Rishikimi i historisë dhe “fantazma turke në Ballkan”


Bledar Komini

Bledar KOMINI

Prej disa ditësh ka ri-nisur një debat mbi rishikimin e teksteve të historisë shqiptare, sidomos asaj periudhe që ka lidhje me të kaluarën e popullit shqiptar nën Perandorinë Osmane. Reagimet kanë qenë të ndryshme, por më i konkretizuar ka qenë ai i një grupi intelektualësh të cilët kanë përgatitur një peticion ku janë shprehur kundër ndryshimeve në tekstet e historisë, si në Republikën e Shqipërisë ashtu dhe në Republikën e Kosovë. Në fakt peticioni i është drejtuar Presidentes së Kosovës Znj. A. Jahjaga dhe për dijeni edhe institucioneve të shtetit shqiptar si Presidencës e Kryeministrisë.

Përballë kërkesës së qeverisë turke për të rishikuar një pjesë të teksteve të historisë në Kosovë, Ministria e Arsimit e kësaj të fundit formoi një komision të përbërë nga ekspertë të historisë, gjeografisë dhe albanologjisë (Komisionin për Rishikimin e Prezantimit të Historisë, Gjeografisë dhe Kulturës Osmane e Turke) për të përgatitur një raport në të cilin të jepej një opinion se çfarë mund të ndryshohej dhe korrigjohej në tekstet shkollore.

Më herët debati mbi rishikimin e teksteve të historisë i kishte lënë vend një tjetër debati në Tiranë, atij të rishikimit jo vetëm të periudhës osmane, por edhe të figurës së Ahmet Zogut, regjimit komunist, krimeve makabre të komunizmit ndaj klerit fetar, islamizimit të popullit shqiptar etj. Për fatin e mirë, ky debat u kanalizua në emisione televizive dhe në shkëmbime pikëpamjesh mes ekspertëve të fushave përkatëse, pa lënë anash dhe ndërhyrjet e politikës që synonin mbështetjen e një teze ndaj tjetrës. Në rastin në fjalë mirëkuptimi u shfaq bindshëm, se ishte e nevojshme që disa periudha të veçanta apo figura të njohura, të rishikoheshin dhe rivlerësohej roli i tyre në historinë e kombit shqiptar. Pavarësisht diplomacisë aktive turke, rishikimi i historisë është parë si një proces shkencor, i bazuar mbi faktet dhe mbi të vërtetën historike. Ballkani ka prodhuar aq shumë histori sa pleksja mes të drejtës dhe padrejtës apo të vërtetës me shkatërrimin, ka qenë shumë e vështirë për t’u ndarë. Reagimi me pjekuri i qarqeve intelektuale në Tiranë, se rishikimi i historisë është i nevojshëm dhe duhet kryer nga specialistë, tregoi maturimin e problemit dhe diferencimin e tij me politikën dhe kërkesat e ndryshme qofshin ato të njëanshme apo jo.

Rasti i debatit të zhvilluar në Tiranë do ishte mirë që të “eksportohej” edhe në Kosovë, pasi në realitet janë ekspertët ata të cilët vendosin mbi ekzistencën e fakteve të reja apo falsitetin e tyre. Kthimi i këtij debati në një konglomerat diskutimesh dhe interesash do të ishte negativ për frymën integruese që kërkohet tashmë kur Shqipëria synon aderimin në Bashkimin Evropian. Për më tepër Kosova i ka të gjitha kapacitetet për ta zhvilluar debatin në kontekstin akademik, pasi asaj nuk i mungojnë ekspertët dhe specialistët e fushave që kanë ngjallur interes dhe diskutim. Ndërhyrja në këtë debat e një pjese të intelektualëve që jetojnë në Shqipëri ose jashtë saj, vetëm se do të krijonte amulli dhe paqartësi në lidhje me thelbin e problemit.

Nisur nga kjo ndërhyrje dhe duke lexuar dhe peticionin që iu dërgua Presidentes dhe institucioneve të Kosovës, më duket e pavend fryma e ngritjes së një tymnaje, ku përmes një peticioni (sado demokratik si formë) të kërkohet mos ndryshimi i historisë dhe teksteve mësimore. Nëse historia do ndryshohej ose nuk do rishkruhej bazuar mbi këto peticione, jam i sigurt se dhe pala tjetër që mendon ndryshe, do të mbledhë edhe ajo po aq firma në mos më shumë dhe përmes një peticioni do të kërkoj rishikimin e historisë. Në këtë fazë shtrohet pyetja: A duhet rishikuar ose jo historia nën frymën e peticioneve? Kjo pyetje nuk meriton përgjigje sepse traseja akademike e dallon qartë faktin shkencor dhe historik nga mjetet demokratike si peticioni, greva apo demonstratat. Historia nuk mund të shkruhet apo mos rishikohet nën “diktaturën” e këtyre mjeteve demokratike.

Duke lexuar peticionin e firmosur prej intelektualëve, që për të thënë të vërtetën ishin tërësisht “laramanë” në profesionet e tyre, vura re gjithashtu se “protesta” e shprehur përmes rreshtave, nuk konfiguronte me nocionet shkencore. Ky lloj historicizmi anti-poperian i kërkuar prej tyre, binte ndesh me frymën akademike që ata vet në thelb kërkonin. Nëse për një të vërtet kaq të madhe sa historia e një kombi, për rishikimin apo jo të saj, përdoren mjete të tilla si peticionet, domosdoshmërish dhe ngjallja e historicizmit në mënyrë të mjerueshme kthehet në një fakt të pashmangshëm. Modeli i përdorur prej këtyre intelektualëve ishte ai i përdorimit të mjeteve demokratike kundër të vërtetës shkencore dhe në rastin konkret asaj historike. Është e paimagjinueshme sentenca e përdorur dhe nënkuptuar në formë liturgjike përgjatë gjithë peticionit se, Perandoria Osmane ishte “një gropë e zezë për historinë e popullit shqiptar”. Mjafton ky fakt për t’i dhënë të drejtë absolute kujtdo që mendon ndryshe se tekstet dhe një pjesë e intelektualëve shqiptarë janë të indoktrinuar me një historicizëm mjeran, i cili ngre kokën edhe kur e vërteta e kërkuar mbytet prej shpërfilljes shkencore.

Vijimi i leximit të peticionit tregon se ai është shkruar shumë shpejt dhe me gabime trashanike, të cilat as historiografia zyrtare shqiptare e kohës së komunizmit nuk do t’i bënte, ashtu siç dhe nuk i ka bërë. Mjafton të shikosh se pushtimi osman, përcaktohet në peticion si faktor determinant për shkëputjen e Shqipërisë (tokave dhe principatave shqiptare) nga Evropa, për të thënë se kjo letër nuk është shkruar nga një ekspert i fushës së historisë. Faktet shkencore në të gjitha tekstet historike si ato të para viteve ’90 ashtu dhe pas tyre, asnjëherë nuk e kanë përcaktuar ardhjen e turqve në tokat shqiptare si një (risi) shkëputje nga Evropa, pasi shqiptarët ishin shkëputur prej kohësh nga qytetërimi perëndimor, ata gjendeshin të pushtuar prej shekujsh nga mbretëritë e tjera ballkanike si ajo serbe dhe bullgare dhe më herët nga ajo bizantine. E nëse në peticion shkëputje nga Evropa quhet ardhja e turqve në tokat shqiptare, si do të mund të quhej pushtimi serb i dushanëve dhe bullgarëve? Këtë pushtim e njohin mirë shqiptarët e Kosovës, sepse gjer para pak kohësh e kishin mbi kryet e tyre, madje një pjesë e madhe e këtyre shqiptarëve për t’i shpëtuar dhunës serbe të shekullit XX, emigruan në formë proteste drejt Perandorisë Osmane ose shtetit të ri turk të formuar pas viteve 1920. Një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë të ruajnë gjuhën shqipe dhe traditat e tyre në Turqi, ndërsa mijëra dhe qindra e mijëra shqiptarë u dhunuan nga regjimi serb përgjatë gjithë shekullit të kaluar dhe ende sot nuk gjenden eshtrat e tyre.

Duke rishikuar peticionin, “format e lakuara” të fjalës dhe të “vërtetës shkencore” janë thënë aq hapur dhe pastër sa çdo shqiptar do të ndjehej i fyer nëse do të shikonte se një grup intelektualësh mendon, se kontributi i shqiptarëve në Perandorinë Osmane ishte një hiç i madh. Peticioni e shpreh qartë se: “Pashallarët, ushtarakët, zyrtarët apo shtetarët e lartë të Perandorisë Osmane, qofshin këta edhe kryeministra që i kanë shërbyer Portës së Madhe, pavarësisht nga origjina e tyre shqiptare nuk kanë vlerë për historinë tonë kombëtare”. E si mund të thuhet në një peticion i cili ka si synim dhe frymë të tij, ruajtjen e të vërtetës shkencore se kontributi i personaliteteve, familjeve të mëdha shqiptare, rilindësve etj., pa punën e të cilëve ne nuk do të ishim evidentuar dhe njohur si komb, nuk ka asnjë vlerë. Me qindra libra janë shkruar për jetën e këtyre figurave të mëdha që kanë dhënë një kontribut të pashlyeshëm si shqiptarë në Perandorinë Osmane, rrugët e qyteteve dhe kryeqytetit mbajnë emrat e tyre, shkollat dhe institucione të ndryshme krenohen dhe identifikohen me këto personalitete. Në fakt peticioni me sa duket në rreshtat e tij synon ta rishkruaj historinë sipas një këndvështrimi të ri. Ai synon të vendos disa linja të reja të bazuara tashmë mbi historicizmin, që edhe regjimi më i egër komunist nuk pati kurajë të shkojë aq larg e t’i vendosi.

Ne krenohemi sot me shumë figura dhe personalitete që kanë qenë me origjinë shqiptare, pavarësisht se ata nuk i kanë shërbyer atdheut tonë, por ka mjaftuar fakti se janë ndjerë shqiptarë dhe nuk e kanë mohuar, kjo gjë na ka bërë ne t’i lavdërojmë e t’i mitizojmë në kulturën tonë të përditshme. Ngjashëm me këtë është rasti i Nënë Terezës, e shumë figurave të tjera. Sipas linjës së përcaktuar qartë në peticion, kontributi i këtyre figurave siç është edhe ajo e Nënë Terezës nuk ka asnjë vlerë për historinë tonë kombëtare. Në mos gaboj, deduksioni i këtij peticioni, që vetëm shkencor nuk është – pavarësisht se “mbështet të vërtetën shkencore”, – shpie drejt këtij fakti, që jam i sigurt se jo vetëm është i papranueshëm por në vetvete shpreh dhe një gjest antikombëtar.

Në një konferencë të organizuar me temë “Roli Kishës Katolike në Pavarësi”, Imzot Rrok Mirdita deklaroi se në këto 100 vite janë bërë gabime në lidhje me Kishën Katolike, dhe bëri thirrje që historia e kishës të rishikohet me kujdes. Ai gjithashtu tha se përplasjet e së shkuarës nuk duhet të pengojnë vendin të eci përpara, pasi sipas tij çështja më madhore e Shqipërisë është bashkimi i shqiptarëve. Në fund ai e mbylli duke ritheksuar se “Nuk kanë munguar gabimet në këto 100 vite me Kishën Katolike”.

Historia ndjen nevojën që të rishikohet dhe ky është një fakt i pashmangshëm, por nuk mendoj se peticioni i firmosur prej një grupi intelektualësh mund të shërbejë si bazë për ruajtjen e të vërtetës historike, mbrojtjen e saj, mbështetjen tek fakti historik etj. Përveç faktit se është një peticion i firmosur prej intelektualësh, ku një pjesë janë jo ekspertë në fushën ku debatohet, peticioni ngre dhe mbështet të pavërteta të mëdha, prej të cilave historiografia shqiptare duhet të ruhet dhe historianët e rinj duhet të kenë kujdes. Një peticion i shkruar me “mllef” nuk i shkon përshtat këtyre figurave intelektuale që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushat e tyre. Përkundrazi do ishte më e përshtatshme nëse përmes peticionit do synohej ruajtja e frymës akademike dhe debatit shkencor mbi ndryshimin e teksteve të historisë. Kjo frymë e përcjellë prej këtyre intelektualëve ngjall pasiguri për të ardhmen e shkencës në Shqipëri, duke vënë në diskutim dhe akademizmin në tërësi. Një studiues nuk duhet të bjerë asnjëherë në gjurmët e interpretimeve të gabuara, të cilat brezat e ardhshëm mund t’i marrin si rrugë të mirëqena dhe t’i kthejnë në autostrada për t’u përdorur prej qarqeve destabilizuese.

Për t’u përshëndetur mbetet fakti se një pjesë e madhe e historianëve shqiptarë nuk e kanë firmosur peticionin, gjë e cila tregon se kjo frymë kundërpërgjigjeje është tërësisht e gabuar dhe nuk të shpie kurrkund. Dikur Marksi e pat filluar “Manifestin Komunist” kështu “Një fantazmë po vërtitet në Evropë, fantazma e Komunizmit.” Si duket riaktivizimi i diplomacisë turke në kryeqytetet e Ballkanit më shumë ka trembur dhe prekur historicizmin dhe historicistët sesa historiografët e këtyre vendeve.

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: