“VIRTUALJA SI DHUNIM I HAPËSIRËS PUBLIKE”


Tirana Observer

Bled KOMINI

Marr shkasë për të shkruar disa reshta në lidhje me këtë temë, mbi atë se çfarë i ngjau një mikut tim gazetar e analist. Nisur nga premisa se kujtdo mund t’i vidhet profili personal i rrjetit social Fejsbuk e mund t’i përdoret për njëmijë arsye të mbrapshta, them se dy fjalë për hapësirën publike dhe atë virtuale mund të ndahen me të gjithë lexuesit e kësaj gazete. Pavarësisht se krimi kibernetik është i dënueshëm kudo, jo domosdoshmërish kjo nënkupton që instrumentet për ta hetuar dhe goditur atë janë njësoj në të gjitha shtetet. Shqipëria është një ndër ato vende ku krimi kibernetik, hackersat, vjedhja e të dhënave dhe data-baseve personale në e-mail, profilet e rreme në rrjetin Fejsbuk, kërcënimet, sharjet dhe ofendimet, vjedhja e të drejtës së autorit etj., gjejnë terrenin e përshtatshëm për t’u zhvilluar si pasojë e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për ta hetuar, ‘kontrolluar’ dhe ‘goditur’ atë. Kjo amulli e ardhur kryesisht nga mungesa e përvojës si dhe instrumenteve të domosdoshëm ligjor dhe jo vetëm ligjor, i ka krijuar mundësi gjithfarë soj’ e turli njerëzish që ta përdorin “hapësirën publike virtuale” në  dëm të të tjerëve. Sidoqoftë në një moment të caktuar kësaj amullie i duhet thënë edhe në Shqipëri: Ndal!

Se „shuma e publikes“ prodhohet me veçori të shumta të privacisë, argumenton faktin se hapësirat publike ende të pa hulumtuara mirë të internetit përdorin privacitetin për të ngritur në kulm audiencën e tyre. Papritmas ky postulat i lë vend debatit në lidhje me tema të rëndësisë shoqërore,  të cilat kanë qasje nga të gjithë, ku debatuesit nuk njihen si individë. p.sh. nën emra të koduar fshihen identitete fiktive dhe këto debate nuk kanë për qëllim të kenë një rëndësi politike shoqërore, por tek-tuk kanë qëllime të mbrapshta për të cenuar privacinë e “shenjtë” të të tjerëve. Në këtë rast mund të themi bindshëm se hapësira publike moderne bart në vete çështje private. Në fakt kjo ngjan si ajo loja e vjetër e kohës së Rilindjes Evropiane ku përballë njëri-tjetrit viheshin argumentet “Ipso facto” dhe “Ipso jure”, gjë e cila i shërbente princërve për të mësuar Logjikën.Por në anën tjetër, provokimi i hapësirës publike në masmedia mund të ndihmojë në të kuptuarit më thellë të sulmeve virtuale në internet të çështjeve private. Sepse kur shikohen më afër këto dy fenomene, nxjerrin në pah një strukturë të re konceptuale të privates dhe publikes, ashtu edhe siç kishte parashikuar filozofi Habermas në konceptin e tij lidhur me hapësirën publike.

Sfera jonë bashkëkohore dhe e paqartë publike e konsumimit, udhëtimit dhe kënaqësisë, formohet nga kritere që kanë tendencën të kontradiktojnë idenë e pamundur por të parezistueshme të një rendi shoqëror kuptimplotë, të shprehur formalisht. Në fushën e mediave e sidomos atyre informatike, në kohët e fundit po zhvillohet një diskutim i cili si rezultat tregon se kufiri në mes të privates dhe publikes po fashitet. Si shembull mund të merret vënia në pah e jetës private të politikanëve apo edhe personave të cilët nuk janë të rëndësishëm për jetën publike, nga ana e medias. Por në anën tjetër qytetarët e thjeshtë apo edhe politikanët paguajnë çdo çmim për të qenë publik dhe për të hyrë në hapësirën publike. Kryesisht është bërë e modës që konferencat e panumërta të shtypit t’i lënë vend “statuseve të Fejsbukut”. Aq sa skeptikët e medias mendojnë se “Public Relation-i” i së ardhmes do të jetë një luftë virtuale më shumë, sesa një betejë reale. Në librin e tij “Ndryshimi Strukturor i Hapësirës Publike”, J. Habermas diagnostikon rënien apo shkatërrim e hapësirës publike në kohën e masmediave. Sipas tij, në thelb, nuk janë vetëm masmediat përgjegjëse për shkatërrimin e hapësirës publike, por ngatërrimi i fushës private me atë politike në sferën e qarkullimit të mallrave, ideve dhe institucioneve politike. Masmediat në këtë aspekt luajnë vetëm rolin e organeve udhëheqëse. Nisur nga ky formulim mund të nxjerrim rrjedhimin se edhe mediat sociale kanë të njëjtën peshë me masmedian moderne në cenimin e “Sferës Private”.

Pothuajse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se “hapësira publike” zë një pjesë të rëndësishme në jetën tonë. E konturuar apo jo qartë, në varësi të nivelit të demokracive që kanë shtetet, si dhe në varësi të legjitimimit që i bëhet sferës private, hapësira publike është një fushë e hapur për të tërë. Në këtë kontekst primitiv, sfera publike herë ka dhe herë nuk ka dimensione të njëjta, ajo herë është e njëtrajtshme dhe herë subjektive. Kësisoj hapësira nuk nënkupton në vetvete vetëm dimensionin hapësinor, por dhe subjektin-njeri; ngjarjen, veprën, zhvillimin dhe kohën, projeksione nga të cilat burojnë të drejtat dhe detyrat brenda një shoqërie. Me zhvillimet e fundit teknologjike dhe informatike, hapësira tradicionale publike, është kthyer në një hapësirë të “dhunuar”. Ku dhunohet vet koncepti i saj, dhunohet individi, cenohet integriteti dhe në fund prej rrjedhojave të së parës, nga sundimi i anarkisë publike cenohet dhe rendin publik. Në anën tjetër  nëse do mundoheshim të jepnim një ngjashmëri kuptimplotë për hapësirën virtuale, mund të themi se ajo është pothuajse e njëjtë me arkitekturën, “…ku çdo gjë fillon me hapësirën bazë. Është e dhëna jonë fizike, ku bëjmë shenjën e parë, hapim themelet që do të mbajnë strehën tonë. Aty vizatojmë kufirin që përcakton se çfarë është e rrethuar dhe çfarë është e përbashkët. Sot marrëdhënia jonë me atë hapësirë nuk është më kaq direkte, por mbetet vendimtare për kuptimin tonë ndaj vendit dhe asaj se ku qëndrojmë”.

Habermasi kishte plotësisht të drejtë kur tërhiqte vëmendjen mbi faktin se masmedia luan rolin e udhëheqësit në rastin e sferës publike dhe asaj private. Derivati i nxjerrë prej këndej na tregon se po e njëjta gjë ndodh dhe në raportin mes medieve sociale dhe dy sferave të përmendura. Duke i shtuar mediave sociale dhe anonimatin, si fenomen primat dhe të legjitimuar nën petkun e lirisë së përzgjedhjes mes një identiteti real dhe një tjetri fiktiv, kuptohet fare qartë se deri ku shkon në të njëjtën kohë dhe kufiri ndërmjet publikes dhe privates. E ndërsa kufiri i sferës private, juridikisht ka pasuar ndryshime në të gjithë botën, duke shkuar drejt përkufizimeve më të qarta të kësaj sfere, ai i sferës publike i gjendur përballë ndryshimeve drastike sociale dhe informatike është vënë shpeshherë në situata të tipit “ultra vires” (jashtë kompetencave).

Për t’i dhënë kësaj situate, panoramën globale, mjafton të themi se hapësira virtuale ka kapacitetin që t’u japë fuqi gjithnjë e më shumë aktorëve të vegjël, lokal apo rajonal. Prej statistikave del se në botë në vitin 2010 rezultonin një miliard kompjuterë të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrjetin e internetit dhe rreth 1.5 miliard përdorues interneti. Pothuajse në të gjithë shtetet që paraqiten sot si fuqi të dorës së parë, diskutimi mbi fushën virtuale apo “kibernetike” zë një vend të rëndësishëm aq sa këto vende kanë ngritur institucione për studimin e këtij fenomeni. Në vitin 2011 Organizata e Kombeve të Bashkuara ndërmori një nismë për të ngritur një “Polici Interneti” të varur prej saj, në mënyrë që të ndalonte krimin kibernetik, abuzimin seksual në internet, pornografinë, pedofilinë, vjedhjen e të drejtës së autorit, shfaqjet e terrorizmit etj. Megjithatë kjo nismë ka ngelur tërësisht në letër, pasi një pjesë e shteteve që drejtojnë Këshillin e Sigurimin e kanë parë këtë gjë si cenim të sovranitetit të tyre.

Sido që të jetë trendi global në lidhje me virtualitetin, del detyre e çdo shteti që të zgjidh problemet që shfaqen para tij me këtë dritare që na kalon çdo herë e më shumë në hapësira të pa eksploruara mjaftueshëm. Një ndër këto probleme për shtetin shqiptar është ai i forcimit të strukturave kontrolluese dhe atyre institucionale jo vetëm mbi social median por dhe mbi të gjithë shërbimet që ofrohen në internet për përdoruesit shqiptarë.

Etiketa: , , , ,

About njihvetveten

Simple me!

3 responses to ““VIRTUALJA SI DHUNIM I HAPËSIRËS PUBLIKE””

  1. dos says :

    headerin e ke vjedh nga blogu i massimo pigliucit.😉

    • njihvetveten says :

      Përshëndetje!

      Shkrimi është origjinal dhe i botuar në gazetë. Sa për headerin që thoni nuk ka asnjë vjedhje, përkundrazi nuk ka asnjë lidhje me personin që thoni dhe as nuk e di kush është. Megjithatë shpesh ndodh që titujt e shkrimeve mund të koincidojnë me tituj të autorëve të tjerë. Kjo për shkak se problematikat janë të njëjta, por qasjet të ndryshme.

      Këtë çështje e kam ndjekur nga pranë prej vitesh dhe është pjesë edhe e librit tim “Konfilti modern – Krizat, menaxhimi dhe ndërmjetësimi” botuar në 2012.

      Do ishte kënaqësi ta njihja autorin që ju thoni, nëse ka shkrime të tjera në këtë fushë do ishte një kënaqësi edhe më e madhe.

      • njihvetveten says :

        Nëse e kishit për headerin e faqes rationally speaking, thjesht e kam,marrë diku para tre vitesh e nuk mbaj mend ku, për tu treguar i sinqertë.

        Mbase mund të ketë qenë edhe ajo që thoni ju, por autorin e faqes sot po e dëgjoj për herë të parë dhe me sa pash kishte një blog vërtet shumë interesant.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: