KRIZA NË SIRI DHE TENSIONIMI I MËTEJSHËM I SAJ


Tirana Observer

Bledar KOMINI

“NATO nuk ka si qëllin ndërhyrjen ushtarake në Siri…” Këto ishin fjalët e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmusen dhënë në një konferencë për shtyp para pak ditësh. Kriza siriane, për të cilën komuniteti ndërkombëtar po ndjen “keqardhje” do të vazhdojë edhe më tej. Fakti që aleanca më e madhe ushtarake sot në botë, e drejtuar prej vendeve më demokratike dhe mbështetëse të lirive dhe të drejtave të njeriut, nuk pranon të ndërhyjë në një krizë me përmasa të mëdha si ajo e Sirisë, tregon se kriza do të ketë amplituda të larta e në përshkallëzim të mëtejshëm.

Ekzistenca e një Lidhje Arabe të përcarë dhe të paaftë për të marrë një vendim për të ndërhyrë në krizën siriane, është treguesi më i mirë se rajoni po përjeton krizën më të thellë të dekadave të fundit. Komisarja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, në informimin që i bëri Këshillit të Sigurimit mbi krizën në Siri, bëri apel për dërgimin e kësaj të fundit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Pillay tha se forcat e regjimit të Asadit kanë kryer krime serioze kundër civilëve, duke theksuar se ekzistojnë prova të shumta që vërtetojnë se në veçanti forcat e varura nga regjimi kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Raporti vjetor i Freedom House e ka përcaktuar vitin 2012 si “Më i keqi i më të këqinjve”. Raporti thotë se regjimet autokratike mbetën ende të fuqishme dhe të shperndara në të katër anët e botës. Një në katër njerëz sot në botë jeton në shtete të në të cilat dhunohen liritë dhe të drejtat e njeriut dhe që drejtohen nga diktatura prej dekadash dhe megjithatë – thuhet në raport – ndryshimi mund të jetë i mundshëm edhe për këto shoqëri. Numri i shteteve diktatoriale ka rënë gjatë viteve të fundit dhe në disa shtete të tjera ekzistojnë premisat për të fituar lirinë e për t’u bashkuar me vendet demokratike. Nëntë janë shtetet e përcaktuara nga Raporti si “më të këqinjtë”, ku renditen Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Korea e Veriut, Arabia Saudite, Somalia, Sudani, Siria, Turkmenistani, Uzbekistani, Tibeti dhe Saharaja Perëndimore. Vrasja e civilëve dhe protestuesve, masakrat e ushtrisë siriane si dhe represioni ndaj grupeve opozitare, kanë bërë që Freedom House ta përfshijë Sirinë në grupin e këtyre shteteve.

Pavarësisht faktit se kriza në Siri përshkallëzohet nga dita në ditë, komuniteti ndërkombëtar vijon të mbetet pasiv dhe të luaj vetëm rolin e negociatorit. Më datë 22 qershor 2012 Siria rrëzoi në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Mesdheun Lindor një aeroplan zbulues ushtarak tip F-4 të Forcave Ajrore të Turqisë. Ankaraja zyrtare reagoi fuqishëm ndaj këtij sulmi. Autoritetet e shtetit, qeveria dhe partitë opozitare turke nga njëra anë bënë deklarata të ashpra kundër Sirisë, nga ana tjetër i bënë thirrje shoqërisë ndërkombëtare që të reagojë ndaj sulmit sirian. Këshilli i NATO-s, i mbledhur me kërkesë të Turqisë në kuadër të artikullit IV të traktatit themelues të organizatës, e dënoi Sirinë dhe e paralajmëroi atë që të mos e përsërisë më një sulm të tillë. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende islame gjithashtu deklaruan mbështetjen e tyre për Turqinë kundër aktit armiqësor të Sirisë. Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdoan, veçanërisht gjatë fjalimit që mbajti në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), vuri në pah se Turqia nuk do të bëjë lëshime për këtë ngjarje, s’do të ketë aspak tolerancë dhe do të ashpërsohet akoma më shumë, Ankaraja ndryshoi rregullat e angazhimit të Forcave të Armatosura të Turqisë kundër Sirisë dhe se kështu do të vihej në shënjestër e qëllohej çdo mjet ushtarak, që do të vinte nga Siria.

Ajo që është më qesharakja në këtë mes, është fakti se teksa e tërë bota është fokusuar në krizën sirianë, Presidenti sirian Bashar al-Assad për të justifikuar dhunën e ushtruar ndaj civilëve dhe masakrat masive, ka miratuar një sërë ligjesh kundër terrorizmit. Parlamenti sirian ratifikoi tri ligje që gjykojnë me dënim të rëndë personat, të cilët kryejnë akte “terroriste” për të ndryshuar natyrën e regjimit. Sipas akteve të ratifikuara personat të cilët formojnë, udhëheqin apo janë anëtarë në një grup terrorist rrezikojnë nga 10 deri në 20 vjet punë të detyrueshme, por dënimi mund të jetë edhe më i rëndë nëse qëllimi është ndryshimi i regjimit.

Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara prej muajsh nuk ka mundur të marrë dot ndonjë masë ndaj regjimit të Bashar al-Assadit. Kina dhe Rusia vazhdojnë të jenë mbështetëset më të mëdha të regjimit. Ndërsa SHBA-ës vazhdojnë të shprehin mbështetjen e tyre tek Kofi Anan, si negociator për zgjidhjen e krizës. Siria, e inkurajuar nga mbështetja që Rusia dhe Kina i ofron udhëheqjes së Asadit, i ka shtuar gjithnjë e më shumë sulmet e saj të dhunshme. Ndërsa opozitarët sirianë, bazuar në përkrahjen që marrin nga disa aktorë ndërkombëtarë e rajonal, vazhduan t’u bëjnë ballë sulmeve të dhunshme dhe të përgjakura në arritje drejt Damaskut. Por është tepër e vështirë dhe ende herët të flitet për një sukses serioz të opozitës.

Realisht problemi i Sirisë është edhe emri i një polarizimi, që po zhvillohet në rajon dhe botë, sepse aktualisht është rritur edhe tensionimi ndërmjet vendeve si Rusia, Kina dhe Irani, të cilat përkrahin Bashar al-Assadin, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Lidhjes Arabe dhe Turqisë, që mbështesin opozitarët sirianë. Kjo ndarje në kampe të ndryshme deri tani ishte kryesisht në formën e një polarizimi politiko-diplomatik. Dhe pikërisht për shkak të këtij polarizimi nuk kanë pasur sukses as nismat e disa shteteve dhe organizatave ndërkombëtare për gjetjen dhe vendosjen e paqes. Si shembull për këtë mund të japim “Planin e Paqes” së Kofi Ananit, i cili mbeti pa rezultat për shkak se regjimi i Asadit dhe vendet përkrahëse të tij nuk e mbështetën plotësisht.

Pyetjet që shtrohen mbeten ende ato të ditëve të para kur kriza sapo kishte filluar: A do të ketë një ndërhyrje ndërkombëtare në Siri, sic u veprua edhe me Libinë e Gadafit? A do ta njohin ndërkombëtarët opozitën siriane dhe kërkesat që ata ngrejnë? Cili do të jetë qendrimi i SHBA-e pas zgjedhjeve presidenciale ose pas ardhjes së një presidenti të ri në drejtim? Edhe për sa kohë do të vazhdojnë të mbështesin regjimin në Siri, Kina dhe Rusia, kur ato e dinë se kështu po ulin reputacionin e tyre në rajon?

Etiketa: ,

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: