2011, VITI I KRIZAVE DHE REVOLTAVE POPULLORE


2011, viti i krizave dhe revoltave popullore

Edhe gjatë këtij viti do vazhdojmë të flasim për çështjet globale, problemet e sigurisë, që kanë të bëjnë me rajone dhe vende të ndryshme, padyshim edhe për proceset e paqes. Por megjithëse kemi hyrë në një vit të ri, me shumë dobi do të jetë gjithashtu përmendja dhe rivlerësimi panoramik i zhvillimeve të vitit 2011, të cilin sapo e kemi lënë pas; në këtë suazë, do të trajtojmë disa prej ngjarjeve më të spikatura, që influencuan tërë botën përgjatë vitit të kaluar.

Nëse na duhet ta përkufizojmë vitin 2011 në mënyrën më të saktë, atëherë do të ishte me vend sikur ta cilësonim si “shumë i gjatë”, apo “shumë i vështirë”. Po ashtu, në rast se 2011-n do ta përmblidhnim vetëm me 2 fjalë, atëherë nuk do të ishte aspak gabim po të përdornim termat “krizë” dhe “revoltë”. “Viti i Krizave dhe Revoltave”, ja pra kështu kaloi 2011-a. Kur i hedhim një shikim muajit të parë të vitit të kaluar, vërejmë se: Në Evropë Hungaria mori presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe Estonia u bë pjesë e Eurozonës; në hemisferën jugore, qyteti Aleksandri i Egjiptit u bë skenë e një sulmi vetëvrasës kundër një kishe, ku humbën jetën 21 persona dhe u plagosën 80 të tjerë. Ndërkohë që e gjithë bota po përjetonte tronditjen e këtij sulmi gjakatar, vetëm disa ditë pas ngjarjes në Aleksandri ndodhi “eklipsi i pjesshëm i diellit”, i cili jepte sinjalet e një procesi, që do të shtrihej në të 12 muajt e vitit dhe do të përshinte në vorbullën e tij të gjithë sistemin global, politikën dhe ekonominë.

Gjithnjë brenda muajit janar 2011, si rezultat i një reagimi të madh popullor, Kryetari i Shtetit të Tunizisë, Zejn El-Abidin Bin Ali, u detyrua t’i thoshte lamtumirë pushtetit të tij 23-vjeçar dhe të jepte dorëheqjen nga posti më i lartë shtetëror. Zejn El-Abidin Bin Ali, i cili u strehua në Arabinë Saudite, ishte me të vërtetë presidenti i parë, që u detyrua të braktisë kolltukun në vitin 2011, por ai nuk do të ishte kurrsesi i fundit. Gjatë ditëve të fundit të janarit 2011 në Aeroportin Ndërkombëtar Domodedovo të Moskës u organizua një sulm terrorist, si pasojë e të cilit gjetën vdekjen 37 vetë dhe u plagosën 180 të tjerë. Me të hyrë në muajin shkurt të vitit të kaluar, këtë herë radhën e dorëheqjes e kishte Kryetari i Shtetit të Egjiptit, Husni Mubarak. Ai nuk u bëri dot më ballë revoltave popullore, që vazhdonin prej 5-6 muajsh, dhe bëri të ditur se kompetencat e tij ia ka dorëzuar ushtrisë. Gjatë kësaj periudhe, ku “Pranvera Arabe” u zhvillua me shpejtësi të madhe, Sheshi “Tahrir”, i cili u bë simbol i protestave antiqeveritare, rrëzoi udhëheqjen e Husni Mubarakut dhe drejtimi i vendit i kaloi ushtrisë egjiptiane. Në muajin e dytë të 2011-s filloi të vihej re edhe ndikimi konkret i Pranverës Arabe mbi tregjet botërore të energjisë. Presioni i shoqërisë ndërkombëtare kundër Libisë nisi të shtohej gradualisht, kjo situatë shkaktoi dallgëzimin e çmimeve në tregjet botërore të energjisë dhe çmimet e naftës u rritën në nivelin 20%.

Muaji mars 2011 u bë skenë e një fatkeqësie të madhe natyrore në Lindjen e Largët: Zona Tohoku e Japonisë u trondit nga një tërmet me magnitudë 9,1 ballë sipas shkallës Rihter. Cunami me dallgë mbi 10 metër të larta, që u shkaktuan si pasojë e tërmetit, goditi Centralet Bërthamore Onagava, Tokai dhe Fukushima, duke dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme veçanërisht reaktorët numër 1 dhe 2 të këtij të fundit. Në këtë katastrofë humbën jetën 15.822 vetë, ndërsa 3.926 figurojnë ende të zhdukur. Ndërkaq, në ngjarjet që shpërthyen në Libi, të cilat u cilësuan si një zgjatim i Pranverës Arabe, që filloi në vendet e Afrikës Veriperëndimore, për t’u dhënë fund politikave represive dhe dhunës së tepruar, që regjimi i Muamer Kadafit po aplikonte ndaj popullatës civile të Libisë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe NATO-ja vendosën të ndërhyjnë ushtarakisht në këtë vend; kështu filloi bombardimi kundër forcave të Kadafit. Por ky operacion, që startoi duke pasur një objektivë të kufizuar, vazhdoi për një kohë shumë më të gjatë nga se pritej më parë.

Në të hyrë të prillit 2011, ndërsa Pranvera Arabe kishte kapluar Lindjen e Mesme, kriza e borxheve filloi ta vendosë Evropën me shpatulla pas murit, çdo ditë e më shumë. Si të mos mjaftonin këto, gjatë atyre ditëve tensioni u ngrit edhe në Afrikë. Faktikisht, një numër i madh vendesh afrikane, të cilat – për shkak të konkurrencës që ekziston mbi pasuritë e tyre të nëndheshme dhe mbitokësore – e kanë ende shumë të vështirë të ruajnë ekuilibrin mes Kinës, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, mbartin prej kohësh në gjirin e tyre probleme të mëdha: Presidenti i Bregut të Fildishtë, Lorent Gbagbo, u arrestua në shtëpinë e tij në kryeqytetin Abixhan. Mbështetja që Franca i dha Presidentit të ri, Alasane Kuatara, por edhe ndërhyrja e Parisit në kuadrin e traditës kolonialiste, që ky i fundit ndjekë ende sot e kësaj dite në këtë rajon, lufta civile, e cila realisht kishte filluar në 2010-n dhe vijoi deri në vitin 2011, formuan pikat kryesore të dramës njerëzore në këtë rajon.

Ndërsa në muajin maj 2011 zhvillimi më kryesor ishte vrasja e Usama Bin Ladenit nga forcat speciale të SHBA-ve në qytetin Abotabad të Pakistanit. Ky zhvillim ishte me shumë rëndësi nga shumë aspekte; sepse, mbi të gjitha, kjo ngjarje për SHBA-të nënkuptonte “hakmarrje” dhe “shlyerje hesapesh”. Zhvillimi në fjalë i dha një shtysë të re antiamerikanizmit në pjesën dërrmuese të opinionit publik të Pakistanit. Kurse në kontinentin e Evropës ngjarja më e rëndësishme gjatë majit 2011 ishte kapja – “më në fund në Serbi” – e ish-gjeneralit Ratko Mlladiç, kriminel i luftës së viteve 1990 në Bosnjë-Hercegovinë dhe një nga përgjegjësit kryesorë të spastrimit etnik në dëm të popullatës civile boshnjake në Srebrenicë.

Qershori 2011 rezervoi këto zhvillime: Kryetari i Shtetit të Jemenit, Ali Abdullah Saleh, u plagos gjatë një sulmi në Pallatin Presidencial dhe u largua nga vendi për të shkuar në Arabinë Saudite. Salehi ia dorëzojë të gjitha kompetencat ndihmësit të tij, Abdulrab Mansur El-Hadi. Qytetarët jemenas, edhe pse e pritën me gëzim të madh këtë ndryshim, duke qenë se pritshmëria e tyre nuk u realizua plotësisht, e vazhduan edhe më tej revoltën popullore. Pikërisht gjatë atyre ditëve tensioni u rrit jashtë mase edhe në Siri. Mijëra sirianë u arratisën nga regjimi totalitar i Presidentit Bashar Al-Asad dhe u strehuan në Turqi. Ndërsa vet Asadi vijoi t’i neglizhojë këshillat e shoqërisë ndërkombëtare, gjë kjo që i përshkallëzoi me shpejtësi trazirat në vend. Asadi jo vetëm që nuk u vuri vesh këshillave dhe paralajmërimeve të Turqisë e Ligës Arabe, por filloi të përdorë edhe armë të rënda kundër popullit të tij.

Një nga ngjarjet më të përgjakshme të 2011-s u përjetua gjatë muajit korrik në Norvegji. Një sulm me bombë u organizua pranë selisë së kryeministrisë në kryeqytetin Oslo, si pasojë humbën jetën 7 vetë dhe u plagosën 15 të tjerë. Vetëm disa orë më vonë, agresori norvegjez Anders Behring Breivik bastisi kampin rinor në një ishull shumë afër Oslos dhe masakroi 85 persona, ndërkaq 6 të tjerë figurojnë ende të zhdukur. Megjithëse menjëherë pas sulmit shtypi evropian hodhi pretendimin se ngjarja “mund të ishte një akt terrori i fundamentalistëve islamikë”, e vërteta doli në dritë brenda një kohe të shkurtër: Kjo ngjarje do të ishte prova më konkrete, që tregonte se krahu politik i djathtë në Evropë duhej të autokritikohej dhe të rehabilitohej urgjentisht. Në fillim të muajit korrik Polonia mori në dorë timonin e Bashkimit Evropian. Kurse në hemisferën jugore, pjesa jugore e Sudanit, bazuar tek rezultatet e referendumit të janarit, u nda nga Sudani dhe shpalli pavarësinë. Ndërkaq, sërish – “më në fund dhe në Serbi” – u kap dhe iu dorëzua gjykatës ndërkombëtare Goran Haxhiç, një tjetër kriminel i luftës së Bosnjë-Hercegovinës. Në vijim Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaroi se në jug të Somalisë ka filluar kriza më e rëndë e urisë në 30 vitet e fundit. Nga fundi i muajit korrik 2011 u përhap lajmi se ushtria siriane ka sulmuar disa herë me tanke qytetet, që mbështesin lëvizjen opozitare. Vetëm në qytetin Hama mbetën të vrarë të paktën 150 vetë.

Në muajin gusht 2011 u përmbys ish-koloneli Muamer Kadafi bashkë me diktaturën e tij 42-vjeçare dhe kontrolli i kryeqytetit Tripoli kaloi në dorën e kryengritësve. Kështu fitimtar i luftës civile në Libi u bë Këshilli Kombëtar i Transicionit (CNT). Ndërsa në shtator, pakënaqësia ndaj krizës ekonomike, që po përjetohej prej një kohe të gjatë në SHBA, u hapi rrugën disa lëvizjeve popullore. Mbi të gjitha spikati lëvizja “Pushto Uoll Stritin” (Occupy Wall Street-OWS), e cila fillimisht protestoi bursën e Nju-Jorkut, simbolin e sistemit financiar përgjegjës të krizës, duke ngritur çadra në Parkun “Zukoti” dhe pastaj tërhoqi interes dhe simpati në rang global. Kurse lajmi më i rëndësishëm i muajit tetor ishte vrasja në Sirte e liderit të përmbysur libian, Muamer Kadafi. Vetëm pak ditë më vonë OKB-ja bëri të ditur se popullsia e botës kapërceu kufirin e 7 miliardë banorëve. Në një sulm me bombë në kryeqytetin Mogadisho të Somalisë gjetën vdekjen 100 vetë. Fatkeqësia e përmbytjeve në Tajlandë përfshiu të gjithë vendin; jeta u paralizua në 58 prej gjithsej 77 qyteteve të Tajlandës dhe humbën jetën të paktën 283 persona. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm gjatë tetorit 2011 ishte edhe këmbimi i pengjeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Izraeli pranoi që në këmbim të ushtarit izraelit, Gilad Shalit, i cili mbahej i burgosur nga Hamasi, të lironte 1027 palestinezë dhe izraelitë arabë.

Sërish gjatë tetorit të kaluar në lindje të Turqisë ndodhi një tërmet me magnitudë 7,2 ballë sipas shkallës Rihter, si pasojë në qytetin Van dhe rrethinat e tij gjetën vdekjen mbi 500 vetë dhe u shembën 2.200 ndërtesa. Ndërkaq, Greqia, e cila ishte vendi që përjetoi më thellë dhe më me dhimbje krizën ekonomike përgjatë gjithë vitit, shkeli pragun e falimentimit dhe Bashkimi Evropian vendosi që të fshijë pjesën më të madhe të borxheve të këtij vendi, por edhe të shtojë mbështetjen financiare për Athinën. Kurse në muajin nëntor në Spanjë dhe Marok u mbajtën zgjedhje; kriza e borxheve ishte faktori më influencues në këto zgjedhje. Në vijim të këtij muaji Silvio Berluskoni në Itali dhe Jorgo Papandreu në Greqi u detyruan të japin dorëheqjen pas një presioni të lartë të BE-së. Muaji dhjetor filloi me zgjedhjet për Duman e Rusisë. Edhe pse këto zgjedhje – ashtu siç pritej – konfirmuan  mbështetjen e popullit rus për dyshen Medvedev-Putin, protestat e organizuara pas zgjedhjeve në qytetet më të mëdha të Rusisë, me në krye Moskën, sollën me vete shqetësime. Pak ditë më pas, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike deklaroi se dyshohet që Irani realizon prova sekrete për të prodhuar armë nukleare. Në vijim të kësaj deklarate Uashingtoni dhe Londra vendosën një sërë sanksionesh shtesë për Teheranin. Ndërsa kryeqyteti iranian u bë skenë e një sulmi kundër Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Duke hyrë në javën e fundit të dhjetorit 2011, Asambleja Kombëtare e Francës miratoi një projektligj, që injoron tërësisht “lirinë e mendimit dhe shprehjes”,  një nga vlerat më esenciale të demokracisë dhe një e drejtë themelore e njeriut. Sipas kësaj, në Francë u ndalua që qytetarët, përfshi këtu edhe rrethet akademike, mendimtarët, opinionistët dhe gazetarët, të mohojnë apo të vënë në dyshim pretendimet armene lidhur me ngjarjet e vitit 1915. Në rast të shkeljes së këtij vendimi, njerëzit në Francë do të dënohen me 1 vit heqje lirie dhe 45 mijë euro gjobë. Faktikisht, ky “ligj marsejez”, që parashikon të kënaqë votuesit armenë në Francë për zgjedhjet e 2012-s, u miratua më 22 dhjetor gjatë një seance, ku ishin të pranishëm vetëm 37 deputetë nga gjithsej 577 që ka Asambleja Kombëtare e Francës; veprim ky që, me plot kuptimin e fjalës, nuk është gjë tjetër veçse një sjellje prej klouni. Me anë të këtij ligji, që duhet të shqyrtohet e votohet edhe në Senatin e Francës, kriteret e Bashkimit Evropian dhe të drejtat universale të njeriut pësuan një goditje të rëndë. Ky ligj, që në prapaskenë ka si objektivë “ngjarjet e 1915-s”, të cilat prej vitesh paraqiten vazhdimisht në mënyrë të deformuar, u dha një grusht të fuqishëm edhe marrëdhënieve Turqi-Francë.

Advertisements

Etiketa:

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: