NACIONALISTË “PA ATDHE”


Dr. Bled KOMINI

Bled-Komini

Nacionalizmi jo vetëm ka treguar që ndonjëherë mund të jetë “streha e fundit e maskarenjëve”, diktatorëve dhe uzurpatorëve, por që në filim të herës – në rastin shqiptar, –  kur u hodhën themelet e shtetit, tregoi se mund të ishte edhe “vegël” e arrivistëve dhe oportunistëve. Mjafton të lexosh kujtimet e disa prej personaliteteve të viteve të para të krijimit të shtetit shqiptar, si Ismail Qemalit, Sejfi Vllamasit, Mustafa Mërlika Krujës, Eqerem bej Vlorës, Tafil Boletinit etj., për të kuptuar se si pikërisht pseudo-nacionalistë apo pseudo-atdhetarë që hiqeshin sikur punonin për këtë komb, treguan se mund të ishin shumë të rrezikshëm në momente të caktuara të jetës politike. Ata jo vetëm vunë interesat personale e vetjake mbi ato kombëtare, por i shkaktuan dëme shumë të mëdha shqiptarëve dhe shtetit të brishtë që ende nuk ishte njohur plotësisht në arenën ndërkombëtare. Kështu, këta nacionalistë “pa atdhe”, që kërkonin më tepër të përmbushnin ambiciet sesa ta shikonin Shqipërinë përkrah kombeve-shteteve të tjera, u përpoqën me çdo kusht që ta përdornin nacionalizmin si një “armë”, përmes së cilës mund të “vrisnin” pikërisht “tjetrin”, atë që kontribuonte për bashkimin dhe mëvetësinë e shqiptarëve, si një prej kombeve më të vjetër në Ballkan.

     Jo rrallëherë, vlerat kulturore e sociale si feja, tradita apo dhe besa, u përdorën prej këtyre presudo-nacionalistëve e pseudo-atdhetarëve për të prekur ndjenjat e shtresave të ndryshme, e për t’i hedhur ata në krahët e vëllavrasjes dhe luftës që nuk i shërbente askujt (si psh. lëvizja Haxhiqamiliste e 1914). Me këtë rast është e njohur thënia e Gjergj Fishtës, i cili në momentin e parashtrimit të çështjes shqiptare përpara Fuqive të Mëdha, si dhe hipotetikisht mospranimit prej tyre të njohjes së shtetit shqiptar prej presioneve që i bëheshin prej Greqisë e Serbisë, (duke qenë se shumica e popullsisë ishte muslimane), deklaronte se: “Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë se shqiptarët qënkan muslimanë, atëherë na kristianët, do ti shkriejmë kryqet tona dhe do ti bajm fishek, me mbrojt vllaznit tanë muslimanë shqiptarë”.

     Kësaj fryme atdhetare, që kërkohej medoemos të zhbëhej prej qarqeve pseudo-atdhetare brenda vendit, apo prej qarqeve që u shërbenin interesave të huaja, atyre greke e serbe, të infiltruara ndonjëherë edhe në radhët e klerikeve (mitropoliti Jakov – 1919-1920), ju bashkëngjitën edhe klerikët muslimanë. Me devizën “atdheu mbi të gjitha”, Sheh Ahmed Shkodra thurte vargjet e mëposhtme:

“Herët fort jam Atdhetar,
Nuk e di kush asht tradhtar,
Unë nji herë kam ba be,
Për besim e për Atdhe.”

     E zgjodha këtë fragment historik (nga ngjarjet e viteve 1919-1921), i cili është më i rëndësishmi i jetës politike e sociale për kombin shqiptar, për të treguar se kjo kategori, tek e cila nuk zë rrënjë dashuria për atdheun, por veç ego personale, në momente të caktuara historike, ka ndryshuar fatet e këtij vendi, duke sjellë mbi të rrënim e fatkeqësi, sidomos me vendosjen e diktaturës komuniste pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Mitizimi i laicitetit e më pas ateizmit që pësoi një zhvillim e hop gjatë viteve të diktaturës, ishte një tjetër fatkeqësi për këtë komb. Vlerat e vërteta që mbështeteshin në traditën e gjatë të popullit tonë, u kthyen në pengesa të mëdha për ata intelektualë e atdhetarë që kishin dhënë kontributin e tyre gjatë viteve të para të pavarësisë ose dhe gjatë periudhës së Mbretit Zog. Eleminimi i tyre, bashkë me klerikët si dhe me krahun liberal, bëri që në vend, pas vitit 1944, historia të shkruhej nga viti zero. Vet diktatura e proletariatit zgjodhi të zhbënte disa vlera e më pas të ndërtonte mitet e saj, bazuar kryesisht “mbi armikun e sistemit”, “tjetrin” dhe “jo patriotët”. Reminishenca e mbetje të kësaj periudhe shfaqen edhe sot gjerësisht në shkrime të ndryshme apo studime të quajtura shkencore.

     Breza të tërë studiuesish dhe lexuesish, të cilët nuk patën mundësi të njohin nga afër veprat e plota të Sami Frashërit, Abdyl Frashërit, Vaso Pashës, Ismail Qemalit, Faik Konicës, At Gjergj Fishtës, Lumo Skëndos etj., e kanë shumë të vështirë sot që të kuptojnë se përpara disa miteve kombëtare, ekzistojnë disa vlera që janë gurëthemeli i shoqërisë sonë, për të cilën kanë shkruajtur këta kolosë të Rilindjes. Pikërisht këto vlera janë ato më të hershmet, ato që popujt i kanë zgjedhur dhe ruajtur me fanatizëm, qoftë në Evropë apo dhe më gjerë. Besimi, tradita, harmonia si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore janë shumëherë më të rëndësishme sesa mitet e krijuara prej elitave udhëheqëse në momente të caktuara historike. Nacionalizmi nuk mund të shkruhet nëse nuk ka një shoqëri që e shkruan atë. Ai nuk mund të kthehet në “besim” nëse nuk ka një shoqëri që e formëson, ruan dhe lufton për realizimin e tij. Ngjashëm me këtë proces, as atdhedashuria e patriotizmi nuk mund të kthehen në koncepte konstruktive për jetën e një shoqërie të caktuar nëse nuk ka një shoqëri që beson në ekzistencën e vlerave të përbashkëta.

     Mungesa e harmonise dhe vlerave të përbashkëta shoqërore do shkatërronte të gjitha konceptet e mundshme nacionaliste. Për ta kuptuar këtë, po parashtroj disa pyetje, bazuar dhe në pohimin e mësipërm: A do kishte kuptim figura e Skëndërbeut nëse nuk do kishte një konsensus prej popullsisë muslimane për ta pranuar atë si figurën qendrore e themeluesin e parë të shtetit mesjetar shqiptar? A do kishte kuptim bashkekzistenca apo harmonia fetare me të cilën mburremi, nëse nuk do ishte shumica muslimane kaq tolerante përgjatë proceseve të ndryshme historike në këtë vend? Ismail Qemali, Vehbi Dibra, Ilias Vrioni, Aqip Pashë Biçakçiu, Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Lef Nosi, e shumë figura të tjera, a do kishin arritur të kontribuonin për themelimin e shtetit shqiptar nëse nuk do besonin tek e drejta dhe liria e besimit? A do kishin kuptim martesat mes besimeve të ndryshme nëse nuk do ishin anashkaluar ndasitë fetare? A do kish kuptim pavarësia e shtetit shqiptar nëse Vehbi Dibra, Hafiz Ibrahim Dalliu e shumë të tjerë nuk do i ishin bashkuar lëvizjes për pavarësi kombëtare?

     Përgjigjia e të gjitha këtyre pyetjeve është JO, asnjëra prej tyre nuk merrte përgjigje pozitive. E kjo për vet faktin se populli shqiptar zgjodhi të mbështetej në fillim mbi vlerat e përbashkëta e jo mbi mitet. Janë pikërisht këto vlera që shërbejnë si themele të miteve të mbartura prej Rilindjes shqiptare, që i mbijetuan kohës e sidomos sistemit gjakatar monist e që ne sot i këmi përzgjedhur si mjet apo mënyrë përfaqësimi në një botë që zhvillohet globalisht. Jo më kot, vet diktatura u përpoq herë pas herë që të eleminojë e shkatërrojë në fillim vlerat, për t’i hapur rrugën më pas ngritjes së miteve të sistemit diktatorial. Si do të mund të ngrihej “miti i proletarit vigjilent” nëse nuk do ishin shkatërruar vlerat dhe kontributet e qindra mijëra intelektualëve që studiuan në universitetet përëndimore dhe që shërbyen gjatë viteve ’20-30 për të ndërtuar shtetin shqiptar? Si do mund të ngrihej miti i “luftës së klasave” kur Shqipëria ishte shpallur shteti më ateist në botë? Si do mund të ngrihej “miti i Luftës Nacional-Çlirimtare” kur jeta dhe veprimtaria e disa prej kolosve të mëdhënj të rilindjes u fshi dhe u zhduk, për të mos u njohur kurrë prej brezave që do vinin më pas?

     Të gjitha këto na tregojnë dhe na ilustrojnë argumentin se mbi vlerat, mitet nuk mund të qendrojnë kurrë. Ndaj investimi për të mbajtur gjallë këto vlera që i kemi trashëguar prej atdhetarëve dhe rilindasve apo dhe prej vet popullit përmes ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duhet të jetë themeli për të ruajtur esencën dhe zhvilimin e kombit shqiptar në këtë shekull të ri.

     Nathalie Clayer në librin e saj “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, ka sqaruar mjeshtërisht mënyrën se si u ngjiz identiteti shqiptar i lidhur ngushtë me nacionalizimin dhe nevojën për shtetformim. Ajo tregon historinë e afirmimit të identitetit shqiptar në kuptimin modern të termit, sipas të cilit ndërtimi i identitetit shihet si një proces gjithnjë në ndryshim dhe i përcaktuar nga rrethana historike e politike. Në imagjinatën kolektive shqiptare të ushqyer nga një mitologji me një qasje thelbësore ndaj identitetit, shqiptaria, si ndjenjë e identitetit kombëtar, është trajtuar si thelb i popullit shqiptar, si një “bërthamë e pandryshueshme që ka qenë e njëjtë që nga pellazgët e ilirët e deri në ditët tona, ndërkohë që periudha të tëra historike, të tilla si shtrirja e Perandorisë Romake në Lindje apo deri edhe komunizmi, janë parë si aksidente që nuk e kanë ndryshuar këtë thelb.

     Pra, brenda nacionalizmit lindin “aksidente” të cilat mund ta ndryshojnë ose jo thelbin e nacionalizmit. E nëse këto aksidentë kanë një impakt më të madh se pesha që mund të mbaj një popull, atëherë mund të themi se efektet mund të jenë shkatërruese. Kjo ndodh kur nacionalizmi bëhet idologji e atyre që i shërbejnë interesave të caktuara, jo atdhetare, ose kur pseudo-intelektualë marrin përsipër të ngrejnë e mbështesin kauza që në thelb vetëm se shkatërrojnë çimentimin e shtresave dhe sjelljeve kulturore të ndërtuara në shekuj e mbi gjakun e derdhur të një populli, siç është ai shqiptar në rastin konkret. Për këtë arsye vlera të tilla si besimi, harmonia fetare, tradita e kultura të formesuara në proceset sociale të qindra viteve të këtij populli, janë shumë herë më të rëndësishme se mitet e ngritura, të cilat mund të zhbëhen në harkun e disa ditëve, muajve apo viteve. Vet regjimi komunist, si dhe mitet e krijuara prej tij, u shkërmoqën me erën e re të demokracive që përfshinë Evropën Lindore e atë Jug-Lindore. Mitet e krijuara e besuara prej regjimit tashmë duken të largëta, por besimi, tradita dhe kultura, sado që pësuan ndryshime, mbetën të pacënuara thellë. Ato u rikthyen dhe gjetën veten e tyre pikërisht aty ku kishin ngelur. Mbrojtja dhe zhvillimi i tyre është detyre e të gjithë atyre që e duan këtë vend.

     Duke e krahasuar debatin e ditëve të sotme mbi nacionalizmin, me debatin e viteve ’20-30 të shekullit të kaluar, vërehet qartë se ai vuan nga mungesa e “figurave të mëdha”, “nacionalistëve të mëdhenj”. Nëse në vitet 1920-1930 përfaqësues të nacionalizmit shqiptar ishin personalitete si Hasan Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina, Bajram Curri etj., të cilën dhanë çdo gjë në mbështetje të idealit që kishin, sot nacionalizmin shqiptar e përkrahin figura anonime (pa atdhe), pa asnjë kontribut real dhe vendimtar në jetën e këtij vendi. Qasja është e thjeshtë, nacionalizmi i sotshëm nuk është as evokim i së kaluarës, por as vizion i së ardhmes, ai rreket të sillet si alternativë e shtetit modern shqiptar, gjë e cila s’mund të ndodh. Pa personalitete ndikuese dhe pa vizion për të ardhmen e “përbashkët”, si dhe pa u mbështetur në vlerat që na bashkojnë, nuk do të kemi kurrë një zë përfaqësues e dinjitoz në arënën ndërkombëtare, përkundrazi e ardhmja e këtij vendi mund të vihet dhe në rrezik.