Botimi më i ri i Bled Kominit


Pak fjalë nga autori…

Ky libër është më shumë një përmbledhje studimesh se sa një monografi e pastër në lidhje me problematikat që parashtron. Të gjitha çështjet që janë trajtuar në këtë studim mbeten pasqyrë e interesit tim akademik ndaj ndryshimeve globale dhe atyre rajonale që ky fillim shekull po na shfaq. Disa prej tyre janë pasojë e të tjerave edhe më të vjetra, ndërsa disa të tjera janë shfaqur si rrjedhojë e ndryshimeve politike, ekonomike, sociale etj. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë bërë edhe më komplekse. Aktorë të rinj janë shfaqur dhe kërkojnë të sigurojnë dhe shtrijnë ndikimin e tyre mbi fenomene apo problematika që i prekin ose jo drejtpërdrejt. Institucionet ndërkombëtare prej dekadash janë munduar t’i përshtaten këtyre ndryshimeve duke rishikuar objektivat dhe synimet e tyre. Disa prej këtyre institucioneve ndërkombëtare janë përshtatur më së mirë me ndryshimet, ndërsa të tjerë kanë shfaqur mungesë koherence.

Libri ecën mbi dy paralele të njëtrajtshme. Njëra është ajo mbi konfliktin dhe tjetra ajo mbi pasojat e tij, të cilat i kam trajtuar në fokusin e krizave dhe menaxhimit të tyre. Siç thonë studiuesit, konflikti është i vjetër sa dhe vetë njerëzimi, po aq të vjetra janë dhe pasojat e tij në shoqëri. Shtetet dhe popujt janë munduar që t’i përgjigjen konflikteve në mënyra nga më të ndryshmet. Historia na ka treguar se luftërat kanë shpërthyer herë për arsye të ligjshme dhe herë të tjera për arsye të pajustifikueshme. Bota ka parë luftëra disa ditore si dhe njëqind vjeçare. Pasuria, toka, të mirat materiale, ego për pushtet dhe lakmia janë vetëm disa nga shkaqet kryesore që i kanë çuar shtetet dhe popujt drejt armëve dhe dhunës. Shekulli i XX-të njohu një lloj të ri lufte, luftën totale dhe atë shfarosëse. Asnjëherë historia nuk kishte parë kaq gjakderdhje. Teknologjia dhe industria u vunë në shërbim të luftës. Morali dhe etika, feja dhe kultura, dija dhe arsimi e humbën tërësisht ndikimin e tyre, madje dikush mund të argumentojë edhe të kundërtën, faktin se në disa raste ato mbështetën dhunën dhe luftën në kurriz të paqes dhe harmonisë.

Bota ka parë konflikte, por edhe shoqëri që janë munduar t’i shmangin ato. Njerëzimi nuk ka përkrahur vetëm dhunën, por shekujt e fundit na kanë treguar se shoqëria njerëzore është e vetëdijshme që në asnjë mënyrë ajo nuk duhet të mbështes humbjen e dinjitetit njerëzor, shkeljen e të drejtave jetësore dhe shfarosjen e racës njerëzore. Institucionet e ndërtuara mbi gërmadhat e Luftës së Parë Botërore, ishin të parat që u ngritën me synimin moral, për të shmangur katastrofa si ajo që bota sapo kishte kaluar. Mirëpo u deshën edhe tri dekada të tjera që Fuqitë e Mëdha, ato të cilat drejtonin rendin botëror, të kuptonin se lufta nuk është e vetmja mënyrë për të arritur synimet. Edhe një herë mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, liderët dhe pushtetarët që triumfuan mbi nacional-socializmin e fashizmin, u përpoqën që të ndërtonin një botë të paqme dhe pa dhunë. Prej asaj kohe e gjer në vitet ’90, shtetet e fuqishme dhe antagoniste të arenës ndërkombëtare si SHBA-të dhe BRSS-ja, u munduan të shmangin përballjen finale, e cila do ta shpinte botën në zgripin e Ferrit dantesk. Lufta e Ftohtë, ishte një ftohje e marrëdhënieve gjer në ekstrem, më shumë se sa një luftë ideologjish. Prej asaj kohe, konflikte nga më të ndryshmet shpërthyen në rajonet periferike të dy fuqive të mëdha. Secili prej kampeve, mundohej të shkaktonte trazira në kampin tjetër, duke mbështetur opozitën dhe duke inkurajuar revolucionet antiqeveritare. Pas rënies së Perdes së hekurt, SHBA-të dhe aleatët evropiano-perëndimorë u përpoqën që të ndreqnin atë që kishin shkatërruar gjatë 45 viteve në periferitë e “perandorive ideologjike”.

Zanafilla e shumë konflikteve për pothuajse dhjetë vjet, nga viti 1991-2001 qëndron pikërisht aty ku përfundoi Lufta e Ftohtë. Një pjesë tjetër erdhi si rezultat i sulmeve terroriste pas 11 shtatorit 2001, vit në të cilin SHBA-të dhe aleatët e saj vendosën të ndërhyjnë në Afganistan dhe pas dy vitesh në Irak. Shekulli i ri nisi disi i turbullt dhe i paqartë për perspektivën e rendit ndërkombëtar. Lufta kundër terrorizmit, frika ndaj pandemive, sulmet kibernetike, prodhimi i armëve të shkatërrimit në masë, kufizimi i disa lirive themelore në vendet perëndimore si pasojë e frikës ndaj sulmeve terroriste, rreziku i një lufte të tretë botërore nxitur nga shtete si Koreja, Irani apo konflikti Indi-Pakistan, e bëjnë këtë shekull të mjegullt dhe të paqartë për brezat e rinj.

Sipas shumë studimeve dhe raporteve të kryera prej instituteve më prestigjioze në botë, si dhe prej vetë shteteve të interesuara në politikat globale, konfliktet e shekullit XXI do të jenë të një natyre tjetër. Etja për energji elektrike, uji i pijshëm, rritja e konsumit botëror, mungesa e disa prej lëndëve të para, ulja e prodhimit të naftës, krizat ekonomike etj., do të jenë vetëm disa nga premisat që do t’i shtyjnë shtetet dhe aleancat drejtë konkurrimit dhe drejt luftës në të ardhmen. Sfida për mbijetesën, do të jetë alfa dhe omega e marrëdhënieve ndërkombëtare. Institucioneve si OKB-ja apo NATO, do t’i duhet që herë pas here të rishikojnë objektivat dhe të përshtatin strategjitë dhe vizionet me aftësitë konkretizuese.

Libri ka njëmbëdhjetë kapituj. Ai nis me Teorinë e konfliktit, për ta njohur lexuesin më nga afër me atë se çfarë quajmë konflikt, kush janë teoricienët e parë dhe ata më të rinjtë dhe ndalet më pas tek zgjidhja e konflikteve dhe krizave në mënyrë paqësore. Në kapitujt e tjerë trajtohen tematika që kanë të bëjnë me institucionet ndërkombëtare si NATO apo BE, instrumentet dhe politikat që ato kanë ndjekur në zgjidhjen e konflikteve dhe menaxhimin e tyre. Një rëndësi në kapitujt që vijojnë i jepet disa prej sfidave më të mëdha që e presin botën në shekullin tonë, si energjia atomike dhe sulmet kibernetike. Po ashtu në kapituj më vete trajtohen edhe tregtia e paligjshme e armëve të vogla si dhe ndërhyrjet humanitare. Një rëndësi të veçantë ka dhe kapitulli mbi moralin e marrëdhënieve ndërkombëtare, i parashtruar si një quo vadis i politikës botërore, duke mos e ndarë veprimin nga thelbi etik, nëse do të shpreheshim sipas stilistikës kantiane.

Libri është pasuruar me shkurtimet e duhura të termave të përdorur, atyre në gjuhë të huaj si dhe institucioneve ndërkombëtare. Po ashtu një fjalorth e familjarizon lexuesin që në faqet e para mbi termat e përdorur gjerësisht në libër.

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: