RINGJALLJA E “VEHABIZMIT”, “LUFTË NDAJ KATARIT E TURQISË”


Dr. Bled KOMINI

409446Përpara se te futem në temë, dua të theksoj se Katari është një shtet shumë i vogël në Lindjen e Mesme dhe sigurisht një prej vendeve që përjetoi një ngritje të shpejtë ekonomike fal resurseve të naftës në vitet ’70 (kur u shkëput prej Britanisë më 1971), ashtu siç ndodhi dhe me vendet e tjera të Gjirit. Katari është një shtet “modest”, ku numri i popullsisë nuk i kalon 1 milion banorë dhe vetëm 12% e popullsisë së tij janë kombësi arabe e lindur aty. Në krye të principatës është familja e drejtuar prej Emir Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.

Një javë më parë kur Presidenti amerikan Donald Trump vizitoi Arabinë Saudite, ai nënshkroi ndër të tjera dhe disa marrëveshje shume të rëndësishme, vlera e të cilave shkonte mbi 400 miliard dollarë. Gjatë vizitës së Presidentit amerikan, mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz dhe Donald Trump nënshkruan një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me vlerë prej 110 miliardë dollarësh për të shtuar aftësitë ushtarake të Arabisë Saudite. Marrëveshja që hynte në fuqi menjëherë, ishte e para në një seri marrëveshjesh që të dyja vendet nënshkruan për të përmirësuar partneritetin ekonomik dhe ushtarak mes tyre, përfshi një marrëveshje të dytë me një vlerë deri në 350 miliardë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme. Arritja e këtyre marrëveshjeve si dhe bisedimet kokë më kokë, i shtuan oreksin mbretërisë Saudite që të ndërmarrë veprime të tjera nisur e mbështetur në “filozofinë vehabiste”, të goditjes së kundërshtarëve në Gadishullin Arabik.

I pari prej vendeve që u godit një vit më parë prej Saudisë ishte Jemeni, i cili duhet thënë se kishte kohë që shqetësonte kufirin saudit përmes militantëve huthi që sulmonin bazat ushtarake të vendit fqinj. Lufta që nisi, nuk pati asnjë fitimtar, por i solli Saudisë humbje të mëdha ekonomike e ushtarake dhe asnjë objektiv të realizuar në planin politik.

Nga ana tjetër, sipas panoramës së ofruar prej vendeve perëndimore si dhe disa shteteve të Gjirit Persik (Saudisë, Kuvajtit, Bahrejnit, Emirateve të Bashkuara Arabe) dhe Egjiptit, shteti i vogël arab, Katari, i cili shtrihet në kufi me Arabinë Saudite, prej kohësh është akuzuar se mbështet dhe financon terrorizmin, duke i kthyer shpinën SHBA-ve në luftën ndaj Shtetit Islamik si dhe duke mos ndërmarrë asnjë masë ndaj aktiviteteve terroriste ne rajon. Në nivelin zyrtar, Katari prej kohësh ka shfaqur hapur mbështetjen e tij për Hamasin në Palestinë, gjë e cila ka indinjuar thellë Izraelin dhe Egjiptin. Për t’ju përgjigjur zërave se Katari është një shtet që financon dhe mbështet terrorizmin, në shtator të vitit 2014, Emiri Tamim bin Hamad Al-Thani, në një intervistë të dhënë gjerësisht mbi politikën rajonale në Gjirin Persik, deklaroi për CNN se vendi i tij nuk mbështeste dhe nuk kishte përkrahur asnjëherë Shtetin Islamik si dhe i ishte bashkuar prej kohe SHBA-ve në luftën botërore ndaj terrorizmit.

Ligjërimi i “vehabizmit” përmes arritjes së nënshkrimit të disa marrëveshjeve në fushën ushtarake mes SHBA dhe Arabisë Saudite, si dhe dalja në skenë e Egjiptit, që përkrah hapur nismën saudite, tregon se objektivi i radhës për t’u sulmuar do të jetë Katari. Për t’u theksuar është se në Doha, kryeqytetin e Katarit, gjendet edhe një prej mediave dhe zërave më të fuqishëm mediatik, të botës arabe dhe jo vetëm, Al Jazeerah (Al-Xhazira). Prej kohësh ky rrjet multimedial me shtrirje botërore është akuzuar prej Saudisë, Egjiptit dhe Izraelit se mbështet qartazi sulmet ndaj këtyre vendeve dhe se ndjek një politikë redaksionale në kundërshtim me frymën zyrtare panarabe (vehabiste).

E përveç faktit se deri para pak kohe kishte zëra se sponsorizuesi më i madh i kundër-revolucionit në Egjipt ishte Saudia, tashmë panorama bëhet edhe më e qartë kur dyshja Selman – El Sisi bëhen bashkë dhe frymëzojnë goditje të përqendruara politike ndaj shteteve “reaksionare”. “Diplomacia vehabiste” e cila në plan të parë ka përhapjen e frymës radikale dhe arabizmit ndër vendet e Gjirit e përtej tij, bashkërenduar me puçistët ushtarak në Egjipt, tashmë synojnë hapur që të godasin aleatin e Turqisë, Katarin. Pavarësisht se vizitat e njëpasnjëshme të Erdoganit në Saudi janë cilësuar të suksesshme, dhe ai ka arritur të nënshkruaj marrëvëshje disa miliardë dollarëshe, sërish diplomacia e mos kthyerit të “duarve bosh” është shndërruar në një mekanizëm që tashmë, pasi blen heshtjen e disave, sulmon hapur kundërshtarët e “pansaudizmit”.

Prej 50 vitesh, që kur filluan për herë të parë marrëdhëniet mes Katarit e Turqisë, ato janë intensifikuar qartazi, sidomos pas vitit 2010, që nga kriza në Egjipt, e më pas në Siri, duke prekur disa fusha bashkëpunimi, ku më të rëndësishmet janë ato ushtarake dhe ekonomike. Katari ka qenë mbështetësi më i madh i politikës së jashtme turke në Lindjen e Mesme si dhe ka dalë hapur përkrah saj sidomos në deklaratat e Erdoganit në çështjen e Egjiptit dhe Sirisë. Kjo gjë sigurisht ka shkaktuar indinjatë të thellë në vendet e tjera, të cilat e kanë parë Katarin si një shtet arab me prirje aspak panarabe. Në një konferencë të përbashkët, liderët e të dy vendeve (Katarit e Turqisë) në dhjetor të vitit 2014 deklaruan, se nuk do pranojnë asnjëherë të mbështesin dhunuesit e lirisë, por do jenë në krah të të shtypurve, duke nënkuptuar ish-Presidentin Mohammed Mursi (në Egjipt) dhe popullin e vuajtur sirian.

Po ashtu Katari ishte mbështetësi më i madh i Turqisë me gaz natyror, që kur marrëdhëniet e kësaj të fundid përjetuan një krizë të thellë me Rusinë, pas rrëzimit të një avioni rus SU-24 prej forcave ajrore turke në nëntor të vitit 2015. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë intensifikuar shumë në vitet e fundit dhe sigurisht që në politikën e jashtme ato kanë një rakordim të qartë në çështje që prekin interesat e të dy shteteve. Një prej çështjeve që i prek të dy vendet në politikën e jashtme është dhe rritja e ndikimit të Iranit në vendet fqinjë si Bahrejni, Iraku, Siria dhe Jemeni. Kjo bën që Katari të kërkoj mbrojtjen turke, si dhe të blej prej Ankarasë jo vetëm armatime por dhe t’i ofroj asaj bazat e veta ushtarake. Sipas Nejar Arakci (studiues në “Qendrën Aziatike të Studimeve Strategjike”), si Katari ashtu dhe Turqia janë rreshtuar njëtrajtshëm edhe kundër lëvizjes selefiste në rritje.

Nga një këndvështrim tjetër, investimet Turke në Katar kapin një vlerë prej 15 miliard dollarësh dhe Katari është vendi i tretë arab (pas Irakut e Arabisë Saudite) me të cilin Ankaraja ka zgjeruar shumë marrëdhëniet financiare, teknologjike dhe ekonomike.

Në dhjetorin e vitit 2015, mes Turqisë dhe Katarit u nënshkrua një marrëveshje ushtarake, e cila i jepte mundësi trupave turke të kishin një bazë ushtarake brenda Katarit. Marrëveshja nuk u ekspozua asnjëherë zyrtarisht, duke përhapur zëra se trupat turke që do vendoseshin në Katar, do ishin një mbështetje e fshehtë për opozitën siriane. Pavarësisht kësaj, afrimi i trupave turke në kufi me Arabinë Saudite ngriti dhe shqetësime të tjera, të cilat kanë një prapavijë historike që fillon që në shekullin e XIX dhe intensifikohet me luftën kundër Khalifatit turk që ndoqi Abdul Aziz Al Saudi (1902-1953) dhe familja e tij në fillim të shekullit të kaluar.

Metin Gurçan një studiues dhe njohës i mirë i marrëdhënieve turko-arabe, si dhe kolumnist i “ALMONITOR – The Poulse of Middle East”, thekson se në vizitat e ndersjella, Presidenti R.T. Erdogan i është drejtuar gjithnjë Emirit Al-Thani, duke e quajtur atë vëlla në sy të opinionit mediatik e gjatë intervistave të dhëna. Ai thekson gjithashtu se takimet mes dy liderëve kanë qenë të shpeshta dhe se prej vitit 2015 numri i trupave turke në Katar, ka shkuar tashmë në 3000 ushtarë profesionistë.

Duke parë precipitimin e ngjarjeve në Lindjen e Mesme, hapja e një konflikti të ri, në dukje me përmasa të vogla, mund të kthehet shumë shpejt në një lutë të re rajonale që mund të zgjerohet përtej saj e të dalë jashtë kontrollit. Nga ana e saj Turqia do mundohet që të zbusë sanksionet e vendeve arabe ndaj Katarit, duke i ofruar të gjithë ndihmën e mundshme, ndërsa Saudia dhe Egjipti do mundohen të ndëshkojnë vendet që nuk i bashkohen boshtit Kajro-Riad që synon vendosjen e një hegjemonie të re, nën petkun e panarabizmit për El-Sisin dhe vehabizmit për mbretin Selman.

Advertisements