PAQJA E BRISHTË BALLKANIKE


Srebrenica: 8 mijë të masakruar në shkëmbim të ushtarëve të marrë peng

Bledar KOMINI

Ka kaluar mbi një dekadë dhe pothuajse po kalon dhe e dyta që nga dita kur mbi tetëmijë boshnjakë kryesisht burra, pleq e djem të rinj, humbën jetën në masakrën më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore. Nën moton “harrojmë por nuk falim”, mbi 7000 njerëz ditën e 11 korrikut nisën rrugëtimin e tyre të përvitshëm drejt Srebrenicës. Dhimbja e masakrës është e njëjtë sikurse në ditën e parë që ndodhi.

Përkujtimi i shtatëmbëdhjetë vjetorit të masakrës së Srebrenicës, shënon njëkohësisht edhe dështimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në menaxhimin e krizave dhe stabilizimin e tyre.  Srebrenica, gjatë viteve të Luftës së Bosnjës ishte një qytet i shpallur “rajon i sigurt” nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me qëllim që në këtë të fundit të strehoheshin civilët boshnjakë që ishin larguar prej shtëpive të tyre. Me vendimin numër 836 të marrë në 4 qershor të vitit 1993 nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, parashikohej që ushtarët e Kombeve të Bashkuara të përdornin forcë, madje edhe të kërkonin mbështetje ajrore kundër një sulmi të mundshëm serb ndaj “rajonit të sigurisë” ose përreth tij. Ky fakt bëri që shumë civilë të qyteteve boshnjake të gjenin strehë në Srebrenicë, për të kërkuar sigurinë e forcave ndërkombëtare.

Por as numri i ushtarëve të vendosur në Srebrenicë dhe as armët që zotëronin këta ushtarë nuk ishin të mjaftueshme për të mbrojtur sigurinë e civilëve. Shpallja e Srebrenicës zonë e sigurt, si dhe dislokimi i ushtarëve nga ana e Kombeve të Bashkuara mendohej se ishte e mjaftueshme. Por ky ishte një iluzion i madh, në 6 korrik të vitit 1995, serbët që komandoheshin nga Gjenerali Ratko Mlladiç, sulmuan Srebrenicën. Pavarësisht kësaj, nuk u vu në veprim mekanizmi që parashikonte mbrojtjen e sigurisë së rajonit. Për shkak se serbët mbanin peng 30 ushtarë holandez, batalioni holandez që ishte me detyrë për të mbrojtur sigurinë e Srebrenicës u soll pasiv ndaj sulmit serb. Kur serbët kërcënuan se do të vrisnin ushtarët holandezë që kishin marrë peng, Përfaqësia e posaçme në Bosnje e Sekteriatit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, pengoi sulmin ajror ndaj pozicioneve serbe që po përparonin drejt Srebrenicës. Kështu që në 11 korrik 1995, Mlladiç arriti që të hyjë në Srebrenicë. Si pasojë, rajoni i sigurisë u kthye në një “kamp vdekje”. Në këmbim të 30 ushtarëve holandezë u lejua që të masakroheshin mbi 8 mijë boshnjakë. Kështu, për herë të parë në histori u bë një gjenocid përpara kamerave të botës. Sot, varrezat e Potçarit janë një luginë e madhe varresh, ku për çdo vit, vejushat e të humburve në këtë masakër, vizitojnë prindërit, burrat dhe djemtë e tyre.

Ekziston një fakt shumë i tmerrshëm, mbi atë se përse një pjesë e të vdekurve ende nuk janë identifikuar. Pasi kreu këtë krim të përbindshëm, Ratko Mlladiç u përpoq që të zhdukte provat e dukshme të masakrës. Ai i hodhi trupat e pajetë në gropa të mëdha, duke i përzierë ata njëri me tjetrin dhe duke shpërndarë pjesën e mbetur të trupave në gropa më të vogla të Bosnjës veri-lindore. Shtetet perëndimore, vite më pas, ofruan ndihmë dhe pajisje laboratorike si dhe specialistët më të mirë të fushës gjenetike dhe asaj kriminalistike për të identifikuar trupat, por ende një pjesë e tyre mbeten dhe sot të paidentifikuar. Kishte raste ku pjesë të ndryshme të trupave u gjetën në mbi njëzetë gropa të ndryshme, për t’iu kthyer më pas të afërmve të tyre, e për t’u prehur në një varr të vetëm.

Disa vite më parë, në vitin 2004, qeveria e Republikës Serbe të Bosnjës kërkoi falje publike mbi “krimet e mëdha” të kryera në Srebrenicë, dhe nëpërmjet një raporti theksonte se forcat ushtarake serbe kryen masakër mbi popullsinë myslimane boshnjake. Ndërsa sot, presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ekstremist dhe radikalist i njohur për  qëndrimet e tij pro serbe dhe pro bashkimit me Serbinë, ka bërë hapa pas duke mos e njohur faljen e vitit 2004 dhe duke mos pranuar kryerjen e masakrës prej forcave ushtarake të Ratko Mlladiçit. Arrestimi i R. Mlladiçit ndodhi më 26 maj të viti 2011, ai kishte ndërruar emrin e tij në atë të Milorad Komodiç. Gjatë Luftës në Bosnje ai ishte komandat i forcave serbe dhe sot gjendet në Hagë, duke u përballur me akuzën për “krime lufte” dhe “gjenocid” ndaj popullsisë boshnjake dhe asaj kroate. Akuza më e njohur është ajo për masakrën e kryer në Srebrenicë më 11 korrik të vitit 1995.

Ratko Mlladiç, është i pandehuri më i fundit që del para Gjykatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi me seli në Hagë. Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë u krijua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në maj të vitit 1993 për të nxjerrë para drejtësisë personat e akuzuar për krime të kryera gjatë konfliktit të Bosnjës në periudhën 1992-1995. Llogaritet se 100 mijë njerëz u vranë dhe 2 milion të tjerë u shpërngulën si pasojë e luftimeve. Kjo ishte hera e parë që krijohej një gjykatë për krime lufte që kur udhëheqësit e Gjermanisë naziste u ndoqën penalisht në gjyqet e Nurembergut dhe zyrtarët japonezë në gjyqet e Tokios. Ekspertët thonë se ndryshe nga gjyqet e Nurembergut dhe të Tokios, Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë u krijua gjatë kohës së luftës. Kombet e Bashkuara kishin një arsye të veçantë për ngritjen e gjykatës ndërkombëtare gjatë konfliktit, e ajo ishte demoralizimi i trupave ushtarake serbe.

Gjykata e Hagës u krijua në një kohë kur dukej se Perëndimi dhe komuniteti ndërkombëtar po vepronin shumë keq, pikërisht atëherë kur ata dështuan të arrinin paqen. Lufta po acarohej dhe përkeqësohej para syve të tyre, pra krijimi i gjykatës u pa si një alternative në mungesë të veprimit, me që komuniteti ndërkombëtar nuk mori ndonjë hap për të ndalur krimet, të paktën u krijua një gjykatë për të dënuar autorët e këtyre krimeve. Pra ishte një alternativë në vend të masave për parandalimin e krimeve.

Çdo akt-padi në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë dëgjohet nga 3 gjykatës dhe dënimi arrihet me 2 vota. Dënimi mund të apelohet dhe dëgjohet nga 5 gjykatës të tjerë. Dhe me që kjo është gjykatë e Kombeve të Bashkuara, nuk jepet dënimi me vdekje, dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm. Zyrtari më i lartë që është gjykuar në Hagë ishte ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, i akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës. Millosheviçi e përdori gjykatën si mjet propagande. Ai nuk u përpoq të vetëmbrohej nga akuzat, por ai e përdori gjyqin si platformë ku mbante fjalime politike. Synimi i tij ishte që të zgjaste procedurat sa më shumë, kjo bëri që gjyqi të shtyhej deri në atë pike sa ai vdiq në Hagë dhe si rezultat ai mbeti pa u dënuar. Vdekja e Millosheviçit në mars të vitit 2006, disa muaj para se të shpallej dënimi, ishte një goditje e rëndë për gjykatën e Hagës.

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: