Ripërtëritja e figurave dhe vlerave të vërteta qytetare


Njohja e vlerave dhe meritave të munguara

Dr. Bled KOMIBled-KominiNI

Ardhja e demokracisë dhe ndryshimet e para pluraliste sollën me vete edhe ndryshimin e vetëdijes sociale, kulturore e fetare për popullin shqiptar. E kaluara e hidhur komuniste dhe shtypja e madhe që pësoi populli jonë gjatë diktaturës pothuajse pesëdhjetë vjeçare, krijuan një stereotip social që kulmoi me “njeriun e ri”. Në fakt ky “njeri i ri”, nuk ishte gjë tjetër vetëm se një produkt i diktaturës më të shëmtuar në botë. Për fatin e mirë, shqiptarët e rrëzuan diktaturën komuniste njëzet e dy vjet më parë, ndërsa produkti i saj më i shëmtuar, “njeriu i ri”, mbeti.

Mbetjet e regjimit komunist vijuan të ndjehen edhe pas viteve ’90. Mos njohja e vlerave të vërteta sociale, atyre historike si dhe atyre kulturore e fetare, bëri që populli ynë të vuaj edhe pas viteve ’90, mungesën e modeleve të shëndosha dhe pozitive, prej të cilave ai do të frymëzohej për të ndërtuar shoqërinë e vlerave dhe demokracisë. Njëherazi nëpërmjet këtyre modeleve frymëzimi edhe tranzicioni do të ishte më i paqtë dhe më i shpejtë.

Në ditët që shkuan të festimeve mbi 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë u ndërmorën shumë iniciativa, festime e dekorime të figurave të ndryshme vendore e kombëtare. Megjithëse disa patriotë dhe figura të shquara që kanë spikatur dhe janë stigmatizuar për punën e tyre gjatë kohës që kanë qenë gjallë, jo vetëm që nuk u dekoruan por emri i tyre as që u përmend. Sakaq shqiptarë dhe besimtarë të mirë që kanë dhënë një kontribut të vyer, që nga momenti i ngritjes së flamurit të pavarësisë në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera, si dhe në vitet e më pasme, dallojnë emrat e H. Vehbi Dibrës, H. Sherif Langut, H. Ali Korçës, H. Ismail Ndroqit, H. Ibrahim Repishtit, H. Ibrahim Dalliut, H. Xhemal Naipit, H. Kadri Prishtina etj., asnjë prej tyre nuk u përmend në të gjitha festimet.

Asnjë prej këtyre hoxhallarëve patriotë, të cilët nuk e ndanë nga jeta e tyre binomin “Fe e Atdhe”, nuk mori qoftë edhe një medalje të zakonshme si mirënjohje e këtij kombi për të gjithë atë punë të kryer në dobi të Shtetit Shqiptar dhe të Çështjes Kombëtare.

I gjendur në qerthullin e dilemës mbi faktin se a duhet reaguar apo jo që këto figura të zënë vendin e merituar, vendosa të shkruaj disa reshta fillimisht si blatim për figurën, veprën dhe personalitetin e tyre. Mirëpo kurmi i krijimtarisë së tyre më obligoi që përveç shkrimit të ngre dhe zërin në disa media, se kjo punë nuk duhet lënë me kaq. Evidentimi dhe më pas ndjekja e hapave për njohjen e meritave të munguara është vetëm njëra nga etapat që duhen ndjekur në lidhje me këto personalitete.

Fatkeqësisht përpjekja institucionale ka munguar tërësisht gjatë këtyre viteve. Kësaj i është shtuar dhe doza e injorancës që ka shoqëruar shpeshherë ndërrimet në administratën shtetërore si dhe atë të institucioneve që kanë lidhje me trashëgiminë kulturore, duke humbur dhe atë grusht të pakët specialistësh që ja thoshin në lidhje me të kaluarën. E duke qenë se janë institucionet ato që duhet të përkujdesen për këto figura historike dhe të rëndësishme për vendin tonë, kjo përpjekje institucionale ka qenë pothuajse jo ekzistuese, gjë e cila ka shpënë në “amortizimin” e informacionit dhe lënien në harresë të tyre.

Sot pas dy dekadash e gjysmë kohe post-komuniste, një pjesë e madhe e figurave historike dhe atyre që kanë dhënë një kontribut të madh për shoqërinë shqiptare për vite me radhë dhe të cilat u përdhosën dhe u vranë si në të gjallë dhe në të vdekur prej regjimit komunist, pa dashje ose dhe me qëllim, janë harruar dhe kujtimi i tyre ruhet vetëm prej një dore historianësh dhe dashamirësish.

E gjej me vend të them se pa kontributin e këtyre figurave, historia e popullit tonë dhe ajo e qytetit të Tiranës nuk do të kishte qenë ajo që ishte dhe në të njëjtën kohë qytetaria do të kishte humbur pjesën e saj më vitale. Të flasësh për besimin në Shqipëri dhe në veçanti për komunitetin e besimtarëve mysliman shqiptar është një vështirësi e dyfishtë. Në radhë të parë, vështirësia vjen nga rrjedha historike. Kjo pasi shumë figura të ndritura janë zhdukur nga faqet e historisë ose më e vogla pasojë është se kontributi i tyre është minimizuar në maksimum dhe e tërë kjo erdhi prej dhunës ideologjike dhe institucionale të ushtruar nga partia-pushtet (komuniste).

Në radhë të dytë vështirësia vjen se ato figura të ndritura që dhanë jetën e tyre janë tashmë të ndara prej nesh dhe në shumicën e tyre kanë shkuar tek Krijuesi. Kështu burimi i njohurive për të kaluarën mbetet në dokumentet që ata kanë lënë, ose në kujtesën e bashkëkohësve të tyre.

Ajo çfarë ne në ditët tona perceptojmë si një identitet shqiptar nuk është më pak sesa një përzierje influencash, të cilat filluan që në kohërat e Perandorisë Romake deri në fundin e Perandorisë Bizantine e asaj Osmane. Një fakt i mirënjohur, i cili gjithashtu është riafirmuar dhe në rrethet akademike pas rënies së komunizmit si dhe nga personalitetet më të shquara të kulturës sonë e më gjerë, është që influencat më të fuqishme në kulturën dhe identitetin tonë derivojnë (për mirë apo për keq) nga kohërat osmane.

Këto influenca të fuqishme shihen kudo, si në folklorin tonë, në ritualet sociale të jetëve tona të përditshme, në perceptimet tona të së shenjtës, në urbanizimin dhe arkitekturën e qyteteve tona dhe gjithashtu të gjuhës dhe terminologjisë sonë. Me fjalë të tjera, këto influenca i kanë dhënë formë vetë memories sonë kolektive dhe na kanë ndihmuar të krijojmë identitetin kulturorë shqiptar. Ky identitet është një nga shumë identitetet post-osmane që lulëzuan pas rënies së Perandorisë Osmane. Në territoret shqiptare, ku maxhoranca e popullatës janë myslimanë, ky identitet post-osman, kontribuoi me shumë figura të shquara që dhanë jetën e tyre për pavarësinë e vendit tonë dhe formimin e shtetit shqiptar. Një pjesë e madhe e këtyre figurave dhanë një kontribut të rëndësishëm në jetën qytetare, duke u kthyer në pishtarë për të përhapur vetëdijen se ne jemi shqiptarë dhe myslimanë në të njëjtën kohë.

Prej këtyre figurave një pjesë e madhe e tyre u përfshinë dhe në jetën sociale e kulturore duke mbështetur qeveritë e ndryshme që erdhën pas Pavarësisë. Ata i gjen kudo; mësues të shkëlqyer, përhapës të gjuhës shqipe, eruditë, bashkiakë e kryebashkiakë, ekonomistë, historianë, politologë etj. Pavarësisht kontributit që dhanë, regjimi komunist zgjodhi metodën më të egër për të zhdukur ndikimin e tyre, atë të eliminimit fizik dhe fshirjes nga memoria sociale. Ishte pikërisht ky eksperiment i cili sot ne na ka krijuar boshllëqe të mëdha në kujtesën kolektive si dhe në pasjen e modeleve të shkëlqyera për shoqërinë tonë. Në këtë pikë shtrohet një pyetje: Çfarë duhet të bëjmë për të rikthyer kujtimin e tyre dhe për t’i njohur ato vlera që ju mohuan për dekada të tëra me radhë?

Po i përgjigjem kësaj pyetjeje, me shpresën se përgjigjia mund të shërbejë si një busull për të orientuar ata që duan të japin një kontribut sado të vogël në këtë fushë. Mendoj se nevojitet vetëm një ndërgjegjësim më i madh social mbi këto figura, të cilat kanë shërbyer me ndershmëri sa ishin gjallë dhe për sa janë të vdekur. Ky ndërgjegjësim do t’i shërbejë më pas modeleve të munguara hera-herës ose të zhdukura të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Për më tepër ata do t’i shërbejnë gjithashtu edhe brezave të rinj si një model intelekti, erudicioni, përgjegjshmërie, besimi dhe humanizmi.

Të gjitha këto modele gjenden në krizë në ditët e sotme, për këtë arsye jo vetëm këto personalitete, por të gjithë ata që kanë dhënë të njëjtin kontribut duhet të trajtohen me respekt dhe mirënjohje për atë që lanë pas.