4 VJET MË PAS – DOKTRINA E PAQARTË E OBAMËS


Bledar KOMINI

Në fakt, ky është i disati shkrim që unë bëj duke iu referuar politikës amerikane dhe sidomos asaj të jashtme. Kuptohet që politika e jashtme ameriakane nuk është vetëm e saj, por ajo është një politikë e jashtme globale. Për këtë arsye, ndonjëherë paqartësia e kësaj politike ndikon drejtpërdrejt edhe në politikat e brendshme dhe të jashtme të faktorëve të tjerë botërore si dhe shteteve të fuqishme në arenën ndërkombëtare. Më kujtohet të kem lexuar diku, se Taleirani thoshte me të qeshur se, ajo që ndodh në Versajë do të ndikoj në të dy skajet e botës. Kjo është e vërtetë për faktin se shtetet e fuqishme, kanë aftësinë dhe mundësinë që të ndikojnë në ngjarjet dhe zhvillimet e ndryshme politike, sociale dhe ekonomike kudo.

Vartësia ndaj politikës së shteteve më të fuqishme, i bën shtetet e tjera, të ndjejnë ndikimin e lavjersit politik të të parit si çekan mbi kokën e tyre. Për këtë arsye teksa shkruaj për politikwn amerikane, i referohem këtij lavjersi që lëkundet, duke i nxitur shtetet poshtë tij të orientojnë politikat e tyre andej nga shkon dhe lëkundja. Për dekada me radhë politika e jashtme amerikane ka qenë shumë e qartë, në mos, ajo është orientuar nga interesa të përcaktuara prej kohësh dhe prej specialistësh në politikën e jashtme. Kur Obama erdhi në krye të SHBA, ai premtoi dy gjëra të rëndësishme në politikën e jashtme, së pari ai premtoi tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe së dyti premtoi kapjen e Osama Bin Ladenit. Të dy këto objektiva u arritën dhe sigurisht vrasja e Bin Ladenit, udhëheqësit të Al-Kaedas ishte një arritje e madhe për paqen botërore. Por a mund të themi se politika e jashtme amerikane  ishte vetëm kaq?

Para së gjithash, politika amerikane është produkt i zhvillimeve ekonomike brenda vendit si dhe asaj jashtë tij, lidhur ngushtë me tregjet që shtrihen nga njëra hemisferë e globit në tjetrën. Megjithatë, që kur ka filluar kriza ekonomike në vitin 2008 dhe deri më sot biznesmenët dhe ekonomistët amerikanë e kanë të vështirë të kuptojnë politikën fiskale të presidentit Obama. Sektori privat është ai që e vuan më shumë këtë paqartësi, në të njëjtën kohë ende nuk janë parë efektet dhe nuk mund të themi se kemi një matshmëri të tyre mbi atë se çfarë ndikimi do të ketë Ligji për Sigurimet Shëndetësore mbi ekonominë amerikane. Ky ankth thonë ekonomistët dhe kjo paqartësi ka shkaktuar një ngrirje ekonomike në të gjithë vendin.

Më gjerësisht, duke kaluar në planin e politikës jashtë SHBA, Obama në fillim deklaroi një rritje të trupave amerikane në Afganistan dhe më pas një tërheqje të tyre. Po ashtu një qendrim i ashpër përvijues është mbajtur ndaj Iranit dhe frikës për krijimin e ndonjë arme bërthamore nga ai. Ndërkohë që fqinji tjetër në Lindjen e Mesme, Izraeli jo vetëm që zotëron një armë të tillë, por dhe kërcënon se do ta përdorë atë në rast të ndonjë agresioni iranian ndaj këtij të fundit. Të gjendur përball kësaj situate SHBA kanë preferuar të mbështesin aleatin tradicional izraelit dhe të ruajnë Status Quon në rajon. Po kush siguron që shtete të tilla si Pakistani, India e Izraeli, me probleme të brendshme si dhe politika të paqendueshme, nuk do të përdorin ndonjë ditë armët e shkatërrimit në masë, të cilat i zotërojnë prej vitesh? Këshilli i Sigurimit i OKB ka treguar se në raste të tilla, dy nga pesë anëtarët ose kanë abstenuar ose kanë votuar kundër, sa herë që SHBA kanë dashur të ndërmarrin ndonjë inisiativë brenda këtij institucioni, për të ndëshkuar prirjet egoiste të këtyre shteteve problematikë. Kjo e bën situatën edhe më të paqendrueshme dhe në këtë aspekt mund të themi se kontributi i Obamës ishte i pandjeshëm ose inekzistent.

Marrëdhëniet me dy prej fuqive më të mëdha të Azisë, Kinën dhe Rusinë këto vite kanë qenë të qendrueshme. Ato me disa luhatje kanë qenë të qeta dhe në disa raste të tjera të frytshme. Pikvështrimi i Obamës ndaj këtyre fuqive politike dhe ekonomike ka qenë i qartë; mbështetje e Kinës dhe ruajtje e marrëdhënieve të mira me Rusinë. Kur flasim për mbështetjen ndaj Kinës, i referohemi gjithnjë aspekteve të tregut të lirë dhe rolit frenues që Kina ka ndaj Indisë e Rusisë, si një fuqi balancuese në këtë rajon. Por SHBA ndjehen të pafuqishme kur bëhet fjalë për ndikimin që ka Kina në borxhin publik amerikan, aq më tepër kur ditët e fundit Kina deklaroi se do ta zgjeronte blerjen e borxhit edhe më tej.

Një vit më parë Obama mbështeti lëvizjet demokratike në Afrikën Veriore. Në fjalimin e tij të mbajtur në Kajro ai deklaroi se SHBA do të mbështesnin gjithnjë frymën e lirë të popujve kundër tiranive dhe diktatorëve, por në anën tjetër presidenti Obama nuk po bën asgjë për ndalimin e dhunës qeveritare ndaj civilëve në Siri. E ndërkohë që SHBA mbeten spektatorë të kësaj masakre civile, Asadi e zhvendosi luftën e tij nga hapësira fizike në atë virtuale. Prej muajsh hakersat e qeverisë kanë bllokuar të gjitha faqet kryesore në internet, si facebook, blogspot, dhe youtube për të penguar komunikimin me jashtë dhe për të mbajtur në heshtje atë se çfarë po ndodh në realitet. Gjithashtu ata kanë “klonuar” një çertifikatë të rrjetit facebook, në mënyrë që të vjedhin të dhëna nga forcat opozitare të cilat shpeshherë e kanë parë këtë media sociale si një alternativë komunikimi. Gjithashtu prej muajsh regjimi i Asadit ka ndërprerë edhe komunikimin telefonik mobil me synimin e vetëm, pengimin e informacionit.

SHBA kanë luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe frenimit të shteteve problematike për të pasur armë të shkatërrimit në masë. Ajo që është më problematikja sot, nuk ka të bëjë më me armët e shkatërrimit në masë, por me luftën kibernetike. Edhe pse OKB në fillim të këtij viti hodhi idenë e një policie kibernetike të udhëhequr prej saj, planet për të kaluar në praktikë mbetën të parealizuara. Sulmet kibernetike ndaj Iranit dhe ato që qeveria e Asadit po bën ndaj popullsisë siriane, duke shkëputur çdo lloj lidhjeje me botën jashtë, janë një tregues se lufta kibernetike do të kthehet në vitet e ardhshme në mjet që mund të përdoret edhe prej terroristëve për të goditur objektiva strategjike. Obama në fillim nuk pranoi të reagonte ndaj kësaj risie, e cila për hir të së vërtetës është diçka e njohur prej vitesh. Disa ditë më parë ai u prononcua se “përdorimi malinj i teknologjisë” ishte dicka e patolerueshme, dhe se duheshin ndërmarrë sanksione ndaj vendeve që e shfrytëzonin këtë gjë në kurriz të qytetarëve të tyre apo atyre të ndonjë shteti tjetër. Të vetmen gjë që ai nuk tha, ishte se si do arrinin SHBA ta ndalonin këtë gjë?! Cilët do të ishin instrumentet apo institucionet parandaluese ose kontrolluese? Dhe në çfarë mënyre do të ndërmerreshin sanksionet.

Një tjetër problem që është shfaqur në politikën e jashtme amerikane, ka qenë dhe ai se si duhet të sillet Uashngtonit me qeveritë e reja arabe të dala prej revolucioneve të para një viti. Pjesa më e madhe këtyre qeverive përfaqësohen nga parti islamike, të cilat kanë ardhur në këtë fazë nëpërmjet votës së lirë. A do ta pranojnë SHBA këtë situatë dhe a do të pranojnë të krijojnë marrëdhënie me këto qeveri, të cilat edhe pse jo anti-amerikane, janë kundër politikës që SHBA ndjekin në Lindjen e Mesme në lidhje me çështjen e Palestinës. Kjo pyetje merr rëndësi çdo ditë që kalon dhe sigurisht ajo ka qendruar përballë presidentit Obama që kur ai vendosi të përkrahte revolucionet në Afrikën Veriore. Ajo bëhet edhe më e prekshme nëse do ta përkufizonim në këtë mënyrë: A do të pranojnë SHBA demokracinë dhe lirinë në këto vende (edhe pse me ngjyra islamike) apo do të vazhdojnë të mbështesin aleatin e tyre tradicional në rajon, Izraelin? Mesa duket kësaj pyetje do t’i jap përgjigje presidenti i ardhshëm i SHBA, pasi ai do të ketë tagrin dhe kohën për të gjetur përgjigjen e duhur, se cilin krah duhet të mbajë politika e jashtme amerikane në këtë rajon. Koha për Obamën po mbaron, mbetën zgjedhjet që do të mbahen, për të na treguar nese ai do të vazhdojë të qendrojë në krye të Shtëpisë së Bardhë, apo do të jetë kandidati republikan që do ta ketë këtë mundësi.

 

 

 

 

 

 

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: