DISA KONCEPTE MBI DEMOKRACINË, LIRINË DHE TË DREJTAT


 

Vetë fjala “demokraci” në gjuhën vulgare do të thotë shumë gjëra për shumë njerëz. Por, në anën tjetër nëse do ta shikonim vullnetin e përgjithshëm shoqëror si një institucion më vete që zëvendëson pushtetin konstitucional dhe kontratën sociale me tiraninë e shumicës dhe autokracinë, do të habiteshim se sa shpejt e drejta e individit bëhet e drejtë shoqërore dhe nga kjo kalon në të drejtë politike.

Nëse termi “demokraci” u sajua me lehtësi (në domethënien dhe kuptimin e tij), kjo gjë nuk është bërë me termin liri-lirikraci. Lord Akton na ka vënë në dukje se: “asnjë vështirësi nuk ka qenë kurrë kaq e përhershme dhe e pakapërcyeshme sa pasiguria dhe çoroditja lidhur me natyrën e lirisë së vërtetë”. Nëse ne flasim për liri fjale, liri jete, liri shtypi, liri ekonomike, liri vetvendosje, etj., a mund të shprehemi kështu edhe për të drejtat tona si: e drejta e fjalës, e drejta e arsimimit, e drejta e jetës, e drejta e votës, e drejta për drejtësi, e drejta për barazi njerëzore dhe qytetare, etj. A mund të vendosim një shenjë barazie ndërmjet lirive dhe të drejtave tona?

Ajo që ne duhet të kemi parasysh është se çdo liri ka hapësirën e saj jetike të organizuar në drejtim horizontal dhe vertikal. Liritë janë të ndryshme, por në thelb ato mbeten përsëri “të drejta kushtetuese”, për çdo individ (qytetar). Lokut i takon një vend i veçantë  për nga mënyra se si e trajtoi ai konceptin e lirisë. Mënyra si ai e parashtron këtë problem tek “Sprova e Njohjes Njerëzore”, si dhe tek “Dy Traktate për Qeverisjen”, është unike për nga lloji. Për të liria ndahet në liri që vepron nën vullnetin e unit për të vendosur dhe në liri që i nënshtrohet vullnetit të paqëndrueshëm, të pasigurtë, të panjohur dhe arbitrar. Filozofë të tjerë e përcaktuan lirinë në forma të ndryshme, për Spinozën liria ishte racionalizëm i përsosur, për Lajbnicin spontanitet i inteligjencës, për Kantin autonomi, për Hegelin pranim i së domosdoshmes, për Kroçen shtrirje e përjetshme e jetës.

Për Hobesin liri në Angli do të thoshte; mungesë e pengesave të jashtme për të lëvizur. Ndërsa për Rusoin në Francë: “liria ka të njëjtin fat si ligjet; ajo sundon ose shembet bashkë me to”.

Ekonomisti dhe politologu i njohur Fridrih fon Hajeku në vend të fjalës demokraci shoqërore përdori termin “kushtetuta e lirisë”, me të ai nënkuptonte një sërë elementesh të cilët bënin të mundur bashkë-ekzistencën e individit me shoqërinë. Hajeku nxjerr tri elemente  si më kryesoret në këtë raport:

–          Rendi juridik, i cili i bënë njerëzit qytetarë dhe pjestarë të barabartë të shoqërisë.

–          Demokracia, e cila u jep të drejtën qytetarëve për të vendosur mbi udhëheqjen politike.

–          Udhëheqja, që e mban shoqërinë në lëvizje. Ajo as nuk mund ta shkelë demokracinë, por as nuk mund ta tejkalojë konceptin e demokracisë.

Që prej Xhefersonit, Lokut e Rusoit një sërë traktatesh u shkruan mbi lirinë, të drejtat dhe detyrat e individit dhe të shoqërisë. I pari që u preokupua seriozisht në këtë lëmi, duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje sa më pranë kompromisit të përgjithshëm ishte Maks Veberi. Ai nis ta trajtonte çështjen e lirisë dhe të drejtave që në 1917 kur filloi të botonte në gazetën Frankfurt Zeitung një seri artikujsh mbi qeverisjen e Gjermanisë së pasluftës. Në 1919 ai shkroi traktatin e tij të njohur mbi “Politikën si Prirje Natyrore”, i cili u botua, doli në dritë një vit më pas, më 1920.

Në Deklaratën e Pavarësisë të Revolucionit Amerikan (1776) thuhej: “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë – dhe më tej, se, – ata janë pajisur nga Krijuesi (Zoti) me disa të drejta të patjetërsueshme, midis të cilave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Ndërsa Xhejms Medisoni duke komentuar Kushtetutën Amerikane të 1787-ës shkruan se: “Mesazhi i federalistit është ky: nuk ka lumturi pa liri, nuk ka liri pa vetqeverisje, nuk ka vetqeverisje pa kushtetueshmëri, nuk ka kushtetueshmëri pa moral dhe nuk ka kurrfarë të mirash të tilla të mëdha pa stabilitet dhe rend”.

Në Kartën e Parisit të 1990 thuhet: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore u përkasin gjithë njerëzve, që nga lindja e tyre; ato janë të pandashme dhe garantohen me ligj. Mbrojtja dhe zbatimi i tyre është përgjegjësia më e parë e qeverisë. Respektimi i tyre është garanci e qenësishme ndaj shtetit me pushtet të jashtëzakonshëm. Respektimi dhe ushtrimi i tyre i plotë përbëjnë themelin e lirisë, drejtësisë dhe paqes”.

Tek “Arratisje nga Liria” e Erich Frommit thuhet: “Pavarësisht nga përmbysjet e shumta, liria i ka fituar betejat. Në këto beteja shumë kanë mbetur me bindjen se të vdisje në luftë kundër shtypjes ishte më mirë se sa të jetoje pa liri”. Po Erich Fromm tek “Psikanaliza e Dashurisë”, thekson: “Nëse duam që të zhvillohet dashuria për jetën duhet të ketë liri për të krijuar dhe për të ndërtuar, për të ditur dhe për të guxuar. Një liri e tillë kërkon që individi të jetë aktiv dhe i përgjegjshëm në shoqëri e jo një skllav apo një ingranazh makine. Duke e përmbledhur, dashuria për jetën do të zhvillohet në një shoqëri ku ka: siguri në kuptimin që kushtet materiale elementare për një jetë dinjitoze mos të kërcënohen, drejtësi në kuptimin që askush të mos jetë një mjet për qëllimet e një tjetri dhe liri në kuptimin që çdo njeri të ketë mundësi të jetë pjestar aktiv dhe i përgjegjshëm i shoqërisë”.

Nëse do të pyetej A. Kamyja mbi lirinë dhe të drejtat, sigurisht do të thoshte se ato kanë; mure absurde. Më pas me ironi do të shtonte se liria është si puna e krimbit që gjendet në shpirtin e njeriut dhe atë, aty duhet ta kërkosh.

Isaia Berlin në librin “Idetë Filozofike të Shekullit XX – dhe katër ese për lirinë”, thotë: “Por në qoftë se demokracitë, gjithnjë duke mos rreshtur së qeni demokraci, mund ta shtypin lirinë, të paktën në kuptimin që i japin liberalët kësaj fjale, atëherë si mund të bëhet me të vërtetë e lirë një shoqëri?”     

Advertisements

About njihvetveten

Simple me!

5 responses to “DISA KONCEPTE MBI DEMOKRACINË, LIRINË DHE TË DREJTAT”

  1. DIDI says :

    “A mund të vendosim një shenjë barazie ndërmjet lirive dhe të drejtave tona?”. Juridikisht nuk ka shenje barazie ndermjet lirive dhe te drejtave, ka barazi ndermjet individeve, nen prizmin e lirive dhe te drejtave. Pervec kesaj shkrimi ishte vertete shume i mire!

  2. njihvetveten says :

    Ne mes lirise dhe barazise si nocione ose koncepte, filzofike apo juridike, sido te merren nuk ka barazi, por zhvillimi dhe koha e perpunimit te tyre ka qene po e njejta, duke filluar nga Revolucioni Francez e gjer me sot. Mendoj se ato jane nocione baze te kujtdo kushtetute apo permbledhjeje juridike dhe se pa to, pra po ti ndajme vec e vec, asnje ligj nuk merr kuptim. Keshtu edhe nese i trajtojme si jo te barabarta, serisht pozita e tyre na shpie drejt barazvlefshmerise se tyre.

  3. DIDI says :

    Ne jo vetem qe nuk i trajtojme si te barabarta, por as individet nuk i trajtojme si te barabarte, qe do te thote se sisteme ligjore dieale nuk ka. Me kalimin e kohes, koncepte si liria dhe te drejtat, kane ardhur drejte shkrirjes me njera tjetren, jo drejte barazvlefshmerise.

  4. njihvetveten says :

    Kam pershtypje se i ngaterroni pa konceptet, ato si koncepte, si nocione jane te barabarta, hyjne ne nje kategori nocionesh qe trajtohen gjithnje si te barabarta, pasi jane themelet mbi te cilat eshte ndertuar sistemi ne te cilin ne jetojme. Dhe ne te njejten kohe jane te ndervarura nga njera-tjetra, sepse ska zbatim ligji pa barazi, e kunderta eshte anarki, dhe ska liri pa barazi, sepse eshte diktature. Keshtu mendoj se ngaterron barazinee nocioneve te tilla jo ne kuptim por ne vlere.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: