IFTAR, ROCK DHE POLITIKË


9d6224e1deb4c334d664bf64e9475db5

Bled KOMINI

Muaji i Ramazanit si asnjëherë tjetër ka koinciduar që në Shqipëri të jetë në të njëjtën kohë me fushatën zgjedhore për parlamentin e ardhshëm. Po ashtu, e njejta koicidencë ka ndodhur edhe me ditën e zgjedhjeve e cila ka rënë në të njëjtën të dielë që besimtarët muslimanë do të festojnë ditën e Bajramit.

Fillimisht dhe personalisht kam menduar se feja mund të jetë një zbutës i fortë i qëllimeve materiale dhe sidomos skrupujve politikë. E për këtë arsye më erdhi mirë që fushata zgjedhore do të zhvillohej njëkohësisht në periudhën e Ramazanit. Kjo gjë më forcoi bindjen se do t’i sillte përfitime si besimtarëve muslimanë, për t’i bërë më të përgjegjshëm karshi fateve të vendit, ashtu dhe politikanëve, të cilëve do t’u zbuste mërinë dhe inatet, apo t’i frenonte dëshirën e papërmbajtshme për pushtet. Por në fakt ndodhi e kundërta e asaj çfarë une besoja në fillim. Politika ka një zhguall më të fortë se gjilpëra në të cilën feja e fut perin për të qepur e “zgjidhur” hallet e popullit përmes besimit në Zot. Çfarë ndodhi?

Prej disa ditësh, por dhe në vazhdim, shtrimi i iftareve për besimtarët muslimanë, ngjarje ku politikanët shpërfaqin dashamirësinë e tyre ndaj fesë dhe Zotit, është kthyer në një farsë, me shumë aktorë, fetarë dhe jo fetarë, politikanë dhe jo politikanë. E teksa ecja një nga këto mbrëmje drejt qendrës së kryeqytetit, më bëri përshtypje ndërthurja mes muzikës rock që buçiste me nota të forta, pikërisht përbri xhamisë së Ethem Beut, ndërkohë që qindra besimtarë faleshin e’i kërkonin Zotit mëshirë në këtë muaj që për ta është më i vlefshëm se një mijë muaj të tjerë. Nuk ishte koicidencë… Ishte diçka e përnatshme. E ndërsa ata çdo natë rekeshin të faleshin, po çdo mbremje muzika rock i shoqëronte me tingujt e saj. Ajo çka pash më ngacmoi duke menduar se në një vend ku harmonia fetare mbahet si model përçimi dhe si vlerë që duhet shpënë dhe në Bashkimin Evropian, “magjia” e saj topitej e venitej nën tingujt rock, pranë Skëndërbeut largpamës, me vështrim nga bulevardi i ri.

Përdorimi i fesë përmes shtrimit të një iftari, për të shpalosur “dashamirësinë” e pseudo politikanëve ndaj një grupi besimtarësh, nuk mund të jetë e s’duhet të jetë kurrë forma e kërkimit të votës. Ashtu siç dhe nga ana tjetër, pranimi për të shkuar në këto iftare prej hoxhallarëve e besimtarëve nuk mund të jetë forma apo modeli për t’ju afruar politikanëve që ndryshe thonë e ndryshe bëjnë në realitet. E çfarë kuptimi ka një iftar i shtruar për një grup besimtarësh, ndërkohë që ata nuk mund të kryejnë dot ritet e tyre fetare? A nuk nënkupton shtrimi i një iftari prej një politikani, respekt?! Po nëse ky respekt nuk është real, por vetëm për Ramazan, vetëm për iftar, vetëm për të kërkuar votat tinëz dhe nga ana tjetër rocku politik është një show must go on?!

Më erdhi keq për ata qindra besimtarë që ndërkohë që faleshin ishin të detyruar të dëgjonin jo vetëm tingujt e muzikës, por dhe tekstet e tyre, që një Zot e di se çfarë përmbajtje kishin, kujt i këndoheshin e çfarë domethënie përçonin. Në një shtet laik, sigurisht feja ka vendin e vet, ashtu siç dhe e drejta publike për t’i dhënë mundësi kujtdo për të shfaqur idetë, për të kënduar, kërcyer apo propaganduar. Por nëse me dashamirësi politika shfaq “respekt” për sakrificën e besimtarëve në këtë muaj duke shtruar iftare të shumta, përse nuk shfaq dhe pak respekt të vërtet dhe për ritet e tyre që zhvillohen po në këtë muaj?

Jam i sigurt se ditën e zgjedhjeve, të gjithë politikanët do shkojnë të votojnë në fillim, e më pas do t’i drejtohen Komunitetit Musliman për të kryer ritualin e përvitshëm, nga shkallët e jashtme të të cilit do thërrasin për paqe, qetësi dhe vetpërmbajtje. Jam po i sigurt se qytetarët e këtij vendi, besimtarët e cilësdo përkatësie fetare nuk i hanë më këto rrena, këto shtirje e thirrje sa për të kaluar rradhën. Por për diçka tjetër nuk jam i sigurt, se a besojnë këta politikanë në Zot që t’i sjellin këtij vendi sado pak paqe, qetësi e ndreqje hallesh?