Si e përdori Moska Rumaninë kundër Enver Hoxhës


Në shqip “Stalinizëm në çdo stinë” i Tismaneanut.

Sulmi mbi delegacionin e PPS-së me në krye Hysni Kapon në Kongresin e tretë të PPR.

Nuk ishte e thjeshtë t’i kundërviheshe Moskës, sepse bashkë me të do të kishe kundër edhe vendet e tjera të Lindjes.  Shumicës i shkonte më për shtat konformizmi, edhe pse nuk ishin dakord në gjithçka me Hrushovin. Për të pasur aleancën e Bashkimit Sovjetik, ishin gati t’i vinin “flakën” Shqipërisë. E tillë ishte Partia Komuniste rumune, e cila u pozicionua menjëherë kundër politikës shqiptare, me në krye Enver Hoxhën. Nuk bëhet fjalë vetëm për mbledhjen e famshme të 81 partive në Moskë, por edhe për konferenca dhe plenume, ku Shqipëria ishte në “axhendën e sulmeve”. Këtë e dëshmon politologu i njohur rumun, Vladimir Tismaneanu, në librin e tij “Stalinizëm në çdo stinë”, i cili sapo i është ofruar lexuesit shqiptar përmes shqipërimit nga Edjon Petriti dhe shtëpisë botuese “55″. “Vladimir Tismaneanu është një prej katër personaliteteve më të rëndësishme të jetës intelektuale rumune. Ndonëse e ndan jetën mes SHBA-së dhe Bukureshtit, ai renditet si një prej figurave që me penën e tij ka zbërthyer apokalipsin komunist në Europën Lindore të pasvitit 1989 krahas të mirënjohurve Adam Mihnik, Vaclav Havel dhe Gjorgji Konrad. Libri i sapodalë nga botimi nga shtëpia botuese “55″ është një analizë plot stil e asaj çfarë periudha e errët komuniste ka sjellë jo vetëm në Rumani, por edhe në vendet e tjera që e jetuan atë siç është dhe rasti i Shqipërisë”, – thotë Alda Bardhyli, drejtoreshë e botimeve “55″. Ky është libri i dytë që kjo shtëpi botuese nxjerr nga ky autor, pas librit “Fundosja e utopisë 1989″. Vladimir Tismaneanu është profesor i Shkencave Politike në universitetin “Meryland”. Në periudhën prill 2006- prill 2007, ka qenë kryetar i Komisionit Presidencial për Analizën e Diktaturës Komuniste dhe i Komisionit Konsultativ për Analizën e Diktaturës Komuniste në Rumani që nga prilli i vitit 2007. Më tej vijon një pjesë e shkëputur nga libri i Vladimir Tismaneanu, ku rrëfehet për qëndrimin e Partisë Komuniste rumune ndaj asaj shqiptare.                                       

Kundër hrushovianëve
Ky mjedis organizativ është veçanërisht i favorshëm për vendosjen në pozita udhëheqëse të individëve të atij lloji, që mund të quhen “personalitete lufte”.
Robert Tucker, Mendja politike sovjetike

I shqetësuar nga “shkrirja e dytë” e Hrushovit, dezhitët u përpoqën t’i rezistonin destalinizimit duke sajuar një strategji nacionaliste për të joshur inteligjencian dhe të ngushtonin hendekun mes elitës partiake dhe popullit. Në të vërtetë, udhëheqja komuniste rumune ndërtoi me sukses të jashtëzakonshëm një platformë destalinizimi rreth koncepteve të industrializimit, autonomisë, sovranitetit dhe krenarisë kombëtare. Gheorghiu-Dej-it i duhej të mbante marrëdhënie të mira me udhëheqësit sovjetikë pa rivalizuar në përpjekje për shkatërrimin e mitit të Stalinit. Beteja kundër “kultit të personalitetit” për rumunët qe baras me vënien e theksit te kredencialet e patëmeta internacionaliste, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për imazhin e bërthamës udhëheqëse të partisë si një kështjellë e ortodoksisë leniniste. Dy ngjarjet kryesore që u zhvilluan në PPR në fillim të viteve ’60, Kongresi i Tretë i saj (20-28 qershor 1960) dhe plenumi i Komitetit Qendror (30 nëntor – 5 dhjetor 1961) vunë theksin te industrializimi i shpejtë për të krijuar mbështetje masive për partinë dhe për forcimin e mëtimeve patriotike “antihegjemonike” të ekipit të Dej-it. Theksi që i vihej përkushtimit të udhëheqjes ndaj interesave kombëtare, u bë një element kyç i strategjisë së partisë për t’u ardhur rrotull si inteligjencies, ashtu edhe masave.
Gheorghiu-Dej u sigurua që në fillim që kjo vijë e brendshme në lindje e sipër të mos e shqetësonte Kremlinin. Në konferenca e simpoziume të mëdha ndërkombëtare, delegatët rumunë tingëllonin më prosovjetikë sesa kolegët e tyre polakë dhe hungarezë. Kur në verën e vitit 1958, nën trysninë e kinezëve, Moska kritikoi programin e ri të Lidhjes Komuniste Jugosllave si “revizionist”, rumunët e mbështetën plotësisht qëndrimin e Kremlinit. Të paktën zyrtarisht, marrëdhëniet mes udhëheqjes së PPR dhe PKBS nuk kishin qenë kurrë më të përzemërta. Megjithatë, bazuar në dokumente nga arkivat e PKR, duket se kjo nuk ishte plotësisht e vërtetë: në shumë raste, Gheorghiu-Dej në diskutime private ngulte këmbë se partia e tij ishte pjekur dhe se marrëdhëniet mes vendeve socialiste duheshin rregulluar prej parimeve të barazisë së plotë dhe pavarësisë kombëtare. Në të njëjtën kohë, ndërsa konflikti mes Moskës dhe komunistëve shqiptarë ashpërsohej, Dej i dha mbështetje të plotë Moskës. Në mënyrë implicite, ai e dinte shumë mirë se për Bukureshtin kjo donte të thoshte mbështetje për Kremlinin në përplasjen e pashmangshme me komunistët kinezë, mbrojtësve të udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha. Moska e konsideronte partinë rumune si më besniken dhe vendosi të shfrytëzonte një ngjarje në Bukuresht në qershor 1960, si provë të përgjithshme për një sulm mbi Shqipërinë (dhe në mënyrë të tërthortë, mbi partinë e Maos) në konferencën botërore të komunizmit në nëntor.
***
Nikita Hrushovi – sekretar i parë i Komitetit Qendror të PKBS dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS – erdhi personalisht në Kongresin e Tretë të PPR, siç bënë edhe shumë figura të tjera të rëndësishme të komunizmit botëror. Kongresi provoi se udhëheqja e PPR qe e bashkuar dhe se Gheorghiu-Dej kishte kontroll të plotë mbi partinë; për më tepër, nuk solli ndonjë ndryshim të madh në politikat e PPR. Ghi?? Ionescu shënon se fjalimet e mërzitshme dhe mungesa e ndonjë shqyrtimi të ngjarjeve dramatike të një dekade më parë – goditjet e njëpasnjëshme pas Kongresit të Njëzetë të PKBS, Revolucioni Hungarez, spastrimet e mëdha brenda partive në vitet ’57-’58, fushatat dhe gjyqet kundër studentëve dhe intelektualëve rumunë: “Në fjalimet e Kongresit, u shpallën një seri suksesesh në çdo front, por nuk u përmend asnjëherë përparimi në fushën e destalinizimit. As zgjedhjet e Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike nuk pasqyruan ndonjë ndryshim në personel, gjë që mund t’i paraprinte ndonjë ndryshimi në politika. Rezultati ngjante me të njëjtën përzierje të mëparshme, madje edhe më shumë se më parë”.
Sidoqoftë, pasojat e përpjekjeve të dështuara të kinse fraksionit Chi?inevschi-Constantinescu për të ngritur çështjen e përgjegjësisë së Gheorghiu-Dej-it në lidhje me krimet e epokës staliniste, po ndiheshin sërish: Constantin Pîrvulescu, njëri prej veteranëve të partisë, u përjashtua nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, si dhe nga Kryesia e Komitetit të Kontrollit të partisë (ai u zëvendësua nga veterani i vijës së ashpër të Komintern-it, Dumitru Coliu). Dukej qartë që përjashtimi i Pîrvulescu-t lidhej me qëndrimin e tij ndaj përpjekjes së Chinevschi-t dhe Constantinescu-t për ta rrëzuar Gheorghiu-Dej-in; Vvendin në Byronë Politike e zuri miku i ngushtë i këtij të fundit, Ion Gheorghe Maurer, që në atë kohë qe kreu nominal i shtetit. Një vit më pas, Maureri zëvendësoi Chivu Stoica-n – një njeri jashtëzakonisht mediokër – si kryetar të Këshillit të Ministrave, post të cilin e mbajti derisa doli në pension më 1974.
Megjithatë, rëndësia e Kongresit të Tretë të PPR ka të bëjë me nisjen e një programi ekonomik afatgjatë (që shtrihej deri më 1965), i cili kishte për synim industrializimin e vrullshëm të vendit; theks i veçantë i vihej industrisë metalurgjike dhe ndërtimit të makinave. Kongresi diskutoi rezultatet e planit të kaluar pesëvjeçar dhe miratoi draftin e planit të ri gjashtëvjeçar. Prioriteti kyç i të dyja planeve qe ndërtimi i një uzine të stërmadhe çeliku në Gala?i. Për sa i përket bujqësisë, Gheorghiu-Dej i raportoi kongresit se 680 000 familje fshatare që kishin në pronësi 1.8 milionë hektarë, nuk qenë përfshirë ende në sektorin socialist; Megjithatë, ai pohoi se kolektivizimi i bujqësisë rumune do përfundonte më 1965 (Në të vërtetë, përfundimi i procesit të kolektivizimit do shpallej në prill 1962.)
Në të njëjtën kohë, kongresi miratoi një mobilizim masiv të pashembullt për përmbushjen e objektivave ekonomikë të partisë. Për rumunët, zhvillimi i potencialit të tyre industrial, përveç sektorit bujqësor, qe çështje dinjiteti dhe politika ekonomike e Rumanisë qe “casus belli” i polemikave të dhunshme mes Bukureshtit dhe Moskës, polemika që dolën në pah në prill të vitit 1964, kur rumunët botuan një “deklaratë” të guximshme mbi krizën e komunizmit botëror, duke sfiduar me krenari mëtimet sovjetike për supermaci në bllok. Megjithatë, fillesat e këtij konflikti kaluan pa u vënë re si nga delegatët e Kongresit të Tretë ashtu dhe nga vëzhguesit e huaj, të cilët qenë të bindur se marrëdhëniet mes Moskës dhe Bukureshtit qenë më të përzemërta se kurrë.
***
Ngjarje tepër e rëndësishme gjatë Kongresit qe dhe sulmi i befasishëm i Hrushovit mbi delegacionin e Partisë së Punës së Shqipërisë me në krye anëtarin e Byrosë Politike, Hysni Kapon. Siç është shënuar dhe më sipër, kongresi i partisë rumune i shërbeu Hrushovit si pritë për sulmin e furishëm kundër stalinistëve konservatorë shqiptarë dhe mbrojtësve të tyre kinezë. Gjatë përplasjes së Hrushovit me shqiptarët në Bukuresht, delegati kinez Pen Çen, kreu i organizatës së partisë në Pekin dhe anëtar i Presidiumit të përhershëm të Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze (PKK), shprehu rezerva të mëdha në lidhje me përpjekjet sovjetike për të “shkishëruar” Shqipërinë e akuzuar për dogmatizëm stalinist, shtypje të demokracisë brendapartiake dhe refuzim për t’iu bashkuar partive të tjera leniniste në pajtimin historik me Jugosllavinë e Titos. Kur Hrushovi i kërkoi Gheorghiu-Dej-it të kryesonte një mbledhje me dyer të mbyllura të delegacioneve të huaja, ky i fundit e mbështeti plotësisht sulmin sovjetik mbi shqiptarët. Më pas, kur marrëdhëniet mes Bukureshtit dhe Moskës u prishën, gjatë përgatitjeve të deklaratës së vitit 1964 Gheorghiu-Dej i rrëfeu kolegëve të tij se ai në fakt qe detyruar nga Hrushovi për të mbajtur një qëndrim antishqiptar (dhe nënkuptohet, antikinez). Kjo mund të ketë qenë më shumë një mëri reaksionare kundër Hrushovit, sesa qëndrimi i vërtetë rumun në vitin 1960.
Ç’është e vërteta, në konferencën botërore të nëntorit 1960 ku u mblodhën në Moskë tetëdhjetenjë partitë komuniste dhe të punës, delegatët rumunë, në mbështetje të Kremlinit, qenë ndër më entuziastët kundër shqiptarëve dhe kinezëve. Për Gheorghiu-Dej-in, përpjekja e Hoxhës dhe Maos për të përçarë jo vetëm komunizmin botëror, por edhe partitë komuniste individuale, qe baras me një sulm të rrezikshëm ndaj parimeve të tërëshenjta të internacionalizmit socialist. Edhe pse personalisht nuk para i pëlqenin kritikat e paepura të Hrushovit kundër Stalinit, ai përkrahu megjithatë vijën e Kongresit të Njëzetë të PKBS mbi nevojën thelbësore për bashkëjetesë paqësore mes sistemeve të ndryshme social-politike. Jo më pak e rëndësishme, Gheorghiu-Dej-it nuk i pëlqenin sulmet e ashpra shqiptaro-kineze mbi Jugosllavinë e Titos. Duke pas qenë pararoja e Stalinit në fushatat anti-Tito të Kominformit në vitet 1948-’49, Gheorghiu-Dej bëri ç’është e mundur që t’i rregullonte marrëdhëniet me Jugosllavinë pas vitit 1956. Edhe pse nuk e miratonte retorikën titiste të vetadministrimit dhe risitë e tjera teorike në fushën e ndërtimit socialist, kjo s’donte të thoshte se ai i shihte jugosllavët si renegatë apo tradhtarë. Pa përkeqësimin e marrëdhënieve personale mes Gheorghiu-Dej-it dhe Hrushovit, diçka e lidhur drejtpërdrejt me valën e re të destalinizimit pas vitit 1961 dhe planet për shndërrimin e Këshillit të Ndihmës së Ndërsjellë Ekonomike (CMEA, e njohur edhe si Comecon) në një organizmë mbikombëtare, do ta kishim të vështirë të besonim se qëndrimi rumun ndaj Kinës ose Shqipërisë do ndryshonte shumë nga ai i vendeve të tjera të bllokut sovjetik.
***
Deri në fillim të vitit 1962 dhe qartësisht gjatë viteve 1960-’61, Gheorghiu-Dej vazhdoi ta mbështeste besnikërisht statusin hegjemonik të Moskës brenda bllokut dhe lëvizjen komuniste ndërkombëtare me çdo mënyrë. Aparatçikët e partisë rumune vazhduan të dërgoheshin në Moskë për të ndjekur kurse në shkollat e partisë së PKBS; gjuha ruse ishte e detyruar në shkollat e mesme dhe universitete. Në çdo përvjetor me rëndësi bëheshin referenca ritualistike ndaj rolit vendimtar të Bashkimit Sovjetik për “çlirimin nga zgjedha antifashiste” të vendit. Me fjalë të tjera, Kongresi i Tretë shënjoi vazhdimësinë e pozitës tradicionale prosovjetike të Rumanisë brenda komunizmit botëror dhe pohoi vullnetin e udhëheqësve të PPR, për të mos iu ndarë vizionit të tyre tejet ortodoks të ndërtimit socialist. Çdo tendencë heretike, sidomos ato të lidhura me refuzimin e pranimit të planeve sovjetike për integrimin mbikombëtar ekonomik të Europës Lindore, fshiheshin ende me kujdes nën retorikën e unitetit të bllokut dhe internacionalizmit proletar.
Në tetor 1961, komunizmi botëror përjetoi një ngjarje madhore: mbajtjen e Kongresit të Njëzetedytë të PKBS, në të cilin Hrushovi ia nisi një fushate të re antistaliniste duke sulmuar publikisht shqiptarët për “veprimtarinë e tyre skizmatike, fraksionaliste dhe turbulluese” në lëvizjen komuniste botërore. Çu En Lai, kreu i delegacionit kinez, e shprehu hapur pakënaqësinë e Kinës ndaj politikave sovjetike, përfshi këtu edhe disa prej pikave teorike në programin e ri të PKBS. Stalinistët e ashpër i mbanin mëri Hrushovit për braktisjen e dogmës së “diktaturës së proletariatit” dhe shpalljes se BRSS do shndërrohej në një “shtet të të gjithë popullit”. Komunizmi botëror kishte hyrë në një fazë trazirash të thella dhe prishja përfundimtare mes dy qendrave – Moskës dhe Pekinit – që haheshin me njëra-tjetrën, dukej diçka e pashmangshme. Partitë komuniste të gjithë botës dhe veçanërisht të “kampit socialist” ndërmorën një analizë të thellë e gjithëpërfshirëse të traditave të tyre historike dhe mbajtën njërën apo tjetrën anë në polemikat gjithmonë e në rritje mes Moskës dhe shqiptarëve prokinezë. Udhëheqësit rumunë e kuptuan se tërmeti i vendimeve të marra në Moskë, përfshi këtu edhe nxjerrjen jashtë të trupit të Stalinit nga Mauzoleu i Leninit, do kishte pasoja të tmerrshme për të gjitha vendet e rajonit. Edhe pse duartrokiste sa për formë kursin leninist të PKBS nën Hrushovin, Gheorghiu-Dej përgatiste me kujdes debatet brenda partisë mbi mësimet e Kongresit të Njëzetedytë të PKBS. Gjëja e fundit së cilës Dej-i ia kishte nevojën, qe që këto debate të ktheheshin në përpjekje për të rishikuar edhe një herë nga e para rolin e tij në spastrimet staliniste. Me mprehtësi, durim dhe cinizëm, udhëheqësit rumunë organizuan betejën kundër “pasojave të kultit të personalitetit” në një mënyrë të tillë që t’i bënte të dukeshin destalinizues të vërtetë “avant la lettre”.
***
Një ngjarje me shumë rëndësi qe dhe plenumi i Komitetit Qendror të 30 nëntorit – 5 dhjetorit 1961, kur Gheorghiu-Dej shpalosi sërish mbështetjen e tij të pakufizuar për vijën ndërkombëtare të Hrushovit, duke sulmuar furishëm devijimin shqiptar. E thënë me pak fjalë, Gheorghiu-Dej qe gati të mbështeste Moskën në konfliktin me Enver Hoxhën (d.m.th. me Mao Ce Dunin), për aq kohë sa ai nuk detyrohej të bënte autokritikë në lidhje me të kaluarën staliniste të Rumanisë. Temat kryesore të cilat do adresoheshin në plenum, u rishikuan në një mbledhje të Byrosë Politike më 29 nëntor 1961. Në fjalimin e tij në plenum, Gheorghiu-Dej përdori një ton mjaft të ashpër, – diçka e papritur kjo, – ndaj Enver Hoxhës dhe shokëve të tij:
Komiteti Qendror e informoi në kohë partinë mbi vijën përçarëse (skizmatike) antileniniste të miratuar nga udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, diçka që u shfaq në qëndrimin e mbajtur nga përfaqësuesit e Partisë së Punës së Shqipërisë në Konferencën e Bukureshtit dhe që më pas shpërtheu me furi të veçantë në mbledhjen e vitit 1960. Udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë e sulmoi në mënyrë të egër vijën dhe vendimet e Kongreseve XX dhe XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, denoncimin e hapur dhe të vendosur të kultit të personalitetit të Stalinit dhe pasojave të tij të neveritshme. Përse ata ngrihen kaq egër kundër kritikave ndaj kultit të personalitetit, përse mbrojnë shkeljet e rënda të kryera nga Stalini gjatë veprimtarisë së tij? Sepse ata vetë kanë ngritur dhe mbajnë më këmbë prej shumë vitesh në Shqipëri situata të ngjashme me ato kundër të cilave janë ngritur kongreset e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik – duke vënë në zbatim gjatë gjithë jetës partiake dhe shtetërore metoda karakteristike të kultit të personalitetit, me gjithë shkeljet që i shoqërojnë…
Plenumi i dha Gheorghiu-Dej-it një mundësi të shkëlqyer për t’u marrë me pseudoliberalizim. Çfarëdolloj gjëje që të mos shkonte në historinë e partisë, pretendonte ai me gjakftohtësi, ajo kishte ndodhur ose përpara se ai të bëhej pjesë e udhëheqjes së lartë, ose kundër vullnetit të tij. Duke pretenduar se ishte mbrojtësi i vërtetë i parimeve leniniste të udhëheqjes kolektive dhe “normave të shëndetshme të jetës partiake”, Gheorghiu-Dej denoncoi fraksionet Pauker-Luca-Georgescu dhe Chi?inevschi-Constantinescu si përgjegjëse për tmerret staliniste që kishin ndodhur në Rumani. Në të njëjtin ton, sipas Dej-it, po të mos kishte qenë ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, tradhtarë si ?tefan Fori? dhe Lucre?iu P?tr??canu do ta kishin shkatërruar partinë në vitet ’40. Sipas skenarit oruellian të Gheorghiu-Dej-it, kontrolli mbi të kaluarën qe një metodë themelore për të kontrolluar të tashmen dhe të ardhmen. Në këtë ngrehinë vetëshërbyese manikeane, e gjithë historia e partisë shfaqej si një betejë e vazhdueshme mes bërthamës së shëndoshë, patriotike, proletare të kryesuar nga Gheorghiu-Dej dhe bandave të njëpasnjëshme të maskarenjve fraksionistë. Plenumi, gjoja për të vazhduar destalinizimin, u bë një ushtrim i mirë për të forcuar qasjen tejet staliniste ndaj historisë së partisë. I ngritur në qiell si shpëtimtari providencial i vetë ekzistencës së partisë, Gheorghiu-Dej i dënoi “devijatorët djathtistë” Pauker, Luca dhe Georgescu se kishin vepruar “si grup i veçantë mbi dhe nën institucionet e zgjedhura të partisë, duke injoruar Komitetin Qendror dhe sekretariatin (të cilin e kishin në dorë) duke zëvendësuar Byronë Politike, që funksiononte gati-gati si një komitet.” Në të vërtetë, në fjalimin e tij Gheorghiu-Dej kodifikoi versionin e ri zyrtar të historisë së PPR, që theksonte aktivitetin e ulët të “grupit fraksionist antiparti” duke shfajësuar në këtë mënyrë dezhistët…

Etiketa: ,

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: