IRENEJI DHE FRAKTURA E POLITIKËS SHQIPTARE


Tirana Observer

Bled KOMINI

Objektet e kultit janë “shtëpi” të të Madhit Zot! Klerikët janë shërbëtorë të Tij! Janë këto dy postulate të cilat i kanë mbijetuar të gjitha epokave “Anno Domini”. Për sa kohë që feja apo besimet ngelin të papërlyera me ideologjizmat dhe politizimet e ndryshme, mesazhet që ato përcjellin mbesin të një rëndësie madhore dhe shërbejnë për katarsin akut të robit ndaj Perëndisë. E për më tej, krijojnë shtratin që një fe apo besim të zhvillojë shëndetshëm pemishten e moralit human që synon të plotësojë e shlyej gjynahet e robit përpara se ai të kalojë në amshueshmëri.

Megjithatë realiteti tregon se jo të pakta kanë qenë rastet kur kleri i një feje të caktuar është përfshirë në ideologjizma të panevojshëm ose në mbështetje të politikave darviniste. Edhe më të këqija kanë qenë pasojat kur personalizimi i këtyre politikave ka qenë aq i thellë sa ka shkaktuar “krisje”, “çarje”, dhunë masive e gjenocid në një popullsi të caktuar. I tillë ka qenë rasti i një pjese të klerit ortodoks në Serbi. Pikërisht figura të rëndësishme të këtij kleri janë bashkuar shpeshherë me thirrjet anti-humane, antifetare, nga ato më çnjerëzoret që ka parë ndonjëherë historia nga Lufta e Dytë Botërore e gjer më sot. Thirrjet e disa figurave të larta të këtij kleri kanë shkuar përkrah thirrjeve të Sllobodan Milosheviçit me shokë, për të zhdukur nga faqja e dheut popullin shqiptar, vetëm për faktin se i përkiste një race tjetër, se i përkiste një besimi tjetër. Plot 15 vjet pas gjenocidit më famëkeq të fundit të shekullit XX, atij serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, në zemër të shtetit shqiptar, në kryeqytetin e tij, Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe vjen dhe deklaron se “Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë”. Kjo nuk është deklarata  e parë dhe e vetme e këtij kleriku, por mund të citoj edhe deklarata të tjera ultranacionaliste dhe aspak etike për petkun fetar që ai mban, si: Në Evropën moderne nuk ka popull që vuan më shumë se populli serb në Kosovë; Kosovën po na e rrëmbejnë; Kosova është zemra e Serbisë, etj.

Për të pasur një panoramë më të qartë se kush është në të vërtet Patriarku Irenej, po vazhdoj edhe me dy deklarata të tjera të tij ku ai thotë se: “Një tjetër problem është se rreth 200-250 mijë serbë u është dashur që të lënë shtëpitë e tyre dhe të largohen nga Kosova dhe Metohija dhe nuk e kuptojmë pse ky popull nuk mund të kthehet në shtëpitë e veta…”. Në këtë rast, tërësisht në shkelje të çdo etike fetare, morale dhe njerëzore dhe duke ditur se ishin serbët ata që përzunë, vranë e dhunuan shqiptarët e Kosovës, ai shqetësohet më tepër për faktin e disa mijëra serbëve që u larguan pas krimeve që kryen ndaj shqiptarëve, e jo për gjendjen e një populli të tërë që la çdo gjë për të mbijetuar nga gjenocidi serb. Në një deklaratë tjetër ai thotë se: “Rezidenca e Patrikanës Serbe faktikisht është në Pejë dhe i bie që Rezidenca e Patrikanës Serbe të jetë në një shtet tjetër dhe jo në Serbi. Këtë ne nuk mund ta pranojmë dhe ta kuptojmë…”. Në mënyrë të qartë dhe të hapur, ai shprehet se Kisha Ortodokse Serbe i përket shtetit serb dhe ndjek politikat e tij, Ajo është e pavarur nga ky i fundit e si përfundim raporti kishë-shtet në Serbi është i pandashëm. A nuk është një ogur ky se Irenej ka luajtur dhe vazhdon të luaj të njëjtin rol si shumë të tjerë para tij?

Kjo panoramë e sjellë në këto fragmente është një dëshmi se profili i këtij kleriku ortodoks është një libër i hapur mbi faktin se ai mbështet ideologjinë ultranacionaliste serbe. Atëherë si është e mundur që ai ftohet në një ceremoni kaq të rëndësishme për besimtarët shqiptarë ortodoksë?! Si është e mundur që Kisha Ortodokse Shqiptare tregohet kaq e pakujdesshme ndaj këtij kleriku? Po politika shqiptare? A mundet që politika shqiptare të jetë kaq mendje shkurtër dhe të lërë kaq shpejt në harresë atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë? Kjo është e pamundur! Paralajmërimi, se në shenjtërimin që do të mbahej, do të ishte i pranishëm edhe Patriarku serb Irenej është bërë shumë ditë më parë se ngjarja të ndodhte. Kjo duhet të nxiste gatishmërinë për delikatesën e situatës dhe pritshmërisë se mund të ndodhte edhe diçka si ajo që ngjau. Në fakt, ndodhi e kundërta. E gjithë elita politike shqiptare u ndje më se e qetë dhe ra pre e provokimit të një grupi qytetarësh serbë dhe një prifti ortodoks serb, që me sa u pa e kishin menduar hollë e qartë ta shfrytëzonin ngjarjen krejtësisht për qëllime politike. Ky silur i lëshuar në mediat shqiptare, ditën me diell, tregoi edhe një herë se politika serbe nuk mund të lëvizë nga traseja koloniale milosheviçiane. Ajo është e ngurtë, arkaike dhe eksplicite për të realizuar qëllimet e saj, duke mos lënë pa përdorur edhe mjetet më të pamenduar apo palogjikuara ndonjëherë.

Në këtë mes, mendoj dhe besoj, se Kisha Ortodokse Shqiptare ra pre njëkohësisht e mashtrimit të këtij pseudo kleriku. Nuk mund të fajësohet kjo e fundit se Irenej në mes të ditës lëshon deklarata ultranacionaliste në Tiranë. Por, “faji” qëndron gjetiu. Gabimi është tërësisht i politikës shqiptare, e cila u tregua e pavëmendshme dhe e paaftë për të kuptuar se një pseudo klerik si Irenej është i aftë që të turbullojë dhe shkaktojë tërmete të tilla edhe pa qenë i pranishëm e jo më i ftuar në një ceremoni shenjtërimi. Politika shqiptare, më konkretisht qeveria aktuale, duhet të kuptojë se Irenej nuk është vetëm klerik. Ai është më shumë se aq. Është mbartës i virusit ultranacionalist serb. Është mbartës i asaj ideologjie që ka shkaktuar në Kosovë me qindra e mijëra jetë të humbura në dekada njëra pas tjetrës. Distancimi i Kishës Ortodokse Shqiptare tregon, se për ngjarje të mëdha dhe me ndikim kombëtar nevojitet një konsensus total i politikës shqiptare brenda dhe përtej kufijve, një unifikim i domosdoshëm që ngrihet mbi palët, mbi vet politikën dhe fenë. Kjo do të thotë se laiciteti i shtetit duhet të funksionojë në ritme të qarta kombëtare dhe të mos tolerojë që fenomene të tilla të shfaqen në qendër të Tiranës zyrtare, qoftë dhe Prishtinës. Unifikimi i axhendës kombëtare nuk duhet të tolerojë që raste si ky i Irenejt, të cenojnë harmoninë tonë kombëtare e fetare që kemi ndërtuar ndër vite.

Ultranacionalizmi politik, pa dallim kombësie është i dëmshëm përball integrimit dhe proceseve integruese që shteti shqiptar ka përcaktuar në vizionin e tij për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ky vizion mbetet unik, ai nuk duhet të ndryshojë për asnjë çast e për asnjë interes tjetër. Fqinjësia e mirë mund të jetë synim në vetvete, por asnjëherë objektiv real kur kjo fqinjësi ngrihet mbi interesat kombëtare. Janë këto, leksione, që na i kanë dhënë paraardhësit tanë nga Samiu e gjer tek Konica e Noli. Nuk duhet harruar asnjë çast lufta për pavarësinë dhe autoqefalin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Ashtu si paraardhësit tanë edhe politika shqiptare duhet të vetaktualizohet, unifikohet dhe të përqendrohet ndër të tjera dhe në ndryshimet që ndodhin përtej territoreve shqipfolëse. Ballkani nuk prodhon vetëm ngjarje politike, por e kaluara, ashtu si dhe e tashmja, tregojnë se gadishulli prodhon edhe probleme fetare, kulturore, sociale etj.

Duke qenë se ngjarja me epiqendër Irenejin zuri pjesën më të madhe të shtypit dhe medias brenda vendit (dhe jashtë tij), një ngjarje tjetër u zbeh disi. Ajo ka të bëjë me thyerjen e protokollit prej qeveritarëve tanë. Duke qenë se asnjë protokoll zyrtar (dhe jo zyrtar) nuk lejon që në një ceremoni të marrin pjesë të gjithë krerët e shtetit shqiptar njëkohësisht (president, kryeministër, kryeparlamentar, kreu i opozitës), fakti që ata morën pjesë, tregon se e thyen protokollin dhe cenuan sigurinë kombëtare. Aq më keq kur në këtë ceremoni merrte pjesë edhe kreu i opozitës. E meqë Presidenti është kreu më i lartë i shtetit, atëherë i mbetet atij që në raste të tilla të ndiqte më nga afër protokollin zyrtar.

Etiketa: , , , , ,

About njihvetveten

Simple me!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: