ALBANIA DREAMING


Bledar Komini

(Gazeta Shqip)

Në kohën kur Beach Boysat, prej dekadash të harruar tashmë, këndonin këngën California Dreaming, ëndrra amerikane ishte bërë një ëndërr botërore. Ajo jo vetëm krijonte premisa për të qenë e tillë, por ndërthurte melodikisht të gjitha mënyrat e të qenit një vizion drejt së ardhmes. E fokusuar në trashëgiminë e krijimtarisë botërore si një ndër “vertikalet” më të fuqishme dhe më me ndikim në historinë e muzikës botërore, dhe vice versa. Kjo këngë u bë energjia me të cilën breza të tërë amerikanësh synonin të eksportonin jashtë vendit të tyre kulturën, modën dhe kapitalizmin amerikan. Ishte forma më e thjeshtë e eksportit kulturor.

E gjithë kjo vinte natyrshëm, pasi vetëm arti dhe muzika kanë pasur tagrin dhe ende e kanë, për të qenë të pakompleksuar, të pakufizuar dhe lehtësisht të shkëmbyeshëm. Pothuajse, kjo do të ndodhte edhe atëherë kur arti dhe muzika nuk do të ishin fort të pëlqyeshëm, pasi ne kemi parë si artistë dhe rryma të ndryshme arti dhe muzike edhe pse nuk janë pëlqyer fillimisht, më pas kanë krijuar shtretër ku kanë zbarkuar të gjitha tonalitetet e krijimtarisë së tyre. Natyrshëm që si pjesë e folkut, çdo prurje muzikore, por dhe artistike, kthehet në sensibilitet atëherë kur mbart mbi vete vlera. Madje, menjëherë krijohet vartësia e të qenit i mpleskur pandërgjegjshmërisht, me atë pjesë, ku vartësia ngjall kureshtje dhe dëshirë për të qenë pjesë e saj. Prej kësaj mund të kuptojmë shumë thjesht, se nëpërmjet muzikës dhe artit – si dhe shkëmbimeve horizontale që prej shekujsh janë krijuar – Europa ka qenë e bashkuar shumë kohë më parë se Zhan Moneja dhe Robert Shumani do të ndërmerrnin “turin” e tyre për të thurur këtë Europë të Bashkuar që kemi sot. Ngjashëm do ishte mirë që edhe politika të ndiqte të njëjtin shembull, ku arti dhe muzika dhe kultura në përgjithësi t’i paraprinin integrimit më shpejt dhe më parë sesa politika dhe çështjet teknike që duhen përmbushur mbi këtë synim.

Ne shqiptarët, të gjendur përballë kulturave dhe civilizimeve më të fuqishme, kemi ditur të reagojmë vetëm në vetëmbrojtje fizike, dhe e kemi pasur të vështirë të krijojmë shtresëzime kulturore për të mbrojtur atë traditë dhe pasuri të krijuar në atë pak kohë paqeje. Rrjedhimisht ato që na kanë ardhur dhe që kanë mbërritur gjer te ne, janë përcjellë me kujdes dhe janë trashëguar me finesën më të madhe, në atë mënyrë që vetëm populli di të ruajë dhe stratifikojë çdo gjë që i duket pasuri kombëtare (në mënyrën më të pavullnetshme, por edhe të vullnetshme të mundshme). Vitet e fundit tradita e mbrojtjes dhe ruajtjes së kulturës jo vetëm nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë, por tek-tuk ka rrëshqitur në drejtim të politizimit militantesk, thuajse kultura dhe tradita janë pronë e njërës apo tjetrës parti. Në masën më të vogël, është krijuar një mungesë standardesh të nevojshme artistike, ndërsa në masën më të madhe, kultura dhe folku shqiptar është tharë tërësisht.
Politika shqiptare e mbidozuar disproporcionalisht me “terma ambig” të ardhur përtej kufijve tanë dhe të cilët flasin për politika integruese, çështje teknike që duhen realizuar në përmbushjen e standardeve etj. etj., asnjëherë nuk e ka marrë seriozisht faktin se prej më se dy dekadash asnjë investim madhor ose sadopak rentabël nuk është kryer për mbrojtjen e traditës, kulturës, historisë dhe çdo gjëje që mban emrin “Made in Albania” – e vënë kjo qoftë edhe në shërbim të integrimit. Asnjë investim nuk është hedhur në ndonjë aks kulturor dhe artistik, fatkeqësisht jo për t’u dhënë mundësinë brezave të rinj për t’u kulturuar, por as për të investuar mbi mirëmbajtjen e asaj infrastrukture të dobët e të paktë kulturore që u trashëgua prej diktaturës komuniste.

Kur lexon shprehjen e Paulo Coelhos se “Nëse e kupton jetën, atëherë je i keqinformuar”, në mënyrë të qartë të shfaqet tabloja e politikanëve, të cilët pa korniza, ngjajnë me nxënësin që edhe pse e shikon tabelën, nuk kupton ushtrimin. Prej më se dy dekadash, por edhe diçka më tepër, ne po vuajmë politizimin e kulturës dhe akulturizimin e politikës. Të varur prej këtij polariteti edhe artistët e muzikantët shqiptarë më shumë janë bërë politikanë sesa kanë kulturuar politikën. Po a është kjo; ajo që Europa kërkon prej nesh – si mësim për t’u përvetësuar? Askush prej përfaqësuesve europianë nuk do të kërkonte dhe që as do të përcillte ndonjë notë politike në drejtim të stimulimit të këtij fenomeni. Madje, një ndër kërkesat më thelbësore të Bashkimit Europian shprehet në thënien e mirënjohur franceze “Bashkohemi, por të ndarë”; e cila nënkupton, politika të përbashkëta europiane ekonomike dhe ndërmarrje të ndërsjella politikash infrastrukturale (qofshin këto edhe në unifikimin e zërit politik për t’u përfaqësuar përtej Europës); ndërsa në krahun tjetër ruajtjen e diversitetit kulturor të secilit prej vendeve anëtare.

Çështja shtrohet: A do të integrohemi së pari politikisht apo kulturalisht? Për politikanët e sotëm shqiptarë rëndësi ka integrimi politik dhe më pas ai kulturor, sepse vetëm kështu do të argumentojnë sukseset e tyre përpara “masave”, ndërsa për ne të tjerët, integrimi politik, asnjëherë nuk mund të konturohet plotësisht pa u integruar në fillim kulturalisht. Instrumentet e integrimit mund të jenë teknike, por asnjëherë thelbësore.

About njihvetveten

Simple me!

5 responses to “ALBANIA DREAMING”

  1. DIDI says :

    Fenomeni i politizimit te
    kultures, ka qenë prezent qe ne fillimet e shekuliit te XX ne shumicen e shteteve te Evropes. Artisti dhe arti qe ai prodhon zhvillohen ne nje realitet te caktuar politik social dhe ekonomik. Kurrsesi arti nuk mund te qendroj autonom nga shtrati ne te cilin ai zhvillohet, pasi ne te shumten e kohes, arti manifeston kendveshtrimin e artistit mbi realitetin politik, ekonomik dhe social te periudhes ku ai jeton. Mos harrojme theksin qe Pablo Picasso i vinte te ashtuquajturit “art i angazhuar”, duke i faktorizuar artistet qofte si politikan, qofte si burra shteti qofte dhe si armiq te shtetit! Eshte e pamundur ti perceptosh te ndara artin dhe politiken!

    • njihvetveten says :

      Kam pershtypje se me shume arti duhet te lidhet me jeten sesa me politiken,,,nese e marrim kete si nje fenomen jo dhe aq te qendrueshem pasi duke e marre politiken si te tille do prodhonim ose krijonim art te paqendrueshem.

      • DIDI says :

        Nuk ka art te qendrueshem apo te paqendrueshem! Arti eshte art, lidhet me individin dhe gjithcka qe e prek ate, madje edhe politika, mos them politika me shume, sepse shpesh kushezon jeten ne te gjitha dimensionet e saj!

  2. njihvetveten says :

    Vetem komunizmi u perpoq te lidhte artin me politiken, dhe sigurisht deshtoi, realizmi socialist ishte nje deshtim i madh per artin ne radhe te pare dhe artistet qe e propaganduan; kam pershtypjen qe arti eshte shpirt dhe shpirti krijon art, ne mund ti lidhesh me asgje keto te dyja.
    Sa per argument po permend nje shprehje te vete Stalinit: Artistet jane inxhiniere te shpirtit njerezore!

  3. dn says :

    integrimi i shqiptareve ne kulture eshte ma i shpejt se sa integrimi politik:Prej# l’origine du monde# fale koleksionistit shqiptar halil Bey(khalil bey ne France),me Angelin Prejlocajn i cili ne cdo rast permend origjinen e tij shqiptare ,me rexhep mitrovicen,apo vellazerit belushi ….Ajo qe nuk i le shqiptaret te begatohen eshte politika shterp…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: