Fragmente nga F. Konica


Photo

Shumica e shqiptarëve kanë qenë të lirë, meqë “bujkrobëria dhe skllavëria as mund të mendoheshin për ta”. Një vëzhgues i mprehtë ka thënë me mençuri: “Një shqiptar nuk mund të ishte një skllav”. Dhe lidhur me këtë, është mjaft interesante që: “Në tregjet e skllevërve të Turqisë askush nuk mund të blinte një shqiptar… sepse ishte e pamundur t’i urdhëroje ata dhe ishin tepër të rrezikshëm për pronarët e tyre”. Vëzhgimet e mësipërme mund të shpjegojnë përse popujt e tjerë të Ballkanit iu nënshtruan Turqisë fare lehtë, ndërsa shqiptarët u bënë ballë me sukses turqve për një çerek shekulli.

…Eshtë fakt i mirënjohur roli i madh që kanë luajtur kapitenët privatë shqiptarë në Luftën e Greqisë për Pavarësi dhe, deri një brez më parë, elementi shqiptar në flotën greke ka qenë aq mbizotërues, saqë gjuha shqipe detyrimisht përdorej në anijet luftarake si më e parapëlqyer se greqishtja.

…Shqiptarët kishin zakon të thoshin se shpëtimin dhe përparimin e Shtetit e ndalojnë tre veta: Esadi (Toptani), Bib Doda, Ismail Qemali. Njëri nga këta vdiq, dy u vranë.Që të tre u çduknë. Po në vënt të tyre duallnë një duzinë tiranë dhe intriganë të tjerë.

…E njihni të gjithë atë që “ka parë botë”, që është i qytetëruar. Çdo qytet i Shqipërisë e çdo katund sadomos i madh ka të tijën. “Njeriu që është i qytetëruar” i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta”, mban një stap të lehtë në dorë – e shikon sipër-poshtë gjithë botën. Vajzat çuditen, pleqtë shkëndallëzohen, djelmtë i bien prapa, duke thirrur e duke vërshëllyer a duke i hedhur gurë, – mjeshtri i shkollës i qaset të lidhë fjalë. Mendjet e larta merren vesh aq udobisht njëra me tjatrën! – “Si vete sot? – Si vini?, – thonë në Evropë! Vërtet, ju kërkoni ndjesë! – Si vini, si shkoni? Si kurdoherë, më pëlcet zemra. Ku rrohet në këtë vend, me këta njerëz që s’dinë të vishen, të hanë, të flasin! Ah, Evropa e shkretë! Kur isha në Evropë…” Kur ish në Evropë, ish si peshku në ujë. Gjithë shijen, gjithë hollësinë e shoqërisë së qytetëruar i ka thëthitur. I ka parë të gjitha sa janë për të parë e ca të tjera, i njeh të gjithë. Ka folur, ka lidhur miqësi me fytyrat e njohura të Evropës së tërë.

Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm? Pa dyshim, do të jetë rritur në “Rue de la Paix” të Parisit, në “Strand” të Londonit a në “Grahen, të Vjenës”. Mos kërko aqë larg…Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në breg të Pulës. Eshtë rritur në mes të bajgave të gomarit a të kakardhisë së deles.
…Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë që kërkonin fatin e tyre duke u quajtur me emra të ndryshëm (kapeletë, stratiotë dhe estratiotë, kowali, morienë, xhenetarë), kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perëndorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk përvidheshin kurrë nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve. Francezët zemëroheshin me seriozitetin e këtyre ushtarëve, të cilët luftonin për punëdhënësit e tyre me gjithë shpirt, sikur po luftonin për çështjen e tyre.
Advertisements

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: