyre “pen-thuktëve”, por objektivizmit të munguar.

Sa herë që marr mundimin të shkruaj mbi ngjarje apo fenomene të ndryshme, pas të cilave qëndrojnë individë si ai “pen-thukti” që kërkon t’i gjuaj me pambuk objektivizmit, më kujtohet shpesh vepra Shoku Zylo e të madhit Dritëro Agolli. Edhe pse kanë kaluar plot 36 vjet nga botimi i saj, vepra vazhdon të mbaj një rekord shitjesh, kjo për faktin se kopjet e Zylos dhe Demkës edhe në kohën tonë janë të shumtë. Ata duan (edhe pse të paaftë për asgjë) që të merren me çdo gjë, me çdo punë, të thonë fjalën e tyre kudo, të përflasin ngado, bëjnë sikur irritohen për çdo fakt, shpërfillës ndaj realitetit krijojnë ato gjolet e vegjël, ku duan të “mbysin” objektivizmin e mendimit. Thash më sipër se këto rreshta nuk do t’ja drejtojë atyre, por objektivizmit dhe qenësisë profesionale që ndodhet në shpirtin e çdo njeriu. Prandaj besoj se kur Hygoi fliste për “çlirimin e fjalës”, nuk kishte parasysh përdhunimin e saj prej kujtdo, por këtu do bie edhe unë në një mendje me Umberto Eco-n, se fajin e ka hiperteksti që “pa e ‘shpështjellë’ domosdoshmërisht të gjithë informacionin që përmban” depërton ngado “si shtiza e trikos lëmshin e leshit”.

Cytja se dikush po tenton të vras kohën, duke u marrë me çdo gjë, më bën të mendoj se përveç profesionalizmit të penës ekzistojnë edhe zdruktharë të letrës. Prej këtyre të fundit lindin fobira kolektive – të cilat nuk kanë lidhje me realitetin – dhe ngërçe vetjake. Por, shpështjellja e lëmshit që lënë pas këta të fundit është një problem mëvete, pasi fija është aq e gjatë sa për ta çkoklavitur do duhej kohë. Fenomeni, gjithnjë fenomeni do të jetë dhe do të mbetet problemi dhe arsyeja kryesore e të gjitha filozofive dhe preokupimeve reale të një gazetari apo analisti. Vetëm duke u marrë me fenomenin ne do të arrijmë të çlirojmë fjalën, ta barazvlerësojmë me veprën dhe jo me individin. Ka ikur koha e Gargantuave, e atyre që ëndërrojnë të bëhen si Don Kishoti, apo edhe e atyre që vrasin kohën duke shitur fjalë. Përmbysjet e mëdha fillojnë me humorin. Kur një periudhë historike mbërrin kohën e humorit, kjo do të thotë se ajo ka trokitur në çastin e zbaticës. “Ushtari i mirë Shvejk shembi lavdinë e perandorisë”, thotë Hasheku, ndërsa unë mendoj se “Autobuz për në parajsë” i Leo Buscaglies do ishte një rekomandim i mirë për ata që duan të mësojnë artin e zdrukthimit të letrës. Do të doja të përmendja në këtë shkrim edhe dy vargje të shkurtra nga Metafora e Jetës Sime të Ali Podrimjes, në të cilat ai shpërfaq rebelimin ndaj heshtjes, asaj heshtje që mbyt realitetin dhe të vërtetën ose kur ajo vihet në gojë të pamfletistëve të zhurmshëm, të cilët abuzojnë me fjalën dhe tribunën. Ai i drejtohet vetvetes duke thënë: nëse s’flas/jeta ime s’ka qetësi.

Edhe pse ndonjëherë e kemi të pamundur të krijojmë tribuna të pavarura dhe të pastra, frymëzimi i të cilave të jetë analiza, profesionalizmi dhe dëshira për të përmirësuar situatën në të cilën gjendemi. Gjithnjë do të gjendet një hapësirë e cila do të krijojë rrethana ku do të evidentohen problemet reale, ku do të jepen edhe zgjidhjet efikase, nëpërmjet të cilave do të kurohet rrenja e keqe, për ti lënë vendin lastarit të ri.

Advertisements

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: