ARMIKU BRENDA SHTETIT


Bledar Komini

Prej disa muajsh në SHBA po debatohet mbi një iniciativë ligjore të ndërmarrë prej Presidentit Obama, që njihet ndryshe si NDAA (National Defense Authorization Act) dhe që ky i fundit në dhjetor të vitit të kaluar e firmosi për ta shndërruar në ligj. NDAA njihet ndryshe edhe si “Pakoja vendore e fushëbetejës” dhe ka të bëje me aktivitetin terrorist, të njohur si “lufta mbi terrorin”, si jashtë Amerikës ashtu dhe brenda saj.
Edhe pse përgjithësisht demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk njihen si dashamirës të luftës ose si mbështetës të mëdhenj të dhunës, që me ardhjen e Obamës në krye të Shtëpisë së Bardhë, kjo tendencë ka ndryshuar. Kështu duke u bazuar mbi faktet konkrete, panorama na del tërësisht e ndryshme; në dhjetor të vitit të shkuar Obama firmosi NDAA, përkrahu ndërhyrjen në Libi pa miratimin e Kongresit, mbështeti ndërhyrjen në Somali dhe rritjen e prezencës në Jemen, pranoi rritjen e aktivitetit të CIA në Pakistan, edhe pse trupat amerikane u tërhoqën nga Iraku, ai është mbështetës i idesë së një prezence më të “moderuar” ushtarake në rajon dhe Irak. SHBA i kanë shitur mbi 30 miliard dollarë armatime Mbretërisë së Arabisë Saudite, kanë firmosur një marrëveshje për ngritjen e 7 bazave ushtarake në Kolumbi, vazhdojnë të jenë mbështetës të energjisë bërthamore, edhe pas problemeve të fundit në Fukushima të Japonisë (ndërsa në Seul para pak ditësh u shprehën për kufizimin dhe reduktimin e armëve bërthamore), kthyen zgjerimin e Aktiti Patriotik – Patriot Act – në ligj, dhe së fundi ende nuk janë prononcuar mbi një ndërhyrje të mundshme në Siri, teksa regjimi i Bashar al-Asadit vazhdon të kryej masakra.
Politika e jashtme e Obamës jo vetëm është kritikuar nga analistë të ndryshëm, por ajo është parë edhe si një indikator që ndryshe nga çfarë premtoi kur erdhi, nuk ka ndryshuar asgjë nga politika e vjetër e familjes Bush. Kështu p.sh, nëse do të analizojmë rastin e Afganistanit, numri i ushtarëve amerikanë që kanë humbur jetën gjatë presidencës së Obamës është më i madh se ai gjatë kohës së Bushit. Po ashtu polemikat mbi aktet e papranueshme dhe fyese të ushtarëve amerikanë ndaj popullsisë vendase në Irak e Afganistan kanë vazhduar me të njëjtin ritëm njësojë si gjatë administratës së Bushit (rasti i përdhosjes së trupave të vdekur duke i urinuar sipër ushtarët amerikanë).
Është e qartë se në rajone të tilla SHBA ndjekin politika afatgjata të “pavarura” prej politikanëve e presidentëve që drejtojnë Shtëpinë e Bardhë. Po kaq i qartë është edhe fakti se SHBA ende nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për të ulur në një tryezë bashkëpunuese liderët e Izraelit dhe Palestinës në rajonin e Lindjes së Mesme. Prej këndej mund të themi se Obama gjatë presidencës së tij, më shumë punoi për të ruajtur gjendjen ekzistuese sesa ta ndryshonte atë. Po ashtu mund të them se politika e brendshme amerikane dhe kriza ekonomike ishin faktorët vendimtarë, në ruajtjen e një politike lineare post-Bush nga demokratët, se sa një plan i ri e afatshkurtër për të bërë diçka mbi rajonin e Lindjes së Mesme.
Noam Chomski një analist i regjur me kritikat ndaj Bushit e më pas ndaj Obamës, nuk sheh asnjë ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme. Mbyllja e Guantanamos dhe largimi i trupave nga Iraku, sipas tij ishin një nevojë e domosdoshme. E para, sepse u diskreditua shumë dhe u komprometua në lidhje me atë se çfarë bëhej brenda saj, ndërsa e dyta, sepse plani i ri i Obamës për ndryshimin rrënjësor të Sigurimeve Shëndetësore në SHBA, kërkonte fonde të mëdha. Tërheqja e trupave amerikane do t’i krijonte mundësi ekonomike administratës Obama të fokusohej edhe më shumë në politikat e brendshme në një situatë krize globale. Por asnjëra nga të dyja nuk erdhi si shkak i një politike të re, apo i një vizioni të ri në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Shumë amerikanë apo edhe evropianë, si dhe shumë qytetarë të tjerë në vendet arabe, prisnin që pas ekzekutimit të Bin Ladenit, lufta ndaj terrorizmit të merrte një kthesë tjetër, por asnjëra nuk ndodhi.
Njëherazi Noam Chomski së bashku me gazetarin Chris Hedes (ish gazetar i New York Times) pak kohë më parë hapën një proces gjyqësor ndaj Presidentit amerikan dhe sekretarit të Mbrojtjes Leon Panetta, pikërisht për shkeljen e të drejtave të njeriut, të cilat po kanoseshin nga firmosja e Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA). Si rezultat i këtij Akti, lufta ndaj terrorizmit është kthyer në një “luftë brenda shtëpisë”, duke e kërkuar “armikun” brenda vendit dhe jo jashtë tij. Po sipas Aktit, çdo amerikan mund të arrestohet pa akuza apo gjykim, “kudo, në çdo kohë, përgjithmonë”. Sipas Chomskit (siç shkruan ai në librin “Imeprial Ambitions”), precedenti i shkeljes së të drejtave amerikane ka nisur që me Bushin, ndërkohë ajo për të cilën populli amerikan është dëshmitarë në ditët e sotme, nuk është gjë tjetër vetëm se një “Diktaturë ushtarake”, ndryshe nga ajo e një “Diktature policore” në kohën e Bushit; dhe e gjithë kjo nisi me Patriotic Act (Aktin Patriotik) të vitit 2001. Analistë të tjerë e kanë parë këtë gjë njësoj si aktet e nxjerra nga Hitleri pas djegies së Rajshtagut më 27 shkurt të 1933. Menjëherë pas stisjes dhe realizimit të planit, Hitleri nëpërmjet një “akti të tillë patriotik”, filloi përndjekjen e armiqve të brendshëm komunistë, dhe jo vetëm komunistë.
Sot nuk ka vend të flasim për një tirani presidenciale në SHBA, apo për një diktaturë të ushtrisë, të gjitha këto që u thanë më sipër janë tendenca, prej të cilave duhet të ruhemi dhe në të njëjtën kohë të ruajmë edhe demokracinë. Këto tendenca shfaqen pikërisht atëherë kur erozioni brenda shtetit ka bërë punën e tij. Dhe në këtë moment do të vlente shprehja: Kur ligji, shkatërron shtetin ligjor!
Edhe pse nuk ka vend për paralelizma, fakti që një grup gazetarësh e analistësh janë mbledhur dhe i kanë dalë kundra këtij ligji (NDAA) tregon se pavarësisht tendencave të krijuara edhe prej rrethanave, demokracia në Amerikë është shumë herë më funksionale se në shumë vende të tjera të botës.

Etiketa:

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: