Fuqitë e reja botërore në ngjitje – BRIC’s


Tirana Observer

Bledar KOMINI

Ndërkohë që Amerika ka kohë që e ka ndalur hapin e saj drejtë ruajtjes së pushtetit si një fuqi e vetme botërore, fuqi të reja janë shfaqur në horizont prej kohësh. Kuptohet nuk kemi të bëjmë me fuqi botërore me ndikim për të ndryshuar rendin global, por kemi të bëjmë me fuqi rajonale të cilat janë shfaqur si rezultat i një ekonomie në zhvillim në një botë të ndryshueshme. Këto fuqi në ngjitje, me një rritje ekonomike (GDP) shumë të lartë në krahasim me vendet e tjera, po përjetojnë një lulëzim momental por shumë përcaktues për rajonin në të cilin ato ndodhen. Ndër këto shtete, të emëruara së bashku edhe si BRIC’s, bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India dhe Kina.
Dy prej këtyre shteteve, kanë qenë fuqi botërore që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar. Mund të themi se Rusia (BRSS) dhe Kina, ishin fuqi përcaktuese në Luftën e Dytë Botërore dhe si rrjedhim kanë qenë edhe anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa Brazili dhe India, janë shfaqur si fuqi në ngjitje pas viteve ’80 dhe përjetuan një rritje ekonomike të mahnitshme në fillim të viteve ’90. Tri prej tyre, janë njëherazi edhe zotëruese të arsenalit bërthamor, Rusia, India dhe Kina, ndërsa Brazili ende nuk ka dëshiruar të shfaqet si një fuqi ushtarake e mirëfilltë në Amerikën Latine. GDP-ja e tyre vjetore ka përjetuar një rritje gjatë viteve të fundit nga 6% në vit deri në 12%. Më e dallueshmja nga të katër shtetet e mësipërme është Brazili, me në krye presidenten Dilma Rousseff dhe ministrin e saj të punëve të jashtme Antonio Patriota. Duke qenë se Brazili dhe India nuk përfaqësohen në asnjë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar, duke krahasuar peshën ekonomike me ndikimin politik, të dy vendet kanë kërkuar shpeshherë që të jenë pjesë e KS të OKB. Për këtë arsye ata kanë synuar bashkë me palën amerikane, një ndryshim rrënjësor të këtij institucioni që mund të quhet paksa i vjetruar në ditët e sotme, përballë ndryshimeve që po ndodhin në arenën botërore. Këtyre zërave i është bashkuar edhe ai i Japonisë, që përkundër peshës ekonomike që zë, pothuajse politikisht është e papërfaqësuar në institucionet ndërkombëtare.

Me qenë se Brazili është më përfaqësuesi i kësaj rritjeje ekonomike të shpejtë, ja vlen të theksoj se, në planin afatgjatë politik, si Dilma Rousseff ashtu dhe ministri i saj i jashtëm A. Patriota, asnjëherë nuk e kanë parë vetën e tyre si zotër të pushtetit në Brazil, por gjithnjë si shërbëtor të popullit. Po ashtu ata janë mbështetur fuqishëm në paraardhësit e tyre dhe në sukseset që ata kanë arritur. Ngjitja e tyre dhe suksesi është parë i pashkëputur prej qeverive të mëparshme. Prej pothuajse një vit në pushtet, Rousseff pasi është përballur me sfida të shumta e të ndryshme brenda vendit, ka fituar një popullaritet që mund të krahasohet me atë të Lulës në vitin e tij të parë të qeverisjes. Sipas Patriotas, Brazili ndodhet në një rajon shumë të favorshëm për t’u zhvilluar edhe më tej ekonomikisht, pasi ai nuk ka pranë asnjë shtet që mund t’i shfaqi probleme serioze mbi sigurinë. Në të njëjtën kohë kjo ndikon që shpenzimet mbi sigurinë të jenë të ulta dhe buxheti i parashikuar të përdoret në fusha të tjera të rëndësishme. Ndryshe nga shtetet e tjera si Rusia, Kina e India, të cilët kanë probleme me fqinjët ose me minoritetet brenda tyre dhe kanë vendosur të investojnë në rritjen e kapaciteteve ushtarake e luftarake, Brazili ka synuar të investojë gjithnjë në përdorimin e soft power – përdorimit të diplomacisë, mjeteve ekonomike dhe instrumenteve politike në arritjen e synimeve të veta.

Rol të rëndësishëm Brazili ka luajtur edhe në çështjen e problemeve klimaterike dhe në zhvillimin ekonomik rajonal, qoftë nga presidenca e mëparshme Lula dhe Amorim, ashtu edhe në ditët e stome. Ndryshe nga paraardhësit e saj, të cilët u angazhuan kryesisht në stabilizimin e ekonomisë braziliane dhe në zgjidhjen e problemeve të shumta, Dilma Rousseff është përpjekur që të shkëputet nga e kaluara, duke bërë një hap cilësor në forcimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, në zgjerimin e marrëveshjeve tregtare, në krijimin e lehtësirave për bizneset e mëdha dhe industrinë, gjithashtu dhe në menaxhimin e mirë të të ardhurave, si dhe financimin e sektorëve të rinj të ekonomisë braziliane. Me angazhimin e saj në problemet e arsimit dhe zhvillimit teknologjik, ajo po bën diçka që askush tjetër përpara saj nuk ka mundur ta kryej. Programi “Shkenca pa kufij”, është një program shumë ambicioz për Brazilin dhe synon përmirësimin e edukimit arsimor, përdorimin e internetit duke e shtrirë në hapësirat gjigante të këtij shteti dhe përmirësimin e kurrikulave shkollore universitare; specialistët dhe profesionistët që do të dalin më pas prej tyre do t’i shërbejnë këtij qëllimi madhor. Ajo po mundohet që ta nxjerrë Brazilin nga një ekonomi e bazuar në nxjerrjen e burimeve dhe lëndës së parë, në një ekonomi të përpunimit të tyre, kërkimeve shkencore dhe zhvillimit tekonologjiko-industrial. Në aspektin e politikës së jashtme Brazili është përpjekur të ruaj një profil autonom e të pavarur nga politika e fqinjit të fuqishëm të Amerikës Veriore, madje disa herë ai i ka dalë kundër politikës së jashtme amerikane, siç ishte rasti i marrëveshjes me Turqinë dhe Iranin për shkëmbimin e eksperiencës në fushën e energjisë bërthamore.
Ndërsa nëse do t’i referohemi Kinës, mund të them se është një shtet me rritje ekonomike shumë të madhe, është një ndër partnerët strategjik të SHBA që nga viti 1972 dhe sot të dy vendet po përpiqen që të gjejnë zgjidhje të përbashkëta mbi krizën ekonomike globale që goditi ekonomitë e zhvilluara pas vitit 2008. Si SHBA ashtu dhe Kina, janë munduar që nëpërmjet bashkëpunimeve bilaterale dhe forumeve të përbashkëta siç është edhe ai i këtyre ditëve, i quajtur Strategic and Economic Dialogue (S&ED), të ngrenë struktura funksionale për gjetjen e zgjidhjeve optimale për të dalë nga kriza si dhe për të parë perspektiva të reja në tregjet botërore.

Edhe pse në dukje marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë qenë të tensionuara, rasti i aktivistit kinez Chen Guangcheng, i cili u strehua në ambasadën e SHBA dhe kërkoi azil politik, sërish në vija të trasha politika e këtyre dy shteteve ka qenë koherente. Ato kanë vijuar të ndjekin politika të përbashkëta ndaj Koresë së Veriut, Indisë, Sirisë etj. Zyrtarët e lartë të Pekinit shpeshherë kanë deklaruar se ata nuk duan që Kina të zërë vendin e parë në botë si shteti më i fuqishëm, sërisht ata i tremben prishjes së marrëdhënieve me SHBA, gjë e cila do të krijonte pështjellime dhe do rrezikonte stabilitetin e rendit botëror. Në mënyrë indirekte kjo gjë do të thoshte probleme për Kinën, pasi prej saj do të përfitonin shtetet fqinje si India, Rusia dhe Japonia. Ruajtja e marrëdhënieve të mira më Uashingtonin, është parë si një vijë strategjike e qartë dhe e ndërtuar përgjatë dekadave të shkuara. Edhe pse SHBA kanë kërkuar që Pekini të luaj një rol edhe më të madh në problemet globale, sërish zyrtarët kinezë, e kanë parë këtë me skepticizëm dhe si një kurth të diplomacisë amerikane, e cila kërkon që ta angazhojë Pekinin në rajone me probleme të ndryshme, në mënyrë që ta mbaj atë të angazhuar dhe larg fokusit kryesor të rritjes ekonomike.

Përsa i përket Rusisë, ardhja e Vladimir Putinit rishtazi në pushtet (më 7 maj), do të thotë rikthim tek politika e vjetër. Një politikë e mbështetur mbi përqendrimin e pushtetit politik dhe ekonomik në duart e një oligarkie miqsh, interesash dhe përfitimesh të përbashkëta. Problemi i parë që duhet të zgjidhë Putin është ai i protestave masive të shtrira në mbi 100 qytete ruse dhe që nuk pranojnë të njohin zgjedhjet si të ndershme e të lira. Sipas Moskës, protestat janë të jashtëligjshme dhe kanë synim destabilizues, të cilat nxiten dhe shtyhen nga faktorë jashtë vendit. Protestuesit gjatë gjithë kësaj kohe kanë mbajtur në duar parulla si “drejtësi” (spravedlivost) dhe “barazi përpara ligjit” (ravenstvo pered zakonom).

Në aspektin ekonomik, Rusia ka shfrytëzuar në maksimum burimet e saj të shumta të gazit dhe naftës, falë të cilave ajo në dhjetëvjeçarin e fundit përjetoi dhe rritjen ekonomike. Mirëpo, sipas Alexei Kudrinit (ish-ministër i financave), nëse çmimi për barrel nafte do të shkojë nën 60 dollarë, atëherë Rusia nuk do të përjetojë asnjë rritje ekonomike, madje mund të ndodh dhe e kundërta. Për këtë arsye specialistët rusë të ekonomisë si Sergei Guriev duke parë vartësinë e vendit ndaj këtyre burimeve dhe çmimit ndërkombëtar në ndryshim të vazhdueshëm, kanë parashikuar se Rusia mund të futet shumë shpejt në një cikël krizash ekonomike.
E fundit prej katër shteteve të mësipërme mbetet India, shteti i shtatë më i madh në botë dhe i dyti më i populluari me 1.2 miliard banorë. Gjatë viteve ’90 India u shfaq si një shtet me rritje ekonomike të qëndrueshme dhe shumë shpejt ajo zuri vendin e njëmbëdhjetë sipas GDP (nominale). GDP e Indisë gjatë dy dekadave të fundit ka lëvizur nga 5.8% në vit, në 6.1% në 2010-2011. India është një vend i cili pas marrjes së pavarësisë në fund të viteve 1940, hasi në probleme të shumta kufitare e territoriale me fqinjët, si Nepalin, Butanin dhe Pakistanin. Diskutimet mbi rajonin e Kashmirit me Pakistanin dhe lufta e vazhdueshme, i çoi të dy vendet drejt përvetësimit të armëve bërthamore. Në vitin 2011 India ishte vendi i dhjetë importues më i madh në botë dhe i nëntëmbëdhjeti si eksportues.

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: