Lufta civile ne Shqiperi 1943-1944, sipas Abaz Ermenjit


Është rasti të themi dy fjalë mbi përbërjen e qëndresës shqiptare kundër pushtimit fashist dhe mbi ndarjen e saj.

Kemi parë sesi, i shtypur prej regjimit të Zogut, populli shqiptar jepte përshtypjen e një trupi të mpitë që s’ishte për asgjë. Mirëpo, kur mori vesh se ushtëritë italiane po e sulmonin Shqipërinë, u çua në këmbë me një forcë të re, porsi t’ishte një popull tjetër. S’kërkoi veçse armë. Por ata q’e kishin udhëhequr (ose shtypur) gjer n’atë ditë, e gënjyen, e tallën dhe e lanë në baltë. Të tjerë politikanë, që ishin mbajtur gjer atëhere si burra më të mirë, u kthyen me këmishën e zezë dhe kërkonin t’i mbushnin mendjen gjithkujt se pushtimi i huaj ishte “çlirim”. Natyrisht, ky lloj shpjegimi s’ia mbushte dot mendjen as popullit as djalërisë, por iu dha të kuptonin një tjetër gjë: se klasa e politikanëvet të vjetër, besnikë apo kundërshtarë t’ish-mbretit Zog kishte mbaruar përgjithmonë.

Kjo e vërtetë e hidhur mund të kishte rreziqet e saja, ashtu siç i pati. Por faji nuk ishte aq fort i djalërisë, e cila ndiqte evolucionin e kohëvet, se sa i atyre që e kishin ulur nacionalizmin shqiptar në radhën e një tregëtie flamujsh. Në vendin tonë s’kishte pasur rrahje të lirë mendimesh, dhe idetë e jashtëme kishin qënë marrë prej të rinjvet në një mënyrë të rrëmujëshme, pa kritikë, pa komentim. Prandaj nga kontrasti ndërmjet mbeturivet mesjetare që lidhëshin tashti edhe me pushtimin e huaj, nga njëra anë, dhe aspiratavet të brezit të ri, nga ana tjetër, mund të ndodhnin gjëra të papritura. Fryma që mbushte brezin e ri ishte më fort dalldisje ndjenjash, që duhej bërë diçka e re, se sa punë mendimesh, çfarë dhe qysh. Gjëja
që të rinjtë urrenin përgjithësisht, ishte këthimi në regjimet e së kaluarës.
Gjer atëhere s’kishte pasur në Shqipëri ndonjë lëvizje komuniste përveç disa grupthesh të fshehtë e të shpërndarë, që shpeshëherë vepronin në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe që askush s’iu kishte dhënë rëndësi, as gjindarmëria e Zogut. Që nga viti 1925 e tëhu, disa antarë të vjetër të Shoqërisë Bashkimi, si Halim Xhelua, Ali Kelmendi e të tjerë, kishin pasur lidhje me Federatën Komuniste Ballkanike dhe qenë munduar të përhapnin idetë e saja ndër punëtorë dhe studentë shqiptarë. Disa prej të rinjvet që studionin n’Evropë, si në Francë, n’Itali e gjetkë, këthehëshin me ide komuniste. Por duke pasur Shqipëria një strukturë shoqërore të përbërë në shumicë të madhe prej fshatarësh, pa një klasë punëtorësh në kuptimin industrior të fjalës përveç ca pak zejtarëve, lëvizja komuniste nuk gjente dot një bazë të përshtatshme. Kështu që ato ide, në një mënyrë të paqartë, klloçitnin vetëm në disa grupthe të rinjsh.

Ngritja kundër pushtimit të huaj qe shtytur nga një frymë kombëtare dhe djalëria e tërë u hodh nëpër demostrata e mbushur me atë frymë. Ata që i prinin, ishin arësimtarë të rinj shumica, ose edhe atdhetarë të vjetër, të ndritur prej idesë së lirisë kombëtare dhe të përparimit, por jo komunistë. Ishte zjarri i shënjtë i kombësisë ai që ndezi zemrat në Ditët e Prillit. Kurse komunistëvet s’iu interesonte se ç’bëhej ndërmjet “borgjezivet” italiane dhe shqiptare. Ca muaj më vonë, kur u lidh pakti gjermano-sovietik njëkohësisht me plasjen e Luftës së Dytë botërore, komunistët shqiptarë zunë të mendonin (dhe e thoshin haptas) se ishin më t’afërt me regjimet fashist e nazi, të cilët qëndronin mbi fuqinë e organizuar të masavet, se sa me “plutokracitë” e Perëndimit që pështetëshin vetëm në forcën e kapitalit. Prej organizimit shtetëror fashist në kolektivizmin komunist s’ka veçse një çap për t’u bërë, thoshin kuqalashët atëhere. Prandaj ata që u arrestuan prej policisë fashiste në kohët e para ishin pothuajse që të gjithë nacionalistë e demokratë. Komunistët nuk lëvizën përsa kohë që Rusia qëndronte jashtë Luftës.

Një gjë që s’e kanë kuptuar akoma Shqiptarët është se ndjenja nacionaliste dhe komunizmi janë dy veprime të kundërta që s’mund të pajtohen kurrë me njëra-tjetrën. Nacionalizmi është dashuria për kombin, për bashkimin dhe lartësimin e tij. Kurse komunizmi është një internacionalizëm, i bazuar në të ashtuquajturin bashkim të t’ashtuquajturit proletariat botëror. Këto dy veprime të kundërta nuk mund të pajtohen në një ide të vetme, as në një luftë të përbashkët. Nacionalistët luftonin për të mbrojtur kombin e tyre, kurse komunistët luftonin për të bërë revolucionin komunist në tërë egërsinë e tij. Për të gënjyer popullin, komunistët bënin gjoja sikur luftonin kundër pushtimit të huaj, por e vetmja gjë që iu interesonte ishte revolucioni komunist, të cilin e zbatonin me mënyrat më të tmerrëshme dhe më mizore. Deri sa të mos ketë kuptuar këtë ndryshim në mes të Ballistëve dhe të komunistëve, populli shqiptar nuk do të kuptojë asgjë nga historia e tij e këtyre 50 vjetëve të fundit.
Kur dy agjentë jugosllavë erdhën në Shqipëri për të krijuar partinë komuniste, në vjeshtën e vitit 1941, disa nga udhëheqësit e lëvizjes kombëtare kishin vuajtur dy vjet burgim ose internim nëpër ishujt e Italisë. Në këtë kohë qëndresa kundër pushtimit fashist ishte përgjithsuar, dhe gjatë luftës italo-greke desh u kthye në kryengritje. Më çdo kënd të Shqipërisë ishte çfaqur shpirti kombëtar me demostrata, hedhje traktesh e vepërime të tjera. Kjo lëvizje kombëtare u lidh në një organizatë të përgjithshme që u quajt Balli Kombëtar. Duke dashur të pajtonte traditën e vjetër për një Shqipëri Ethnike dhe krejt të pavarur me nevojat
e riorganizimit ekonomik e shoqëror të kohës sonë, Balli Kombëtar i shpalli popullit një program të shprehur në dhjetë nyja (e prandaj u quajt Dekalog ), ku parashikohej lufta për çlirimin e Shqipërisë dhe riorganizimi i jetës ekonomike e shoqërore të vendit mbi një bazë krejt demokratike. Çështja e regjimit politik, pas çlirimit të vendit, do të zgidhej natyrisht me votën e lirë të popullit.

Komunistët shqiptarë u vunë në lëvizje vetëm kur atdheu i tyre, domethënë Rusia sovietike, u sulmua prej Hitler-it në Qërshor 1941. Po edhe atëhere nuk dinin se ç’të bënin as qysh të vepronin. Ishin të thërrmuar në grupthe të vegjël, prej të cilëvet asnjëri s’ia lëshonte rrugën tjetrit. M’i rëndësishmi duket se ishte grupi i Korçës, ku bënin pjesë Enver Hoxha dhe Koçi Xoxja.
Hyrja e Rusisë në Luftë e vuri në lëvizje motorrin e komunizmit ndërkombëtar, dhe dy emisarë jugosllavë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, që të dy antarë të komitetit krahinor të partisë komuniste jugosllave për Kosovën, u dërguan në Shqipëri prej shtabit të Titos për të formuar dhe kumanduar partinë komuniste shqiptare. Mbasi Shqiptarët përgjithsisht i binden më shumë të huajit se sa njëri-tjetrit, dy emisarët jugosllavë e kryen plotësisht misionin e tyre duke i bashkuar grupthet e ndryshëm komunistë në një parti të vetëme, më 8 Nëntor 1941. Ata vetë (Miladini me Dushanin) zgjodhën edhe antarët e komitetit qendror me Enver Hoxhën si sekretar të përgjithshëm. Kuptohet vetvetiu se partia komuniste shqiptare ishte si një degë e partisë komuniste jugosllave, dhe të dërguarët e Titos, Miladin Popoviçi si organizator politik dhe Dushan Mugosha si organizator ushtarak, mbetën drejtonjësit dhe kumandarët e vërtetë të partisë komuniste shqiptare deri pas Luftës. Më vonë arritën edhe të tjerë emisarë jugosllavë, si Vukmanoviç Tempo-ja me shokë.
Se në ç’gjendje ishin komunistët shqiptarë përpara ardhjes s’emisarëvet jugosllavë, e tregon raporti i Miladin Popoviçit drejtuar komitetit qendror të partisë komuniste jugosllave, më 21 Maj 1942: “Kemi gjetur një kaos të vërtetë. Ndodhëshin grupe dhe grupthe (gjithësejt tetë, ndër të cilët dy trotskistë). Seicili prej tyre tërhiqte nga ana e tij. Shpeshëherë bënin edhe “bashkime” ose “marrëveshje” për të paditur tek neve njëri-tjetrin”.
Raportet e emisarëvet jugosllavë vërtetojnë gjithashtu se, ç’prej pushtimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste (7 Prill 1939) gjer në Nëntorin e vitit 1941, komunistët shqiptarë kishin ndëjtur si të mpitë duke u kacafytur midis tyre dhe s’kishin lozur asnjë rol në lëvizjet e brendëshme të popullit shqiptar gjatë asaj periudhe. (Shih, “Gjaku i Trathëtuar”, libër i bardhë i ministrisë së Punëve të Jashtëme jugosllave, botuar më 1949).
Mirëpo t’organizuar dhe të shtytur prej emisarëvet jugosllavë, u hodhën në një veprimtari t’ethëshme, sidomos nëpër qytetet, duke rekrutuar dhe “formuar” antarë partie, veçanërisht nëpër të rinjtë e papjekur e në njerëz gjysmakë, studentë që s’kishin kaluar kurrë provimet, nxënës shkolle, shegerta, zejtarë, punëtorë, vajza të pamartuara ose nga ato q’ëndërronin të bëhëshin
heroina romanxi. Këta elemente i fanatizuan me anën e “literaturës” komuniste dhe të konferencavet të tyre, duke përfituar sidomos nga psikoza e nxehtë e Luftës. Me këtë armaturë kuadrash u hodhën pastaj në luftë të hapët për të marrë fuqinë.
Ndonëse qëllimi i tyre ishte pregatitja e revolucionit komunist për marrjen e fuqisë, në dukje paraqitëshin sikur bënin gjoja luftën e çlirimit kombëtar kundër të huajit. Dhe Rusinë sovietike e paraqitnin si flamurtaren e luftës kundër fashizmit për çlirimin e popujvet. Iu premtonin njëkohësisht fshatarëvet reformën agrare, dhe gjithkujt liri e begati sa t’i donte zemra, shkurt, do të krijonin një parajsë që populli se kishte parë as n’ëndërr. Por mbasi emri komunist tingëllonte keq në Shqipëri, megjith premtimin e parajsës, dhe nën atë emër nuk mund të tërhiqnin dot masat e gjera e ndonjë pjesë intelektualësh “progresistë”, menduan djallëzisht të loznin komedinë e krijimit të një t’ashtuquajturi “Front Nacional-Çlirimtar”, ashtu siç kishin bërë partitë e tjera komuniste tek popujt e Evropës lindore. Për këtë qëllim organizuan një mbledhje në Pezë, më 16 Shtator 1942, ku kishin thirrur edhe disa nacionalistë si jallan-shahitë. Ndonëse ca prej këtyre e kuptuan dredhinë dhe nuk e nënshkruan rezolutën e Pezës, komunistët e quajtën sikur lidhja u bë, dhe luftën e tyre e vazhduan nën maskën e “Frontit NacionalÇlirimtar” që i fshihte partisë komuniste turirin e ariut. Kjo maskë vazhdon edhe sot me t’ashtuquajturin “Front Demokratik” të komunistëvet në “zgjedhjet legjislative”. Megjithëqë manevra e krijimit të “Frontit Nacional-Çlirimtar” duket e thjeshtë si një lodër fëmijësh, gënjeu goxha intelektualë me diploma universitetesh, avoketër, doktorë e profesorë, të cilët e paguan pastaj gabimin me jetën e tyre. Por m’e keqja ish se gënjeu shumë njerëz të thjeshtë, të cilët besuan se komunistët luftonin me të vërtet për atë program që i shpallnin popullit. Edhe këta e paguan shtrenjtë gabimin ose janë duke e paguar. Po n’atë mënyrë u gënjyen edhe si antarë partie një pjesë e të rinjvet, që s’mund t’a kuptonin sesi do t’ishte komunizmi në praktikë. U gënjyen të pakënaqurit, ata që patën vuajtur shumë nën regjimet e mëparshm dhe që shkonin me mirëbesim se komunizmi do t’iu përmirësonte jetesën. Por i tërë ai element i tërhequr në këtë mënyrë dhe që kishte një farë ndienje njerëzore u kosit më vonë.

Ata që sundojnë më në fund dhe mbeten zotër të situatës në një parti komuniste janë nga gjakpirësit më mizorë, nga kriminelët më shtazarakë, ambiciozët që kanë dështuar në çdo punë tjetër dhe që kujtojnë se të gjitha fajet ua kishte sistemi shoqëror ose njerëzia mbarë. Partia komuniste shqiptare zhduku jo vetëm ata që u shoqëruan me të në t’ashtuquajturën “Lëvizje NacionalÇlirimtare”, po edhe të gjithë komunistët e orës së parë, antarët e vjetër të Komitetit Qendror, kumandarët e çetavet, t’ushtërisë, përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, e ndonjë të rralli si Hysni Kapua e Haxhi Lleshi. Gati të gjithë ata që drejtojnë
aparatin dhe shtetin komunist të sotshëm janë njerëz të krijuar pastaj. Kështu, kur këndon njeriu sot historinë e luftës së komunistëvet të shkruar prej historianëve të regjimit, ka përshtypjen e një vepërimi anonim, se përveç emravet t’Enver Hoxhës
dhe të Mehmet Shehut rrallëhere përmendet ndonjë tjetër. Disa që kanë lozur një rol të dorës së parë në marrjen e fuqisë prej komunistëvet, nuk përmenden gjëkundi. Kur flitet për formimin e Partisë dhe të të parit Komitet Qendror të saj, ngjarje që duhet të ketë një rëndësi kryesore për historinë e lëvizjes komuniste shqiptare, e tërë përbërja e Komitetit përmblidhet në një fjali: “Në këtë mbledhje u zgjodh Komiteti Qendror i përkohshëm me Enver Hoxhën në krye”. Jo vetëm që nuk zihen kurrë me gojë emrat e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, të cilët ishin ata që e zgjodhën Komitetin Qendror, që e formuan dhe e kumanduan Partinë komuniste shqiptare, por nuk përmendet asnjë tjetër prej antarëvet t’atij komiteti, sepse që të gjithë u qëruan me pastaj. Mehmet Shehu nuk ishte në Shqipëri n’atë kohë e prandaj nuk përmendet as ky. Po ashtu kur flitet për mbledhjen e Pezës prej së cilës dolli i ashtuquajturi “Front Nacional-Çlirimtar”, nga ana komuniste përmenden vetëm Enver Hoxha dhe Nako Spiru. A ka provë më të qartë nga kjo për të vërtetuar se me çfarë mjetesh dhe mënyrash mbahet në këmbë ajo parti?

Balli Kombëtar, në fillim, nuk i dha shumë rëndësi lëvizjes komuniste, duke e menduar si një punë rrugaçësh që nuk do të gjenin dot pështetje nëpër fshatra. Kur e kuptoi gabimin, ishte tepër vonë. Nga ana tjetër, edhe komunistët patën kujdes në fillim t’a vinin në gjumë Ballin Kombëtar duke folur mirë për disa nga krerët e tij, që kështu të mos gjenin kundërshtim nëpër krahina. Balli Kombëtar i la të lirë deri sa ata lëshuan rrënjët e tyre si një ferrë e keqe.
Sipas historisë së shkruar prej komunistëvet, Balli Kombëtar u formua nga fundi i vitit 1942, “me nxitjen e pushtuësve italianë”, për të kundërshtuar bashkimin e forcavet atdhetare antifashiste që u bë në mbledhjen e Pezës nën udhëheqjen e
Partisë komuniste. Sikur t’ishte e vërtetë kjo, Balli Kombëtar do t’a kishte shtypur fare lehtë n’atë kohë Partinë komuniste, e cila porsa kish nisur të shtrihej jashtë qytetevet. Por historia e shkruar prej komunistëvet është, si gjithë të tjerat, një
gënjeshtër e pregatitur në zyrat e propagandës. Nuk ka rëndësi se në çfarë date Balli Kombëtar u çfaq me këtë emër. Puna është se ai përbëhej prej atdhetarësh që e kishin kundërshtuar pushtimin fashist që më 1939, që kishin dyndur demostratat, dhe që disa prej tyre kishin hequr dy vjet burgim ose internim nëpër ishujt e Italisë. E ç’kishin bërë komunistët gjatë asaj kohe? Asgjë deri në vjeshtën e vitit 1941, siç e vërtetojnë raportet e emisarëve jugosllavë; por asgjë siç e vërtetuan edhe ata vetë kur e kritikuan qëndrimin e tyre në rezolutën e së parës mbledhje të përgjithshme të Partisë, mbajtur në Labinot t’Elbasanit, në Mars 1943. (Shih, “Gjaku i Trathëtuar” , ed. italisht, f. 4). Pastaj, sikur Balli Kombëtar të kishte qënë një organizatë “e nxitur prej pushtuësve italianë”, si pranoi Partia komuniste të bënte lidhje me atë në mbledhjen e Mukajt, në Gusht 1943?
Gjëja që duhet hedhur kategorikisht poshtë në lidhje me ngjarjet e asaj-kohe është theoria komuniste e luftës së klasëvet, e cila s’u vërtetua gjëkundi në Shqipëri, as në përbërjen e asaj partie as në shkaqet e luftës vëllavrasëse. Sepse ndarja midis atyre që muarën anën e Partisë komuniste dhe të tjerëvet që u lidhën me Ballin Kombëtar nuk u pështet n’asnjë kriter klasësh në kuptimin ekonomik të fjalës. Sepse nuk mund të thuhet që malësorët e veriut, të cilët nuk lëvizën fare, ishin më të pasur nga ata të jugës; ose, në jugë, Orthodoksit, që u bënë përgjithësisht komunistë, ishin më të vobektë nga Myslimanët. Korça, që u
tregua qyteti më komunist i Shqipërisë, ishte njëkohësisht edhe m’i pasuri. Është e vërtetë që komunistët tërhoqën n’anë të tyre, duke e magjepsur me ëndërra, një pjesë t’asaj kategorie shoqërore që s’kishte pasur bukë të hante; por pjesa m’e madhe e saj, sidomos fshatarësia, u rreshtua në Ballin Kombëtar. Pati në këtë organizatë mjaft djem të popullit, kurse djem e vajza të bejlerëve e të tregëtarëve të mëdhenj, të cilëvet s’iu mungonte asgjë, u bënë komunistë.

 

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: