Maskilizmi i femrave ne politike


B. Komini

(Gazeta Panorama)

Në të vërtetë s’ka asgjë më mbreslënëse se sa të shohësh një femër që të përftojë prej aftësisë së një mashkulli në bërjen e politikës. Kjo nuk është anormale, pasi shumica e tyre mund ta përftojnë atë edhe në shkollat e larta perëndimore apo edhe ato të lindjes tashmë, por veçantia qëndron në atë që unë do ta quaja “maskilizim të femrës”.

Po e shpjegoj këtë koncept në mënyrë që të mos keqkuptohem prej atyre femrave ose grave që e kanë ëndërr politikbërjen. Roli i femrës në shoqëri ka qenë kaherë vendimtar, por edhe romantik, sa turbullues, aq edhe zemërplangosës, nga magjepës tek çudibërës, nga shkaktar luftrash tek dashuritë klasike. Ajo ka qenë ideali i sa e sa burrave, meshkujve, djemve, poetëve, artistëve. Deri këtu jemi pranë konceptit real të një femre natyrale të së shkuarës dhe të së tashmes, por sot e më pas, me sa duket, prirjet janë drejt profilizimit të gruas edhe si shtëpiake, romantike, gjellëbërëse, edhe si politikane, qeveritare, administruese. Ky dualizëm Hegelian duket sikur po skalit një tipizim të ri në hierarkinë e tij të grave moderne, atë të një femre të maskilizuar, që është fizikisht femër dhe ideologjikisht mashkull. Duhet të pranojmë se politika e sotme, edhe pse jemi në epokën postmoderniste, ka mbetur në thelb pronë e meshkujve, por me disa përjashtime, pasi mund të sjellim edhe shembuj të bujshëm të femrave që kanë ngjitur shkallët më të larta të karrierës, duke u bërë ministre, kryeministre e tek-tuk presidente. Por a do të ishte e pranueshme, që në tërësinë e saj, një e treta apo gjysma e politikanëve të ishin femra? Po. Them po, pasi kjo do t’i sillte vetëm përfitime politikës, duke e bërë atë më të ndjeshme, më pak arrogante, më familjare dhe më populiste (në kuptimin social dhe jo politik). Por keqpërdorimi dhe keqinterpretimi i këtij roli do të ishte antipolitik dhe antishoqëror në rast të kundërt. Unë nuk do të pranoja kurrë një femër që sillet dhe vepron tërësisht si një mashkull, si një politikan burrëror dhe në të kundërt të saj do të ndihesha më rehat kur të shihja se si gruaja politikane dhe jo gruaja mskiliste zbuste tensionet partiake apo situatat konfuze të politikës. Sipas këtij parimi, do të ishte më e pranueshme një femër që shërben si rregullator i qëndrueshëm i politikës dhe jo vetëm aq, por që menaxhon maskilizmin ekstrem të meshkujve, (më tepër për ta balancuar atë) sesa një femër që kërkon të eksitojë ndjenjat burrërore tek vetvetja.

Më ka bërë përshtypje gjithnjë dilema se ishte bukuria e Helenës së Trojës që mahniti Paridin për ta rrëmbyer apo ishte Helena që sajoi ikjen me të. Kjo dilemë më ndjek jo vetëm mua, por të gjithë ata meshkuj që besojnë tek mitizimi i së bukurës në politikë. Ngaherë mbase edhe më shpesh, kjo situatë rikrijohet në epokën moderne mbi shtresat e reja të politikanëve dhe politikaneve. Do të ishte primitive që të mos pranoje ta shihje gruan përkrah ideve të mëdha të së djathtës dhe së majtës politike apo edhe të qendrës, qoftë e majtë apo e djathtë.

Që prej shekullit XX-të roli i guas në shoqëri ka filluar të rritet ndjeshëm, ai ka kaluar në faza të ndryshme objektive dhe subjektive. Levizja feministe për të drejtat e gruas në shoqëri ka pasur një përshkallëzim dinamik, që herë ngrihej dhe herë pësonte lëkundje me luhatje të konsiderueshme. Por tek e fundit, tashmë në fillimin e shekullit XX-të, ajo ndihet e lirë për të bërë zgjedhjet e saj.

E për t’u rikthyer tek tema, si për dreq, më kujtohet një thënie e Stalinit: “Artistët janë inxhinierë të shpirtit njerëzor”, ne do të na duhej më shumë kurajë për ta pranuar idenë, sipas së cilës, bota do të kishte nevojë për më shumë femra të tilla “artiste” që ta zhbironin thellësinë e shpirtit njerëzor, por që të ishin edhe të lira për të zgjedhur ndërmjet një zanati politikëbërës apo atij administrativo-familjar. Kaosi që rrethon e ndan “femrën maskiliste”, që eksiton tiparet e një burri tek vetja e vet me atë të një femre nënë, grua, mësuese, prind, politikane, etj, na bën ne që të jemi më të prekshëm ndaj këtij bipolariteti, por asnjëherë që të themi fjalën e fundit.

Shekulli i XIX-të u brumos nga idetë pesimiste dhe ultraindividualiste të Shopenhauerit, Fihtes, Niçes e Frojdit, ishin këta prometenj që kërkuan ta fusin shoqërinë drejt stereotipizimit individual, grotesk individual, por dhe pesimist. Në tërësi shoqëria mbeti e njejta, luhatjet ishin të pakta, por gjatë gjithë shek. XIX-të, nuk rreshti kurrë së ndikuari thënia e Niçes se përkujtimi i gruas i sillte ndërmend kamxhikun. Për sa e sa burra kjo thënie do të tingëllonte herë kuptimplotë e herë boshe, por koha tregoi se shoqëria edhe në fillimet e shekullit XXI-të mbeti përsëri maskiliste. Madje ajo vazhdon që në vende të veçanta aziatike të jetë tipike maskiliste ose maskilisto burokratike, ku të drejtat më elementare të femrës shtypen mizorisht prej burokracisë mashkullore dhe familjes patriarko feudale. Në krahun tjetër, sa e thjeshtë duket femra tek veprat e Volterit, Ibsenit, Tuenit, sa madhështore tek Bajroni, epshndjellëse tek Pushkini, tek Turgenjevi krahasohet me ujërat pranverore që rrjedhin, tek Dostojevski ajo bashkon vuajtjet me dashurinë. Ky dualizëm i mpleksur kaq fort të rrek që të lexosh edhe një herë veprat e Marksit, Hegelit e Kantit, ku teza, antiteza dhe sinteza bëhen simetria triadike e jetës njerëzore, por edhe tek këta nuk mund të gjesh kurrë zgjidhjen e dilemës.

Duke iu qasur problemit në një mënyrë të tillë është vështirë që të shpjegohet emocionalisht polarizimi i situatës së krijuar ndërmjet “feminizmit në politikë” dhe “maskilizmit të femrave”, mbase do të duhej kohë për të kuptuar rrjedhojat e vërteta të kësaj simetrie bipolare. Feminizmin në politikë, në radhë të parë, ne duhet ta shohim si pikëmbështetjen kryesore të barazisë sociale e gjinore dhe më pas si artikulimin e politikave antikorrupsioniste dhe atyre me karakter social, por duhet t’i ruhemi korrupsionit të femrës, pasi shenjtëria e saj do të thyhej e do të shkatërrohej përgjithnjë, e për më tepër tërë idealizmat femërorë që ka ngritur historia dhe tërë romancat e dashurisë do të veniteshin brenda pak kohe. Jo se korrupsioni i shkon për hise vetëm meshkujve, por shënjtëria e pastërtisë së një gruaje të vërtëtë, do të shkatërrohej, ashtu si dredhia e Paridit me Helenën shkatërroi një Trojë të tërë. Askush nuk do t’i këndoj më gruas me sonata të ëmbla dashurie, por edhe sonatat e kënduara më parë do të ndryshojnë e do t’i përshtaten një tipi tjetër femre.

Pak më sipër fola për maskilizimin e femrave, por a do të ishte e drejtë që të bashkoheshin këta dy terma të kundërt?

Maskil është ai njeri që katërçipërisht, që kur ngrihet në mëngjes dhe gjer kur shkon të flejë në mbrëmje i thur laved egos së tij personale gjinore. Ndërsa me maskilizim femëror do të përcaktoja dëshirën për të shtypur anën femërore tek një grua dhe për të eksituar tek ajo burrërinë e një burri ose maskilizmin e një mashkulli.

Ekzistojnë shoqëri ku jo rrallëherë femra ka marrë me të vërtete tiparet e një mashkulli. Tek ne, në veri të Shqipërisë, aty ku zbatohet ende tek-tuk dhe ku ka qenë zbatuar më parë Kanuni, në të drejtat e këtij të fundit parashtrohej edhe e “drejta e virgjërisë”, që domethënë, se gruaja hiqte dorë nga martesa dhe nga fjetja me meshkujt dhe që pas kësaj e tutje do të vishej si mashkull, do të fliste si mashkull dhe do të ulej e kuvendonte me burrat e moçëm të krahinës. Kjo gjë, nëse do ta bënim Frojdin ose Jungun që të fliste në gjuhën shqipe, do të thotë shtypje e ndërgjegjes mendore dhe fizike mbi të pandërgjegjshmen burrërore (me dëshirën që kjo e fundit të lirohej prej së parës) që gjendet tek një femër malësore.

Por, maskilizimi femëror prej kohësh ka filluar të shfaqet edhe nëpër mediumet politike. Jo rrallë herë shikon një femër që flet dhe kuvendon në trajta politikëbërëse, stilistikisht si një mashkull politikan. Irrituese apo jo, kjo situatë na detyron që të mbyllim sytë dhe të shpresojmë se gjinisë tjetër nuk do t’i humbasin të paktën tiparet thelbësore që ka pasur që nga Adami e Eva, atëherë kur burri ishte burrë dhe gruaja grua.

Advertisements

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: