TURQIA, NGA SUKSESET EKONOMIKE DREJT “THELLËSISË STRATEGJIKE”


Tirana Observer

Bled KOMINI

Për pjesën më të madhe të shqiptarëve Turqia nuk është një vend i panjohur. Shqiptarët me Turqinë i lidh jo vetëm historia, por edhe kultura, tradita, ekonomia, besimi, etj. Turqia e sotme është një “trashëgimi” disa dimensionale e Perandorisë Osmane. Me këtë të fundit shqiptarët i ngjizi fati historik shekullorë. Megjithatë edhe pas shkëputjes prej saj, një pjesë e mirë e jona, si shqiptarëve brenda territorit shtetëror të pas Pavarësisë, ashtu dhe atyre të mbetur nën zgjedhën e huaj, u lidh ngushtë me Turqinë, duke e parë atë si një shtet mik. Sot kjo miqësi evokohet edhe më shumë nga fakti se Turqia është shndërruar në një fuqi ekonomike dhe duke parë vështirësitë që po has vendi ynë karshi krizës financiare të dhjetëvjeçarit të fundit, shpresat për bashkëpunim janë të mëdha.

Nëse do mundoheshim të jepnim një panoramë për ekonominë turke, mund të themi se ekonomia e Turqisë ka pësuar ndryshime të mëdha, sidomos duke filluar që nga vitet ‘80 të shekullit XX, kur filloi zhvillimi i ri ekonomik dhe marrja e kredive në bankat e ndryshme. Ekonomia turke ka shfaqur shenja vitaliteti të cilat erdhën gjithnjë në ngritje dhe që në ditët e sotme kanë ndikuar gjerësisht edhe mbi përcaktimin e politikës së jashtme turke si me partnerët strategjik, vendet fqinje apo dhe shtetet problematike në raportet me Ankaranë. Pikërisht këto shenja vitale me hopet e tyre zigzage, sollën rezultatet e para kur për të kryesuar qeverinë turke u zgjodh Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e kryeministrit aktual Rexhep T. Erdogan, në fillim të viteve 2000. Për të kuptuar ndryshimin e madh dhe drastik të ekonomisë turke, vlen për t’u theksuar se në vitin 1990 Turqia kishte 49,4 miliard $ borxhe, ndërsa në vitin 2002 kjo sasi ishte rritur në 131,6 miliard $. Investuesit më të mëdhenj gjithnjë kanë qenë kompanitë shtetërore dhe ato private vendase apo të huaja. Sot Turqia nuk ka asnjë borxh, ndërkohë që ajo është kthyer në kredidhënësen më të madhe në rajon si dhe ndaj institucioneve ndërkombëtare.

Me gjithë parashikimet e zymta në Evropë, ekonomia turke po vazhdon të shënojë rritje shumë të shpejtë. Në këtë mënyrë ajo po shndërrohet në një vend shumë interesant edhe për investitorët e huaj. Turqia shënoi në vitin 2011 një rritje ekonomike prej gati 7,5 %. Eksportet dhe importet turke vazhdojnë të rriten, një sinjal tjetër për rritjen e fuqisë ekonomike të Turqisë. Ndërkohë ajo ka arritur të zërë venin e shtatë si ekonomi në Evropë dhe vendin e 15 në botë. Njëkohësisht Turqia sot, është një prej vendeve me borxhet më të ulëta në Evropë, pas Suedisë dhe Çekisë. Borxhet e saj kapin shifrën prej 42 % të prodhimit të përgjithshëm bruto. Me ekonominë e saj “pa borxhe ndaj të tjerëve”, ka arritur që pas shumë shekujsh t`ia kenë lakminë edhe shtetet më të zhvilluara evropiane dhe botërore. Në aspektin politik ka shënuar arritje të mëdha. Para shumë vitesh fitoi statusin “kandidat për në bashkimin evropian”. Por me sa duket duhet të presë edhe shumë vite për të marrë statusin e vendit anëtar. Pavarësisht kësaj Turqia ka ditur që siç thuhet rëndom të jetë edhe pjesë e Evropës duke synuar arritjen e standardeve, por dhe larg saj kur ka parë se kjo e fundit ka shfaqur hezitime në lidhje me pranimin e Turqisë si pjesë të Unionit. Por, përgjigjen më të mirë në lidhje me këtë e dha presidenti Abdullah Gyl gjatë vizitës së tij në Austri, kur në një intervistë tha: Edhe për një kohë të caktuar ne do t`i plotësojmë të gjitha kushtet për inkuadrim në Bashkimin Evropian. Por, pastaj populli i Turqisë e ka fjalën. Ata përmes referendumit do të vendosin nëse e dëshirojnë vallë një gjë të tillë apo jo.

Me të ardhur në pushtet, Erdogani shprehu haptas Politikën e Turqisë drejtë Bashkimit Evropian. Nënshkroi disa marrëveshje me BE-në dhe bëri ndryshime ligjore në favor të bashkëjetesës sociale dhe kulturore. Insistimi i Turqisë për t’u anëtarësuar në BE, shfaqi hapur dëshirën e këtij shteti për të qenë pjesë jo vetëm ekonomike e këtij bashkimi por dhe politike e kulturore.

Turqia sot ka zënë pozita të kënaqshme ekonomike falë ndryshimeve dhe arritjeve të saj, ajo renditet e treta në Botë pas Kinës dhe Indisë për sa i përket ritmeve të rritjes ekonomike. Paradoksi i Turqisë është fakti, se pikërisht tani që po përjeton një lulëzim ekonomik, ka marrë një mesazh të qartë nga BE-ja që nuk ka asnjë qëllim ta mirëpres në gjirin e saj, duke parë dhe problemet që vet Evropa po kalon në këtë dekadë të dytë të shek. XXI. Këto zhvillime pozitive kanë bërë që agjencia e matjes së rentabilitetit Moody’s të rrisë notën e këtij vendi për një shkallë në Ba1. Kjo forcon pozicionin e Turqisë dhe rolin e saj ekonomik, por politikisht e lë ende të papërcaktuar pozitën e këtij shteti në raport me Brukselin. Ekonomia turke varet shumë prej asaj evropiane, që do të thotë se krizat financiare në Evropë mund të kenë pasoja shumë të rënda për këtë vend. 46 % e eksporteve turke shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, edhe investimet kryesore në Turqi vijnë pothuajse në pjesën dërrmuese nga Evropa (76 %). Më shumë se tre të katërtat e turistëve në këtë vend janë evropianë. Kur partia AKP erdhi në pushtet në vitin 2002, prodhimi bruto i Turqisë ishte 243 miliardë euro. Më 2010 ishte rritur në 550 miliardë, ndërsa eksporti i vendit ishte dyfishuar. Falë thellimit të mëtejshëm të integrimit ekonomik të filluar me procesin e negociatave për anëtarësim në BE, sot vëllimi tregtar mes BE-së dhe Turqisë i tejkalon të 100 miliardë eurot. Ndërsa deficiti tregtar i Turqisë në raport me BE-në çdo herë e më shumë zvogëlohet drejt konvergjencës së eksportit dhe importit. Bashkimi Evropian me 2/3 e investimet direkte të huaja që zotëron në Turqi, është partneri më i rëndësishëm i investimeve në vend. Sot në Turqi gjenden më shumë se 14 mijë firma të BE-së që bëjnë investime të drejtpërdrejta në sektorë të ndryshëm përfshirë edhe sektorët me vlerë të lartë si atë automobilistik, elektronik dhe mekanik.

Megjithatë shumë ekspertë që e kanë ndjekur nga afër ecurinë e ekonomisë turke vijojnë të pohojnë se problemi kryesor i Turqisë mund të jetë deficiti në bilancin e këtij vendi. Në vitin 2011 deficiti buxhetor arrinte në rreth 10 % të prodhimit bruto – që është ndër më të lartët në botë, ndërkohë që importet në Turqi janë shumë më të ulëta se eksportet. Ky deficit është një sinjal se në Turqi shpenzohet shumë më shumë se sa është e mundur për t’u kursyer. Sidoqoftë të gjithë janë të bindur se Erdogani gjatë dekadës së kaluar si dhe viteve të fundit ka bërë shumë ndryshime, por sigurisht që ka mbetur edhe shumë për t`u bërë. Me këtë udhëheqje politike dhe ekonomike, Turqia ka fituar një stabilitet që për shumë vite nuk e kishte pasur. Ajo është bërë shembull për shumë shtete të rajonit dhe sidomos Ballkanit, edhe pse në disa vende shembulli i modelit ekonomik dallohet ndjeshëm prej atij politik.

Për shkak të rritjes ekonomike të vendit, ndoshta me të drejtë Erdogan është cilësuar në rangun e një lideri historik që simbolizon këtë ndryshim të madh. Erdogan si dhe Ministri i Jashtëm janë të vetëdijshëm se rritjes ekonomike duhet t’i korrespondojë edhe një politikë e jashtme më aktive dhe ambicioze. Edhe pse Evropa herë pas herë është përpjekur të shpjegoi se Turqia nuk mund të jetë pjesë e BE-së, për shkak se ajo nuk ka një realitet social evropian. E vërteta është krejt ndryshe. Evropa nuk ka guxim ta pranojë në gjirin e saj Turqinë, sepse është shumë e madhe dhe shumë ekzotike. Pra, me pak fjalë, për shkak të anëtarësimit të Turqisë, në BE do të ndryshonin ekuilibrat e forcës. Franca nuk do të ishte më fuqia e dytë si është tani, por me siguri pas anëtarësimit të Turqisë do të kalonte në vendin e tretë. Erdogan duke luajtur herë pas herë letrat e nacionalizmi i ka lejuar Turqisë një pozicion të ri dhe të dyfishtë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Turqia e Erdogan është e lidhur me Perëndimit, por qëndron jashtë tij dhe është e lidhur me Lindjen e Mesme, por në pamje të parë qëndron po jashtë edhe pse në të vërtetë luan një rol mjaft të rëndësishëm. Disa qarqe politike janë të mendimit se teoria e Ahmet Davotoglu mbi thellësinë strategjike “Strategic depth” mund të sjellë zhvillime të reja në politikën e jashtme të Turqisë. Për këtë arsye, që prej shumë kohësh kjo teori po diskutohet në qarqet politike dhe mediatike të rajonit. Disa qarqe e kanë cilësuar atë si një nga doktrinat e suksesshme në politikën e jashtme të Turqisë dhe janë të mendimit se Turqia nën drejtimin e partisë AKP dhe të shefit të diplomacisë Ahmet Davutoglu, ka ndjekur një politikë të jashtme relativisht të suksesshme.

Megjithatë, Turqia është një vend i fuqishëm dhe për këtë arsye ka në dorë alternativa të tjera të mundshme për politikën e jashtme. Njëri opsion është që Turqia të rikthehet dhe të bëjë rolin e urës mes Perëndimit dhe Lindjes. Strategu kryesor i politikës së jashtme të Turqisë në periudhën Erdogan është Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu. Ai i ka dhënë jetë politikës “zero probleme” me fqinjët. Këtë princip të rëndësishëm duke qenë në rolin e Ministrit të Jashtëm e ka aplikuar edhe në marrëdhëniet diplomatike me Armeninë, që ka qenë armikja tradicionale e Turqisë. Për shkak të kësaj politike, Turqia nuk ka pasur asnjëherë me parë një imazh kaq pozitiv sa ka sot me fqinjët si dhe në Rajon.

“Thellësia strategjike: Pozicioni Ndërkombëtar i Turqisë” është libri që e ka bërë të famshëm Davutoglunë në të gjithë botën, në të cilin ai parashtron të gjitha konceptet dhe linjat e politikës së jashtme. Është një njeri që i pëlqen veprimi dhe diplomacia dhe aspak të qenit një politikan tradicional. Duhet theksuar se teoria “Strategic depth” u përpilua në vitin 2001 nga Ahmet Davutoglu, i cili në atë kohë ishte profesor në universitet. Sipas tij, “thellësia strategjike” është pasuria më e madhe e Turqisë. Sipas kësaj teorie, kufizimi i rolit të Turqisë në një rajon të veçantë si Ballkani apo Lindjen e Mesme, është një veprim i gabuar. Kjo për faktin se Turqia nuk është një fuqi rajonale, por një fuqi qendrore. Si rrjedhim, Turqia është e aftë të luajë rol në rajone të ndryshme të botës dhe përfitimi do të jetë “rëndësia strategjike” e saj. Në doktrinën e Davutoglu, Turqia ka nevojë për një politikë të jashtme aktive që të garantojë thellësinë strategjike të këtij vendi që e ka trashëguar që nga koha e Perandorisë Osmane. Për këtë arsye ai në njëfarë mënyre kërkon ringjalljen e perandorisë turke. Megjithëse opozita aktuale ka kundërshtuar shumë prej hapave që Erdogani ka bërë në atë që ajo e quan regres i demokracisë së brendshme, pak ose aspak zëra janë ngritur kundër tij në politikën e jashtme. Kjo e fundit, e pagëzuar me emrin “0 probleme”, ka pasur si pikësynim korrigjimin e marrëdhënieve të tendosura (Greqi apo Rusi), zhvillimin e atyre taktike (Iran apo Siri) dhe zhvendosjen e vëmendjes strategjike (nga Evropa drejt Lindjes së Mesme). Një klasë e re ekonomike po rritet në trevat qendrore të Azisë Qendrore dhe vetë emërimi që i është dhënë (Tigrat e Anadollit) përcakton drejtimin e zhvillimit financiar, tregtar dhe, pse jo, politik që në dekadat e ardhshme do të kërkojë shteti turk. Ambiciet rajonale të Davutoglusë, të cilat ish-profesori universitar i cilëson si të udhëhequra nga një vizion kombëtar, ka ndjekur pikërisht nuhatjen e kësaj klase të re tregtarësh. Disa analistë perëndimorë i komentojnë këto lëvizje si një tentativë e Turqisë për t’u orientuar drejt Lindjes në kurriz të Perëndimit.

Njeriu qe më së shumti është përgjegjës për arkitekturën e këtij ndryshimi është Ahmet Davutoglu, ministri i jashtëm i Turqisë qysh më 2009. Sipas tij, “Turqia nuk është çështje; por aktor.”

Etiketa: , , , , , , , ,

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: